Lajme

A mund të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë?

Autori: Gazeta inFokus 14:56 | 03 August 2024

Data 26 janar e vitit të ardhshëm u vlerësua si më e përshtatshmja për t’u mbajtur zgjedhjet parlamentare nga tri partitë opozitare në takimin e thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Por, po konsiderohet se ende ekziston mundësia për zgjedhje të parakohshme

Lidhur me këtë, njohësi i rrethanave kushtetuese, Mazllum Baraliu dhe analisti politik, Fidan Ukaj kanë mendime të ndryshme.

-Advertisement-

Baraliu thotë se tashmë jemi brenda afateve kushtetuese dhe ligjore sa i përket mbajtjes së procesit zgjedhor dhe se nuk mund të veprohet jashtë tyre

Sipas tij, propozimet njëzëri për shpalljen e datës së zgjedhjeve nga subjektet politike që kanë peshë në parlament, duhet të merren në konsideratë nga presidentja e vendit.

“Ashtu çfarë atyre iu intereson dhe si iu konvenon më shumë, por ajo datë që është propozuar nga tri subjektet politike, që kanë peshë në parlament dhe janë subjekte parlamentare faktikisht, në qoftë se pranohet edhe nga të tjerët mendoj që do të duhej të merret në konsideratë nga presidentja e vendit me rastin e caktimit të datës dhe marrjes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve…Për mua mendoj që do të ishte ashtu siç është përcaktuar me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me kushtetutë. Meqë zgjedhjet kanë qenë më 14 shkurt, atëherë do të duhej në përputhje me mandatin, ashtu siç thotë ligji 60 ditë më herët dhe 30 ditë më së voni, të mbahen zgjedhjet dhe të mësohemi të respektojmë afatet ligjore dhe ligjet në fuqi…02:19 Unë mendoj që jashtë afateve kushtetuese tashmë nuk mund të veprohet dhe ne tashmë jemi brenda afateve kushtetuese dhe ligjore, ato thonë që zgjedhjet duhet të caktohen nga presidentja e vendit në konsultim me subjektet politike paraprakisht. Më së hershmi gjashtë muaj para afatit për tu mbajtur zgjedhjet dhe katër muaj më së voni”, thotë Baraliu.

Ndërkaq, Baraliu e quan papërgjegjësi dhe shkarje mospjesëmarrjen e partisë në pushtet LëvizjesVetëvendosje në takimin e mbajtur mes krerëve të partive opozitare dhe presidentes Osmani.

“Është papërgjegjësi dhe është një shkarje që nuk do të duhej t’i ndodhte. Lëshim pra, më thjeshtë partisë më të madhe, e cila e ka fituar mbi 50 për qind bashkë me listën Guxo pushtetin dhe qeverisjen. Sepse, respektimi reciprok i institucioneve nënkupton shkallë të lakmueshme të demokracisë dhe pjekurisë politike dhe shtetërore. E kundërta nënkupton se nuk jemi pjekur sa duhet për të bërë shtet”, potencon Baraliu.

Në anën tjetër, mospjesëmarrjen e LVV-së në këtë takim, analisti politik, Fidan Ukaj e konsideron taktikë të kryeministrit Kurti për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në nëntor të këtij viti.

Sipas tij, kjo mospjesëmarrje, refuzimi i datës 26 janar si mundësi e mbajtjes së procesit zgjedhor dhe aludimi nga deputetë të partisë në pushtet për data optimale, janë përpjekje të gjetjes së argumenteve nga kryeministri Kurti për të dhënë dorëheqje.

“Dëgjuam edhe kundërshtimin e datës 26 janar dhe në anën tjetër dëgjojmë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët flasin për vjeshtën e vonshme si një datë optimale për mbajtjen e procesit zgjedhor. Mendoj se ky taktizim i kryeministrit, mospjesëmarrja me partitë politike, kundërshtimi i datës 26 janar e në anën tjetër kur dëgjojmë deputetë që janë të rreshtit të parë në Kuvendin e Kosovës, që vijnë nga LVV-ja duke aluduar për data optimale, fundin e vjeshtës apo nëntorin, mendoj se nuk është diçka që nuk është diskutuar brenda LVV-së e që me dakordim po bëhet ky taktizim, që me gjasë kryeministri të prodhojë zgjedhje të parakohshme, me pretekstin se kushtet klimatike, po ashtu logjistike është me favorshme të mbahen zgjedhjet në vjeshtën e vonshme…Është edhe një mundësi tjetër, dhënia e dorëheqjes së kryeministrit. Ai ndoshta po mundohet ose po provon ta gjejë një argument që të jap dorëheqje”, thotë Ukaj.

Përveç kësaj, Ukaj thotë se propozimi i Kurtit për të dërguar në takim, nënkryetarin Glauk Konjufca, ka qenë i qëllimshëm, ngase sipas tij ka qenë e ditur se do të refuzohej nga presidentja Osmani.

“Kjo mospjesëmarrje në takim, sepse kryeministri e ka ditur qartë se presidentja i ka ftuar krerët, kryetarët e partive politike dhe mendoj se dërgimi i nënkryetarit, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka qenë e qëllimshme nga ana e kryeministrit. Ai e ka ditur saktë se takimi është i thirrur në nivel kryetarësh dhe e ka ditur se dërgimi i nënkryetarit do të ketë refuzim”, potencon Ukaj.

Më 31 korrik të këtij viti, është mbajtur një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive opozitare, përfshirë PDK, LDK, AAK, si dhe disa partive të tjera më të vogla.

Ndërkohë, mosprania e kryeministrit Albin Kurti në këtë takim është shpjeguar me faktin se ai ishte angazhuar në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë në atë periudhë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në vend janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera