Lajme

Qeveria pagoi edhe për faturat e humbura të këshilltarit të Thaçit

Autori: Gazeta inFokus 19:34 | 18 August 2018

Lirim Greiçevcit, ish këshilltarit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i kishin humbur faturat e shpenzimeve në udhëtimin e tij në Londër.

Në dosjen e faturave të Greiçevci shkruhet se ai ka qëndruar një natë para Vitit të Ri në Londër së bashku me Petrit Selimin dhe atje kishin disa takime të rëndësishme.

“Jeni të ftuar për takime zyrtare në Londër më datën 28 deri 30 dhjetor [2011]. Takimet janë bilaterale dhe multilaterale me përfaqësues dhe këshilltarë zyrtarë të Qeverisë më integrimet evropiane, dialog dhe pjesëmarrje në organizata multilaterale. Më 28 kemi darkë solemne me eurodeputetë, redaktorë dhe pjesëtarë të skenës politike britanike”, i kishte shkruar ish zëvendësministri Petrit Selimi, ish këshilltarit të Thaçit, Lirim Greiçevci, shkruan Kallxo.com.

-Advertisement-

Sipas tij, arsyeja e takimeve është planifikimi i aktiviteteve për vitin 2012.

Për shpenzime të fjetjes ish këshilltari i Thaçit, i cili deri tash ka qenë Ambasador i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Greiçevci ka shpenzuar 310 euro, ndërsa mëditje për dy ditë ka marrë 323 euro. Në total 632 euro.

Por, ish këshilltarit të Thaçit i kishte humbur ‘fasiklla’ gjatë këtij udhëtimi. Madje ai nuk kishte fjetur as në hotel, por te disa miq meqë hoteli ishte i shtrenjtë.

“Gjatë dy takimeve, përkatësisht udhëtimeve zyrtare të z. Lirim Greiçevci, atë më datën 8-12 shtator 2011 në Vjenë dhe në Londër 28-30 dhjetor 2011 z. Greiçevci ka humbur fasikllën me dokumentet e tij personale ku kanë qenë edhe faturat e hoteleve. Ne kemi bërë kërkesë për dërgimin e kopjeve të faturave nga hotelet në fjalë”, thuhet në arsyetim.

“Gjithashtu gjatë udhëtimit në Londër, hoteli ka qenë shumë i shtrenjtë dhe zëvendësministri i MPJ-së bashkë me z. Greiçevci më datën 29 dhe 30 janë akomoduar tek disa të njohur të tyre për të mos paguar shumën aq të shtrenjtë të hotelit”, i kishte shkruar Abelard Tahiri.

Por, një faturë e hotelit e datës 28 dhjetor është e bashkangjitur, ndërsa për dy netët tjera që  Greiçevci kishte fjetur tek të afërmit e tij, i është paguar mëditja për ditët e qëndrimit në Londër.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera