Lajme

Abdixhiku i liston dështimet e Kurtit në njëvjetorin e qeverisjes së tij

Autori: Gazeta inFokus 12:59 | 22 March 2022

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media e ka quajtur qeverinë Kurti si qeveria më e paaftë që ka pasur Kosova në një vjetorin e qeverisjes së saj.

Abdixhiku foli edhe për sulmet e zyrtarëve të qeverisë dhe pushtetit ndaj mediave duke e quajtur si sjellje të rrezikshme për sistemin demokratik në vend.

“Tendencat kontrolluese të një pushteti absolut janë përcjellur edhe me sulme ndaj medias së lirë. Kjo qeveri karakterizohet me mungesë transparence, në fakt qeveria luftën me mediat e ka zhvilluar në të gjitha frontet dhe me të gjitha mjetet e duke mos përjashtuar seancën solemne të 17 shkurtit kur mediat janë sulmuar me gjuhë të ashpër nga kryeministri Kurti. Kjo gjuhë vazhdon edhe sot nga zyrtarë të qeverisë të cilët mediat i konsiderojnë si ndërmarrje kriminale, dhe ky sulm kur vjen nga pushteti është e rrezikshme, fjalët në pushtet kanë peshë, ndonëse edhe ne në opozitë mund të kemi kritikë ndaj mediave ne nuk marrim të drejtën të sulmojmë mediat dhe t’i konsiderojmë ndërmarrje kriminale konsiderojmë që puna juaj është e drejtë është e shenjtë dhe është e domosdoshme për një Kosovë demokratike”, ka thënë Abdixhiku para gazetarëve.

-Advertisement-

Ai ka listuar 12 fusha të dështimeve të qeverisë Kurti e të cilën e ka titulluar “Një vit paaftësi”.

Refuzimi i gazifikimit të Kosovës nga Abdixhiku është konsideruar si dështimi i parë i qeverisë Kurti, si dështim të dytë ai ka listuar krizën energjetike me rritje të faturave të energjisë deri në 80%.

Si dështim të tretë në njëvjetorin e qeverisjes Kurti, Abdixhiku ka vendosur politikën e jashtme që sipas LDK-së është karakterizuar me skandale të mëdha dhe me mungesë të takimeve në nivelin e lartë.

Në vendin e pestë LDK ka listuar si dështim kthimin e dialogut në nivel tërësisht teknik nga qeveria Kurti, shkruan Express.

E gjashta shtyllë është joefikasiteti i Kuvendit të Kosovës.

Si dështim të shtatë të qeverisjes Kurti, Abdixhiku ka përmendur kapjen e bordeve nga militantët partiakë.

Pikat e plota:

1. REFUZIMI I GAZIFIKIMIT TË KOSOVËS
Qeveria e Kosovës një vit qeverisje nuk ka shpalosur asnjë projekt konkret për rritjen e
kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike. Gjendja energjetike në Kosovë aktualisht është e
paplanifikuar, e pamenaxhuar, me kosto të lartë për qytetarët dhe bizneset dhe pa të ardhme të
sigurt të furnizimit me energji elektrike për nevojat momentale, ndërsa për nevojat e ardhshme të
një ekonomie më të zhvilluar kosovare, as që mund të bëhet fjalë.
Në këtë fushë, refuzimi i gazifikimit të Kosovës, nëpërmjet fondeve të garantuara të MCC-së e
SHBA-së (rreth 200 milionë dollarë), përveç se gabim strategjik i interesave nacionale të
Kosovës, është edhe dëm i pariparueshëm energjetik për vendin tonë. Kosova po futet në vitin e
dytë të qeverisjes, pa qartësi energjetike rreth projektit në fjalë; dhe me vullnetin politik të
deklaruar tashmë, refuzues ndaj një lidhje të tillë.
Orientimi i gabuar strategjik i Qeverisë së Kosovës, përveç se ka shkaktuar humbje të
paarsyeshme të 200 milionë eurove të dedikuara nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, ka izoluar Kosovën, si shtetin e vetëm në Ballkanin Perëndimor, pa ambicie e pa ide
për qasje në rrjetin e gazit amerikan.

2. KRIZA ENERGJETIKE
Përkundër paralajmërimeve se çmimet e energjisë elektrike do të rriteshin gjatë dimrit 2021-22,
si rezultat i hovit ekonomik postpandemik, Qeveria e Kosovës ishte e fundit në reagueshmëri.
Përderisa Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian kishin nisur planifikimet për përballje në
korrik të vitit 2021, e vendet e rajonit në tetor të vitit 2021; Qeveria e Kosovës gjendjen
emergjente e kishte shpallur tek më 28 dhjetor të vitit 2021, pas muajsh mohimi se në Kosovë ka
krizë. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës kishte dështuar të nënshkruaj ndonjë kontratë afatgjate
për furnizim me energji elektrike; nuk kishte planifikuar asnjë riparim me kohë të kapaciteteve
gjeneruese në KEK, e nuk kishte ndërmarrë asnjë masë reagueshmërie ndaj tërheqjeve të
vazhdueshme të energjisë elektrike nga KOSTT-i për plot 45 ditë.
Në janar të vitit 2022, si rezultat i vonesës në reagueshmëri, Qeveria e Kosovës, nëpërmjet
ZRRE, kishte ofruar një propozim për rritje drastike të çmimeve; të paprecedente në historinë e
Kosovës. Këto propozime nuk morën për bazë as rekomandimet e palëve të tjera e edhe më pak
shembujt e shumë shteteve të Bashkimit Evropian, që për bazë kishin përballueshmërinë e
qytetarëve. Propozimi i sponsorizuar i Qeverisë ishte diskriminues, i palogjikshëm në ndarje të
tarifave dhe i papërballëshueshëm për shumicën e familjeve kosovare. Kështu, çmimet e
energjisë elektrike u rritën nga 29%, 49%, 59% për shpenzuesit e 1200 kWh, 1800 kWh e 2400
kWh respektivisht.
Përtej këtyre rritjeve, Qeveria dha edhe plot 141 milionë euro të tjera; përkatësisht, 11 milionë ju
ndanë KOSTT-it për shpenzimet në Veri; 20 milionë tjera KOSTT-it në formën e dividendës së
papaguar; 20 milionë euro subvencione për importimin e energjisë elektrike; 90 milionë euro
subvencione për faturat e energjisë elektrike.

3. KRIZA E ÇMIMEVE
Papërballueshmëria qytetare në Kosovë është goditur edhe nga inflacioni rekord i muajve të parë
të vitit 2022. Sipas raporteve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në
muajin shkurt është rreth 7.5%; me një numër të konsiderueshëm të produkteve bazike të
shportës së konsumatorit në rritje të mbi 50% të çmimeve. Një ndër produktet me rritjen më të
lartë është ai i derivateve, të cilët, në kthim, kanë shkaktuar rritjen e çmimeve të mbi 130
produkteve tjera në Kosovë. Kështu, çmimi i domateve është rritur për 65%; i vajit për 42%, i
miellit për 33%, i patateve për 22%, i bukës për 20%, i druve për 16% e i vezëve e qumështit për
15% respektivisht 10%.
Ndonëse një pjesë e madhe e inflacionit është e importuar në Kosovë, si rezultat i bilancit të
pafavorshëm tregtar të Kosovës – i cili, gjatë vitit të shkuar është thelluar edhe më shumë –
Qeveria e Kosovës ka vendosur të vëzhgojë gjithë këtë krizë dhe të refuzojë të ndërmarrë hapa
konkret fiskal në zbutjen e përballueshmërisë.
Përderisa të gjitha vendet e rajonit – dhe jo vetëm – kanë modifikuar politikat e tyre fiskale për
periudhën afatshkurtër, dhe përkundër rekomandimeve konkrete të LDK-së, opozitës, shoqërisë
civile e palëve të tjera, Qeveria e Kosovës ka refuzuar secilën masë në këtë drejtim. Në vend të
shfrytëzimit të instrumenteve në dispozicion të Qeverisë, ajo ka vendosur që betejën kundër
inflacionit ta zëvendësojë me betejë kundër evazionit fiskal, duke përdorur policinë e
intervenimet ad hock mbi margjinalitetin e profitit – intervenime tërësisht kundërkushtetuese.
Mbi të gjitha, Qeveria e Kosovës ka refuzuar të ndërmarrë hapa me kohë, të paralajmëruar, në
adresimin e krizave të ardhshme furnizuese – në theks të veçantë para shpërthimit të luftës në
Ukrainë; siç dhe ka refuzuar të adresojë me kohë kërkesat për funksionalizim të institucioneve që
do të trajtonin keqpërdorimet spekulative me çmime në kohë të krizave veçse të paralajmëruar a-
siç është rasti i funksionimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

4. POLITIKA E JASHTME E IZOLUAR
Politika e jashtme është dështimi kryesor i kësaj qeverie. Ajo është karakterizuar nga skandale
me dëme të pa riparueshme për pozitën e vendit, me komunikime të turpshme e amatoreske dhe
diskurs jo adekuat diplomatik. Mbi të gjitha, është karakterizuar me mungesë të takimeve të
rëndësishme në nivel ndërkombëtar – përjashto takimet e forumeve të përbashkëta me vendet
tjera të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Kurti ka dështuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës,
duke mos arritur t’i forcojë marrëdhëniet bilaterale me shtetet mike në nivele të larta
përfaqësimi; duke mos prosperuar në procesin e anëtarësimit, organizata ndërkombëtare dhe
duke mos arritur përfaqësimin adekuat në iniciativat rajonale.

Në forume ndërkombëtare Qeveria Kurti ka bërë shpërfillje totale të interesave shtetërore duke i
dhënë përparësi diskursit politik partiak në takime ndërkombëtare. Ky diskurs partiak, që ka
zëvendësuar atë shtetëror, ka shkaktuar refuzim të komunitetit ndërkombëtar për të trajtuar
seriozisht shtetin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të prezantojë një vizion e strategji për politikën e jashtme e cila
do të parashihte reformën e premtuar në shërbimit diplomatik. MPJ ka përligjur kundërligjshëm
gradat e dhëna dhe ka dhënë grada diplomatike pa u bazuar në meritë. Në ndërkohë, e njëjta ka
shkarkuar 12 ambasadorë duke e lënë Kosovën të pa përfaqësuar për më shumë se gjashtë muaj
në gjysmën e shteteve ku ka ambasada Kosova. Ky proces përveç i dëmshëm për marrëdhëniet
bilaterale me shtetet mike, u përcjell me shkelje të rënda ligjore.
Qeveria e Kosovës ka dështuar të shfrytëzojë momentumin e ri të krijuar në Perëndim, në fushën
e diplomacisë e të sigurisë, pas intervenimit rus në Ukrainë. Në theks të veçantë, është dështimi
spektakular i përfaqësuesve tanë në Këshillin e Evropës. Pas përjashtimit të Rusisë nga ky
Këshill, në kohën kur bëheshin thirrje ndërkombëtare për pranim të Kosovës aty,
zëvendëskryeministri i Kosovës Bislimi prodhon një skandal turpërues ndërkombëtar duke i
humbur kredibilitetin dhe seriozitetin institucioneve tona.
Përgjatë një viti qeverisje, Qeveria Kurti nuk ka siguruar as edhe një njohje të vetme. Ajo nuk ka
paraqitur asnjë strategji komunikimi me 5 vendet mosnjohëse dhe nuk ka arritur të dëshmojë
veprime konkrete për lobim e promovim diplomatik, kulturor dhe ekonomik. Idetë elektorale të
kësaj Qeverie, sikurse zëvendësimi i CEFTA-s, janë shpërfillur e injoruar nga BE.
Mungesa e vizitës së kryeministrit të Kosovës në Washington, është sinjali më i rëndë shqetësues
për Kosovën dhe aspiratat tona nacionale për integrim euroatlantik e për partneritet të
përhershëm me SHBA-në.
Në vend të thellimit të marrëdhënieve me shtetet fqinje, zbehje të relacioneve – sidomos me
Republikën e Shqipërisë. Janë shënuar raporte rutinore pa zbatuar asnjë veprim konkret të dalë
nga marrëveshjet e nënshkruara në mes të kryeministrave. Ilustrative është shkëmbimi i
punëtorëve dhe mallrave.

5. KTHIMI NË DIALOG TEKNIK
Qeveria e Kosovës ka treguar mungesë fokusi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA;
fillimisht duke e prioritizuar si temë triviale e më pas duke marrë pjesë në këtë proces pa agjendë
dhe pa platformë dialoguese. Kalimi nga refuzimi në pjesëmarrje të papërgatitur dhe pa strategji
nuk i sjellë dhe nuk i ka sjellë Kosovës asnjë rezultat politik ndërkombëtar.
Kjo qasje, në jo pak qarqe ndërkombëtare, ka arritur të portretizojë Serbinë si palë konstruktive;
ndonëse e njëjta as nuk ka vullnet e as dëshirë të arrijë marrëveshjen përfundimtare rreth njohjes
reciproke mes dy shteteve.

Dëmi më i madh politik i shkaktuar për interesat e Kosovës është kalimi i këtij dialogu në nivel
tërësisht teknik; duke zëvendësuar kështu përkushtimin e madh të aleatëve tanë për një
marrëveshje përfundimtare që në fokus ka njohjen reciproke, në respektim të plotë të integritetit
territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës. Në këtë drejtim, përfshirja e Qeverisë së Serbisë në
tërheqjen e njësive policore nga territori i Kosovës është dëmi më i madh politik i shkaktuar në
vitet e fundit dialoguese.
Kosova vazhdon të humbasë momentume të rëndësishme politike; ndër të cilat edhe
momentumin e prezencës së Administratës Biden dhe fokusit të dhënë në integrimin euroatlantik
të Republikës së Kosovës.
Procesi i dialogut, në këtë periudhë, është konkretizuar edhe me mungesë të plotë të
transparencës dhe komunikimit ndër politik shqiptar në Kosovë.

6. JOEFIKASITETI I KUVENDIT
Në Programin legjislativ për vitin 2021, Qeveria e Kosovës kishte paraparë të kalojë 186
projektligje. Në vitin e parë kalendarik të kësaj shumice, pra deri më 31 dhjetor të vitit 2021, janë
aprovuar vetëm 36 ligje; përkatësisht, vetëm 19% e agjendës legjislative është e përmbushur në
këtë fillimvit.
Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje mbanë shumicën parlamentare e pa shqetësuar nga koalicionet
eventuale. Përkundër kësaj, deputetët e shumicës nuk kanë arritur të kalojnë as një të pestën e
ligjeve të sjella në Kuvend. Të njëjtit, ndërsa, ndonëse kanë arritur të miratojnë vetëm 36 nga
186 ligje, janë paguar në plotni për punën e tyre.
Ky dështim parlamentar i shumicës, është i paprecedentë në historinë e Kosovës, dhe i njëjti
dëshmon për paaftësinë udhëheqëse të partisë në pushtet, e cila sa herë ballafaqohet me obligime
e detyra konkrete, nuk dështon të dëshpërojë skajshmërish.

7. KAPJA E BORDEVE DHE AKTAKUZAT E PUSHTETARËVE
Depolitizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe çlirimi i tyre nga nepotizmi (punësimet
familjare të pushtetarëve), është një nga çështjet jetike për zhvillim normal të ndërmarrjeve
publike të Kosovës që më pas këto ndërmarrje të mund të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët
e Kosovës.
Në muajt e parë të qeverisjes, Lëvizja Vetëvendosje emëroj militantët e vet partiak, pavarësisht
mungesës së kualifikimit të tyre profesional, në të gjitha Bordet e Ndërmarrjeve Publike në vend;
me theks të veçantë ato në KEK, PTK, Trepçë e Ujësjellës (të gjithë pa dallim). Një pjesë e

këtyre emërimeve ishin anëtarë të familjeve të ngushta të zyrtarëve të pushtetit. Lëvizja
Vetëvendosje organizojë dhe implementojë edhe kapjen e institucioneve të pavarura në Kosovë
në rregullatorë, inspektorate e trupa tjerë mbikëqyrës.
Përtej kapjes së drejtpërdrejtë të trupave të definuar si të pavarur, Qeveria Kurti është
karakterizuar edhe me ministra e zyrtarë të lartë nën aktakuzë. Kështu, sot, 3 nga 16 ministrat
aktual të Qeverisë Kurti, kanë aktakuzë – një rast i paprecedent në shumë vende demokratike.
Dorëheqja e ministrave në kohën e vërtetësisë së fajësisë së tyre është akt minimal demokratik.
8. MOSFUNKSIONALIZIMI I INSTITUCIONEVE TË PAVARURA
Për vetëm një vit qeverisje, Qeveria Kurti ka arritur të defunksionalizojë një pjesë jetike të
institucioneve të pavarura, që kanë impakt të madh në zhvillimin ekonomik të vendit. Ndër to,
më të rëndësishmet janë Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP); Autoriteti Kosovar i
Konkurrencës (AKK); si dhe Bordi i Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Ndonëse ky pushtet ka mbi 50% të votave të nevojshme parlamentare për zgjedhjen e trupave që
do t’i rifunksionalizonin organet në fjalë, me vetëdije ka zgjedhur t’i lë të paralizuara ato. Ndër të
tjerash, mosfunksionalizimi i Bordit të OSHP-së, që në rend mbanë mbi 600 ankesa, i ka
paralizuar dhe investimet kapitale në vlerë prej 500 milionë eurove.
Një ndër dështimet më të mëdha të shumicës është edhe moszgjedhja e dy kandidatëve të
Gjykatës Kushtetuese. Duke refuzuar konsensusin dhe diskutimin politik me partitë
parlamentare, Qeveria e Kosovës dhe shumica e Lëvizjes Vetëvendosje, qëllimshëm prodhon
institucione të paafta për të ushtruar funksionin e tyre publik.

9. VETINGU POLITIK

Menaxhimi i dështuar politik i një ndër proceseve më të rëndësishme të drejtësisë kosovare, ai i
vetingut, ka vendosur gjithë procesin në vijë të dështimit të plotë. Ministria e Drejtësisë, si
bartëse e këtij procesi, ka shkaktuar polarizim të skajshëm në raportet Qeveri – Këshill Gjyqësor
të Kosovës dhe Këshill Prokurorial të Kosovës, si dhe ka nxitur akuza dhe kundër akuza
ndërmjet tyre, fakt ky që ka shkaktuar humbjen e besimit qytetar lidhur me një proces të
pavarur, të paanshëm dhe të drejtë të vetingut që mund ta kryejë Ministria e Drejtësisë. Idetë e
Qeverisë Kurti janë të orientuara drejt kapjes së institucioneve të drejtësisë, dhe me këtë të
shtrirjes së kontrollit të plotë në të gjitha sferat e jetës.
Qeveria Kurti nuk ka arritur të bindë as partnerët ndërkombëtarë se kjo Qeveri ka kapacitete, ka
vullnet dhe mbi të gjitha ka ide se mund të zhvillojë pastër dhe me kredibilitet këtë proces. Në
Raportin e Komisionit Evropian për Kosovë, të vitit 2021, lidhur me nismën e Qeverisë Kurti

për veting të tërësishëm të sistemit të drejtësisë thuhet: "ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë
prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse dhe paraqet një burim shqetësimi serioz”.
Komunikimi me partitë opozitare, për një proces që domosdo kërkon ndryshime kushtetuese dhe
rrjedhimisht konsensus politik kosovar, është inekzistent. Meqë është i tillë, e vendosë gjithë
procesin e vetingut në buzë të kolapsit ende pa nisur mirë.

10. PANDEMIA
Menaxhimi pandemik i Kosovës është shënuar në faza me numrin më të lartë të infektimeve për
ditë dhe numrin më të lartë të vdekjeve për kokë banori – krahasuar me të gjitha vendet e
Evropës. Gjatë mandatit një vjeçar të kësaj Qeverie, mbi 1300 qytetarë të Kosovës kanë humbur
jetën; ndërkaq vetëm në shtator të vitit 2021, kanë humbur jetën 450 prej tyre. Në të njëjtën kohë
janë shënuar mbi 140 mijë raste të infektuar me Covid-19.
Aplikimi i masave pa koordinim me grupe te interesit dhe komuna ka ndikuar në rritjen e
vdekshmërisë gjatë muajve gusht – shtator 2021.
Në periudhë të vdekjeve të larta, mbylljes ekonomike e paaftësisë implementuese të vendimeve
të ndërmarra, Qeveria e Kosovës kishte asgjësuar mbi 133,000 vaksina – si pasojë e
mospërdorimit të tyre.
Kriza e pandemisë ishte përcjellë me menaxhim të dobët e shpeshherë dhe skandaloz të
kapaciteteve humane e fizike në sektorin e shëndetësisë. Vetëm në kohë të pandemisë, gjatë vitit
të shkuar, mbi 500 pjesëtarë të personelit shëndetësor ishin larguar nga puna. Të njëjtit ishin të
përgatitur dhe me eksperiencë për ballafaqim me COVID-19. Po në këtë periudhë, Qeveria Kurti
kishte zvogëluar shtesat prej 250 eurove për personelin shëndetësor.
Në këtë periudhë, Qeveria e Kosovës ka dështuar plotësisht të implementojë masat e kontrollit në
vend, duke lejuar grumbullimin e masave dhe shpërndarjen e virusit gjatë gjithë vitit. Masat
shabllone, të kufizimeve në orar, pa ndonjë matje e analizë në rezultat të tyre, ishin tipike për
këtë Qeveri.
Gjendja në sektorin shëndetësor vazhdon të jetë e rënduar. Vetëm në vitin 2021, 159 mjek e kanë
lëshuar Kosovën, ndërsa këtë vit vetëm për 1 muaj edhe 45 mjek të tjerë kanë ikur nga vendi.
Ngecjet në plotësim-ndryshim të statutit të SHSKUK si dhe mosavancimi në procesin e
plotësim-ndryshimit të ligjit për shëndetësi, po e thellojnë dështimin e kësaj qeverie të paaftë.
Deri më tani, asnjë hap nuk është ndërmarrë në themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore;
e spitalet e Kosovës vazhdojnë të mbesin me mungesë të theksuar të barnave nga lista esenciale.

11. STAGNIMI EKONOMIK
Për një vit të plotë qeverisje, Qeveria Kurti nuk ka arritur as të portretizojë e edhe më pak të nisë
edhe një projekt të vetëm madhor kapital. Mungesa e projekteve kapitale, të përmasave
transformuese, nuk është e paraparë as në Buxhetin e vitit 2022 e as në Kornizën Afatmesme të
Shpenzimeve. Kjo mungesë shpërfaqë më së miri mungesën e ambicies dhe vizionit që kjo
Qeveri ka për Kosovën. Ajo mjaftohet me shpërdorime shifrash, e akte ekonomike simbolike, për
të pasqyruar një zhvillim “të pashembullt ekonomik’.
Mungesën e projekteve kjo Qeveri ka provuar ta zëvendësoj me numra fiktiv, kryesisht duke
krahasuar zgjerimin ekonomik postpandemik me vitin 2020; vitin e mbylljes së plotë ekonomike
e shoqërore të Kosovës.
Përgjatë vitit të shkuar, Kosova ka vazhduar të shënojë rritje alarmante të importeve, të cilat,
përherë të parë në historinë e Kosovës, arrijnë shumën prej 4.7 miliardë eurosh në vit. Së
këndejmi, është rritur edhe deficiti tregtar, i cili ka arritur rreth 4 miliardë euro.
Ndonëse kjo shumicë e tanishme e kishte si kauzë të përhershme barazinë tregtare me Serbinë,
vetëm gjatë vitit të parë të qeverisjes së tyre, importet nga Serbia janë rritur nga 174 milion euro
që ishin në vitin 2020, në 305 milion euro në vitin 2021.
Përtej rritjes së kostos së jetesës, me tregues alarmant të inflacionit që afrohen në numra
dyshifror këtë vit; në mungesë të masave efektive të Qeverisë që zbusin përballueshmërinë; në
mungesë të investimeve të mëdha kapitale që transformojnë vendin tonë, ky vit qeverisës është
karakterizuar me shkurtim të investimeve kapitale në nivel lokal – si rrjedhojë e hakmarrjes
politike të pushtetit ndaj komunave të humbura nga ta.
Qeveria e Kosovës – si me çdo temë tjetër ku është përfshirë – ka dështuar të ndërtojë edhe
konsensusin social rreth pagës minimale në vend. Aty ku duhej bashkëpunim, kjo qeveri ka
krijuar konflikte me sindikata e grupe të interesit; duke sulmuar shpesh dhe pavarësinë
funksionuese të tyre.
Vonesat tjera në shpërndarjen e subvencioneve, me theks të veçantë në bujqësi, kanë dëmtuar
rëndë bujkun kosovar dhe nivelin e prodhimtarisë në vend.
Ky stagnim shoqëror e ekonomik, i përcjellë me dëshpërimin politik, ka prodhuar një gjendje të
re të ikjes masive nga Kosova. Matjet e opinioneve publike në vend japin shifra alarmante sa i
përket gatishmërisë së qytetarëve tanë për të ikur nga Kosova. Në matjet e muajve të parë të vitit
2022, rezulton që mbi gjysma e qytetarëve kosovarë, konsiderojnë largimin nga vendi. Vetëm në
muajt dhjetor 2021 dhe janar 2022, në ambasadën gjermane në Prishtinë, kanë aplikuar për vizë
pune mbi 105.000 qytetarë. Interesim të madh për viza pune ka edhe në ambasadat e vendeve të
tjera.
Ky numër alarmant është refleksion i dëshpërimit kolektiv me gjendjen e tanishme politike,
ekonomike, shoqërore në Kosovë – gjendje e ushqyer në vazhdimësi nga një qeverisje arrogante
dhe braktisëse e nevojave të qytetarëve tanë.

12. SULMI NDAJ MEDIEVE DHE JOTRANSPARENCA
Qeveria Kurti ka zgjedhur që në vend të informimit të opinionit publik përmes medieve, të filloj
një luftë të ashpër kundrejt tyre. Kjo e paparë më herët në vendin tonë, ndërsa praktikë e njohur
për vendet me demokraci të brishta.
Qeveria, luftën e saj me medie, e ka zhvilluar në të gjitha frontet, e me të gjitha mjetet, madje pa
kursyer edhe seancën solemne të 17 shkurtit, nga ku mediet i ka akuzuar si të lidhura me agjenda
dashakeqëse për vendin tonë.
Gazetarët dhe mediumet në Kosovë përballen me probleme të mëdha. Kërcënimet, shantazhet e
madje edhe sulmet fizike janë bërë përditshmëri për punën e tyre. Fatkeqësisht e gjithë kjo klimë
është ushqyer vazhdimisht nga Qeveria Kurti.
Rrjedhimisht, me këtë qasje ndaj medias, qeveria Kurti karakterizohet edhe me mungesë të
transparencës. Çështjet me interes të lartë publik kanë qenë të mbyllura hermetikisht për
publikun. Pa e përjashtuar edhe mungesën e Raportimit në Kuvendin e Kosovës mbi çështjet e
rëndësishme, përfshirë këtu edhe dialogun.
Numri tejet i vogël i konferencave për medie nga kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar janë
faktorë tjetër i mungesës së transparencës. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur
shqetësimin e tij lidhur me numrin e vogël të konferencave për shtyp, e mosgatishmërinë e
Qeverisë që t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, e të cilat janë me interes për publikun.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera