Lajme

Qeverisë Hoti i kanoset një rrezik i madh nga këto dy subjekte politike

Autori: Gazeta inFokus 21:54 | 25 April 2020

Partia e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ishte Lëvizja Vetëvendosje, e që më pastaj u bë koalicioni mes LVV dhe LDK të cilin shumica e quajtën ‘koalicion i shpresës’, nuk është më.

Kjo për vetë faktin sepse vetë partia partnere në koalicion LDK ngriti mocion mosbesimi ndaj “vetvetes” dhe atë në kohë pandemie, mocion ky që shkoi deri në vend.

Tashmë, siç po duket Qeveri të re do të kemi dhe atë shumë shpejtë, qeveri me partinë e dytë që është LDK mirëpo që do të jetë në koalicion me AAK, NISMA, AKR dhe minoritetet, pasi shumica e partive politike nuk janë për zgjedhje të reja, duke përjashtuar Vetëvendosjen.

-Advertisement-

Lista Serbe, pavarësisht se kush do të jetë në qeveri ajo do të jetë pjesë e saj pasi që është e shkruar edhe në Kushtetutë.

Ndërsa e vetmja parti e cila është deklaruar që do të rrijë në opozitë, është Partia Demokratike e Kosovës.

Ajo duke bërë zgjedhjen e saj, ka deklaruar se as nuk do të bëjë koalicion me VV as nuk do të hyjë në qeveri të re.

Mirëpo analistët vlerësojnë se, Partia Demokratike e Kosovës me gjasë do të presë situatë më të favorshme për të kërkuar zgjedhje.

Zogaj: Nga LVV dhe LDK ishte e pamundur të krijohej një koalicion për qeverisje normale

Analisti Skënder Zogaj për “Bota sot” thotë se, situata është mjaft konfuze sepse që nga fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, elektorati është tempuar me një pretendim të rrejshëm elektoral që pretendonte një qeverisje të re, ndryshe nga ajo që ishte.

“Mirëpo vota e popullit nuk i shërbeu këtij qëllimi sepse, vota u shkapërderdh si mos më keq, duke nxjerrë 3 parti të mëdha diametralisht të kundërta, nga të cilat ishte e pamundur të krijohej një koalicion për qeverisje normale”, shprehet Zogaj.

Sipas tij, elektorati i traumatizuar i Kosovës nuk mund ta perceptonte se, rezultati zgjedhor nuk ishte i volitshëm për krijimin e një qeverie të mirëfilltë dhe të qëndrueshme. Prandaj ishte vetëmashtrim që koalicioni LVV – LDK u konsiderua si qeverie e ndryshimit. Nuk ishte dhe u vërtetua pas 50 ditësh kur ndodhi shkatërrimi.

“Tash, prapë partitë politike janë në pikën fillestare: duhet të krijojnë një koalicion qeverisës me arrnime! LDK i duhen shumë më tepër se sa AAK-ja,Nisma, AKR-ja! Gjithsesi që pakicat i duhen! Por, me këtë rast mbetja në opozitë e LVV-së dhe PDK-së, paraqet shumë rrezik për qeverinë e re! Këtë e ka parasysh PDK-ja e cila po deklaron se refuzon koalicionin me LVV dhe LDK! Nuk mendoj se PDK-ja e ka serioz këtë refuzim, sepse, mbetja jashtë e dëmton shumë këtë parti, ndonëse edhe hyrja në koalicion mund të jetë veprim i gabuar”, përfundon Zogaj.

Lepaja: PDK dëshiron të mbetet pretendente për të formuar qeverinë e ardhshme

Edhe analisti Fadil Lepaja thotë se, çdo koalicion, deri tash, me përjashtim të këtij të fundit VV-LDK është varur pak a shumë edhe nga komunitetet. Duket se ky ka qenë një fakt që e ka penguar shumë Serbinë, dhe futja në bisedime pa kushtin serb për ta ka qenë i padëshirueshëm.

Ai thotë se, PDK-ja, nuk ka dashur të futet në koalicion, pasi ajo nuk dëshiron të bëhet një plotësim i asnjë partie dhe dëshiron të mbetet pretendente për të formuar qeverinë e ardhshme.

“Sidoqoftë PDK në opozitë është përpjekur të rikonsolidohet, dhe futja në një koalicion të tillë do të nënkuptonte që Thaçi rikthehet si lider i saj, dhe do të ishte instrument i Thaçit në qeverinë e ardhshme. Gjithashtu ekziston rezerva evropiane, në PDK, dmth, ideja se Kosova duhet të jetë e afërt edhe me BE, dhe se një marrëveshje pa Evropën është vështirë e realizueshme”, thekson Lepaja.

Më tej shton se, si do të rrjedh ky proces mbetet të shihet, por kjo gjithsesi është sfidë edhe për Gjykatën kushtetuese, edhe për BE, si presedan i përjashtimit të saj nga një proces i dialogut mes anëtarëve që pretendojnë të jenë pjesë e BE.

“Duke e pasur parasysh thirrjen e SHBA për Italinë që të lerë BE dhe doktrinën Trump e cila parashe, me shumë gjasë, një Evropë ndryshe, atëherë krejt kjo e sfidon edhe orientimin Europian të Kosovës. sidoqoftë, mbetet të shohim se si do të gjinden liderët kosovarë në këto rrethana të pa krijuara nga ata, por që janë pjesë e marrëdhënieve të ndryshuara ndërkombëtare”, përfundoi Lepaja.

Burjani: PDK do të presin një situatë të favorshme për të kërkuar zgjedhje të reja

Kurse, Blerim Burjani njohës i çështjeve juridike thotë se, koalicioni do të ishte më së miri të arrihet me votat shqiptare dhe te minoriteteve tjera për shkak se Listës Serbe nuk dihet asnjëherë, pra nuk i dihet veprimeve që marrin dhe janë të varur nga Serbia.

Ai thekson se, për ata vendos Serbia se a do të votojë a jo qeverinë e re.

“Qeveria është me rëndësi të funksionoi së paku gjatë kësaj periudhe të pandemisë, deri më tash ende nuk dihet se si do të votoi Lista Serbe, por LAN kanë vendosur të bëjnë qeveri, përderisa PDK ka thënë se nuk do ta votoi këtë qeveri dhe se ata do të presin një situatë të favorshme pa pandemi për të kërkuar zgjedhje të reja”, shprehet Burjani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera