Lajme

Akreditohen 25 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 10:51 | 14 October 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), e ka përmbyllur procesin e akreditimit të vëzhguesve dhe mediave, të cilët do të mbikëqyrin dhe monitorojnë zgjedhjet lokale që pritet të mbahen të dielën e 17 tetorit, shkruan Gazeta Infokus.

Nga KQZ-ja thuhet se numri i përgjithshëm i tyre “është 25 mijë”.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numri më i madh i vëzhguesve të akredituar i takojnë partive politike.

-Advertisement-

“Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është rreth 25 mijë vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, organizatat joqeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, ambasada, institucion vendor dhe media. Numri më i madh i vëzhguesve të akredituar, 23 mijë e 46, është nga subjektet politike garuese (parti politike 21 mijë e 737, koalicion 387, iniciativa qytetare 883 dhe kandidatë të pavarur 39 vëzhgues”, është shprehur ai për Albanian Post, raporton Gazeta Infokus.

Ndërsa, numri i vëzhguesve të organizatave jo-qeveritare vendore është 768 dhe 70 të tjerë nga Avokati i Popullit.

Bazuar në statistikat e KQZ-së, këto zgjedhje do të vëzhgohen edhe nga një numër vëzhguesish ndërkombëtarë, që janë akredituar nga KQZ-ja.

“Numri i vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare është 177, ndërsa 39 të tjerë u takojnë ambasadave apo konsullatave në Republikën e Kosovës”, ka treguar Elezi.
Po ashtu, KQZ-ja ka akredituar me dhjetëra media vendore dhe ndërkombëtare që do të raportojnë për këtë proces zgjedhor.

“Janë 520 përfaqësues të mediave vendore dhe rreth 30 të tjerë që përfaqësojnë media rajonale dhe ndërkombëtare”, shtoi ai.

Në fund KQZ-ja shtoi se do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve për 48 orë, në periudhën kur do të votohet për zgjedhjet lokale në Kosovë. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera