Lajme

Këshilltari i Shpend Ahmetit rrezohet nga testi i vozitjes

Autori: Gazeta inFokus 15:05 | 24 November 2018

Gëzon Kastrati, këshilltar i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk e ka kaluar testin e vozitjes.

Duket se kjo e ka mllefosur Kastratin, i cili ka akuzuar instruktorët si të korruptuar pasi e nuk e lejuan ta kaloj testin pa marrje të ryshfetit. Nuk e ka përmendur asnjë emër.

Kastrati në një shkrim në Facebook tha se ishte mësuar që të dëgjojë se testin vozitjes nuk mund ta kalosh me të parën herë pa dhënien e disa të parave, mirëpo ai e ka ndarë këtë eksperiencën me të gjithë pasi u bë pjesë e saj.

-Advertisement-

Ai tregon gjithë përvojën e tij, duke thënë se është rrezuar pikërisht për shkak se nuk ka dhënë ryshfet.

Shkrimi i plotë i Kastratit:

Po e ndaj me ju një përvojë shumë të hidhur dhe zhgënjyese që pata sot në testin praktik për patentë shoferi.

Pas arritjeve të mjaftueshme në testin teorik, sot pata të caktuar testin praktik. Gjatë ditëve të fundit, në përgatitje e sipër për këtë testim, në diskutime me njerëz të ndryshëm e kuptova që ekziston një kulturë e përgjithshme e te kuptuarit sesi mundesh me “kry” këtë test. Pothuajse të gjithë njerëzit që janë sfiduar në ketë proces, tash e një kohë ma thonin të njëjtën gjë: “Kryje me pare, sepse shumica të rrëzojnë sidomos herën e parë edhe nëse nuk bën gabime”.

Me thënë të drejtën, nuk e mora këtë gjë parasysh.

Fatkeqësisht një gjë të tillë e vërtetova sot, meqë u provova vet.

Po e filloj shpjegimin e ngjarjes duke treguar që terminin për testim e kisha në orën 09:00. Tre persona të tjerë që ishim bashkë e kishin nga ora 09:30, 10:00 e tutje. Para se të fillonte testimi për ne të katër, nga një person (relativisht i afërt) u njoftova se cili do të jetë vlerësuesi im (ekzamineri) dhe se “nese dojmë mund ta kalojmë sigurt nëse i japim para, e korruptojmë”. Decitivisht më tha, pa u kursyer, pa rrotulla. Normalisht që përgjigjja ime ishte: “nuk ka shancë”. Nuk do ta përmend emrin e personit në fjalë duke besuar që nuk është fare i përfshirë, mirëpo e njeh goxha mirë sesi funksionon organizimi aty.

Në testim praktik u futa në orën 12:09, sipas Raportit të Ekzaminerit, edhe pse edhe në atë kohë diskutonte që të shkojë në drekë, e sigurisht të kthehej pas një ose dy orësh. Megjithatë e “sakrifikoi” kohën e drekës për çka i jam shumë shumë “falenderues”. Pavarësisht kësaj, në pritje e sipër, të tre këta persona që ishin me mua, hynë para meje në testim, edhe pse secili prej tyre për nga termini ishte më vonë se unë në kohë. Fatmirësisht, apo fatkeqësisht të tre këta e kaluan këtë testim praktik. Edhe pse nuk i njihja fare personalisht, me dy nga ta nuk më ra të diskutoj dhe nuk dua të paragjykoj se a e kanë “kryer me pare”, shpresoj që jo. Mirëpo me të tretin, meqë mbetëm dy të fundit për testim dhe patëm më shumë kohë për diskutime e kuptova sigurtë që kishte dhënë ryshfet, e kishte kryer “obligimin”.

Ja që pata fatin, u bë më në fund ora 12:09 dhe fillova testin praktik (sigurisht, mungesa e ryshfetit).

E di që në kulturën tonë është i theksuar shfajësimi i vetes apo fajësimi i tjerëve për secilën sfidë që nuk arrijmë ta tejkalojmë. Gjithashtu jam i vetëdijshëm që gjatë gjithë ushtrimeve me instruktorin e autoshkollës bëja shumë gabime nga pakujdesia dhe këtë e kisha shqetësimin kryesor.

Por, gjithashtu edhe unë edhe instruktori i autoshkollës ishim të bindur që në testim isha shumë i kujdesshëm dhe me shumë pak gabime, definitivisht aq sa janë të tolerueshme.

Para fillimit të testimit e kuptova që maksimalisht janë 7 ‘gabime të lehta’ që tolerohen (e shkruar edhe në ‘Raportin e testimit praktik’). Asnjë ‘gabim i rëndë’ nuk tolerohet dhe as përsëritja për 3 herë gjatë testimit e ‘gabimit të lehtë’ të njëjtë. Gjithsesi unë isha shumë më i kujdesshëm sesa të bëjë më shumë sesa 7 ‘gabime të lehta’, e aq më pak përsëritje për 3 herë të të njëjtit gabim apo të ndonjë gabimi të rëndë.

Pavarësisht ngasjes sime, sigurisht pse nuk kam dhënë ryshfet, Ekzamineri, Bashkim Islami, më shkroi 8 ‘gabime të lehta’, minimalisht sa për të mos e kaluar këtë test (vetëm një gabim më shumë, sa për të mos kaluar). Jam i vetëdijshëm që 2 gabime i kam bërë gjatë ngasjes dhe do të mund t’i pranoja edhe dy të tjera të dyshimta. Edhe pse sigurisht nuk ishte faji im për to, megjithatë do të isha në rregull për një vlerësim të tillë.

Gabimet që z. Bashkim Islami i evidentoi janë si në vijim:

1. 1 gabim ‘Planifikimi paraprak’

2. 1 gabim ‘Vështrimi prapa, anash, këndi i vdekur’

3. 1 gabim në ‘Të drejtuarit, ndalja, parkimi’

4. 2 gabime ‘Vrojtimi, kujdesi (ndaj pjesëmarrësve të tjerë)’

5. 2 gabime ‘Rreshtimi, kthimi majtas, djathtas’

6. 1 gabim ‘Frenim i vrullshëm’

Një gabim ‘Planifikimi paraprak’, një gabim ‘Vështrimi prapa, anash, këndi i vdekur’, 2 gabime ‘Vrojtimi, kujdesi (ndaj pjesëmarrësve të tjerë)’ dhe 2 gabime ‘Rreshtimi, kthimi majtas, djathtas’ janë krejt të sajuara edhe pse të “interpretueshme” dhe për të vërtetuar këtë do të bëjë Ankesë në Ministrinë e Infrastrukturës ku është departamenti për patentë shofer. Fatmirësisht gjatë testimit Ekzaminerët janë të obliguar të vënë kamera për inçizim gjatë gjithë testimit. Edhe pse nuk pres që vlerësuesit e ankesës (Ministria e Infrastrukturës) të bëjnë ndonjë shqyrtim korrekt për vlerësuesin e testimit (Ekzaminerin) gjithsesi do ta ndjek deri në fund këtë proces.

Tregimi i përvojës sime nuk ka të bëjë fare për arsyetim e as për të treguar një të padrejtë që jam i bindur që më është bërë. Përkundrazi, tregimin tim e shpjegova për të treguar që janë një pjesë shumë e madhe e njerëzve që detyrohen të paguajnë para për tu pajisur me patentë shoferi, pavarësisht a dinë mjaftueshëm në ngasje apo jo.

Në fund, gjëja më e rëndësishme në krejtë këto fenomene do të ishte sikur drejtësia të hetonte këtë departament (edhe shumë të tjerë). Jo vetëm për të larguar njerëzit e korruptuar nga institucionet, por ç’është më e rëndësishmja, të mos bëhet normë e vlerë në shoqëri dhe e vetmja mundësi për të kryer çdo punë.

Meqë pritshmëritë ndaj institucioneve të drejtësisë i kemi shumë të vogla si shoqëri, për këtë sferë dhe të gjitha sferat e tjera e kemi obligim si qytetarë të raportojmë për çdo aferë, e gjithsesi këtu kontribut të madh mund të luajnë media të ndryshme investiguese.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera