Lajme

Agjencia Kundër-korrupsionit e shpall të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga Haradinaj

Autori: Gazeta inFokus 17:06 | 29 January 2018

Agjencia Kundër Korrupsionit e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Kjo Agjenci, në opinionin e saj, ka thënë se zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar këtë Vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’, dispozitat e caktuara që rregullojnë ‘Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë’, si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë ‘Parimet e veprimit dhe mos veprimit të zyrtarit të lartë publik”.

AKK ka konstatuar se “konflikti i interesit është shkaktuar vetëm për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes”.

-Advertisement-

“Vendimi i Qeverisë i datës 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur tek zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, ka thënë AAK në opinionin e saj, raporton Koha.net.

Agjencia Kundër Korrupsionit thotë se këtë rast nuk e ka trajtuar në aspekt të kompetencës së Qeverisë së Kosovës, të drejtën apo jo për rritje të pagave për atë sektor, mirëpo “çështja është trajtuar vetëm në aspekt të procedurës dhe mënyrës së nxjerrjes së Vendimit, duke e vlerësuar kështu me konflikt të interesit vetëm pjesën që kanë votuar, aprovuar dhe nënshkruar”.

“Prandaj, përmes këtij Opinioni, AKK rekomandon që Vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi”, ka potencuar AKK në këtë dokument.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera