Lajme

Komisioni Evropian kërkon nga politika të mos ndërhyj në hetimet për veteranët e rrejshëm

Autori: Gazeta inFokus 12:37 | 11 September 2018

Elez Blakaj, njeriu që ishte duke hetuar rastin e rreth 20 mijë veteranëve të rrejshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dhënë dorëheqje nga posti i prokurorit me datë 13 gusht 2018, pas presioneve të shumta që ka thënë t’i jenë bërë gjatë punës së tij, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë i gjithë ky skandal ka nxitur reagime të mëdha në vend, dhe si i tillë nuk ka kaluar pa rënë edhe nën llupën e institucioneve ndërkombëtare.

Në një përgjigje të Komisionit Evropian për Gazetën Express, thuhet se ata po e ndjekin me vëmendje rastin.

-Advertisement-

“Komisioni Evropian është i vetëdijshëm për rastin dhe po e ndjek me vëmendje  pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Sipas tyre, një gjë e tillë është shumë e rëndësishme për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Pavarësia e gjyqësorit dhe sundimi i ligjit janë me rëndësi vendimtare në procesin e liberalizimit të vizave”, vazhdon përgjigja.

Vazhdimi i hetimeve për listat e veteranëve të rrejshëm, sipas Komisionit Evropian duhet të kryhet në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje të politikës.

“Vazhdimi i hetimeve duhet të kryhet pa ndërhyrje dhe ndikim politik”, është përgjigja e Komisionit Evropian dhënë Gazetës Express.

Lidhur me vazhdimësinë e hetimeve për veteranët e rrejshëm ditë më parë ka folur prokurori Sylë Hoxha, i cili për REL ka thënë se aktakuza e lënë përgjysmë nga Blakaj do të plotësohet dhe për personat të cilët e kanë fituar kundërligjshëm statusin e veteranit do të propozohet t’u ndalohet pagesa.

“Aktakuza nuk ka qenë e kompletuar nga prokurori Elez Blakaj. Kjo aktakuzë do të plotësohet, dhe në atë plotësim të aktakuzës në rastin e dorëzimit, do të kërkohet nga gjykata një gjë e tillë. Pra, Prokuroria ia propozon gjykatës pezullimin e atyre pagave të veteranëve për ata njerëz, të cilëve nuk iu takon”, kishte deklaruar Hoxha.

Pas dorëheqjes së Elez Blakajt ai që kishte reaguar më së ashpri ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj, duke e fyer Blakajn me fjalët ‘hajn’ dhe ‘pishpirik’.

Haradinaj kishte thënë se Blakaj ka gënjyer kur ka thënë se është kërcënuar në lidhje me këtë rast. Sipas tij, Blakaj ka shkuar në Amerikë vetëm për magjistraturë dhe s’ka pasur kurrfarë kërcënimi ndaj tij.

“Ku është ai? Ka shkuar në Amerikë në magjistraturë. Është dashur të shkojë në gjykatë e t’ia vë firmën. Rrenë është puna e kërcënimeve sepse po të ishte ashtu, as Azem Syla, as Sylejman Selimi, as Sami Lushtaku, as Daut Haradinaj s’kishin me hi në burg qe dhjetë vjet. Kjo është rrenë. S’ka pas kurrfarë kërcënimi. Kur kanë gjetur vepra kriminale, kanë përfunduar njerëzit në burg. Edhe mua po t’ma jepnin një magjistraturë, shkoj sot në Amerikë. Të gjithë prokurorëve edhe gjyqtarëve e kujt t’i thuash e keni një program master në Amerikë, krejt shkojnë. Kush ka dashur të kryejë punë në Kosovë, ka mundur të kryejë punë. S’ka qenë i kërcënuar që të mos punojë. Kush hyn në paragjykime e budallaki të veta e dëshiron ta mbulojë veten me veprime, le ta bëjë, por s’është ashtu sepse çka bëhet pastaj me prokurorët tjerë, a krejt duhet të ikin a?”, kishte deklaruar Haradinaj.

Haradinaj i kishte kërkuar prokurorit tashmë të dorëhequr Elez Blakaj, një raport me shkrim për rastin dhe ia kishte kufizuar kohën e hetimeve, gjë që është konsideruar si skandaloze dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në drejtësi.

Ndërkohë Blakaj në letrën e dorëheqjes së tij kishte treguar se si edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi e kishte ftuar urgjentisht në zyrën e tij për t’i kërkuar llogari se pse e kishte intervistuar për rastin e veteranëve të rrejshëm edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

“A është dashur t’i lajmëroj këto raste, përgjigja është pooo…., por KU!!! Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”…. Po ashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nëse nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor… ndërsa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgom mua, se kam problem fare”. Kishte shkruar Blakaj në letrën e dorëheqjes.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera