Sport

Mesazhi i presidentit Agim Ademi para fillimit të Kampionatit

Autori: Gazeta inFokus 13:22 | 17 August 2018

Drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, gjyqtarë,  kontrollorë, vëzhgues, futbolldashës dhe gazetarë sportivë!

TË PUNOJMË SHUMË BRENDA, QË TA SHTOJMË PRANINË NË ARENËN NDËRKOMBËTARE

Nesër nis edicioni i ri i garave 2018/2019, ku maratona e skuadrave për më të mirin në futbollin e Kosovës merr rrugëtimin e vet. Ky do të jetë Kampionati i tretë që kur jemi pranuar në UEFA dhe FIFA dhe me këtë janë shtuar, privilegjet, detyrat  dhe obligimet. Viteve të fundit kemi konstatuar e vlerësuar se ka një përparim të madh në krahasim në të kaluarën, por kjo nuk na jep të drejtën e vetëkënaqësisë, ndaj do të kërkojmë edhe më tej edhe më shumë përmirësime në të gjitha segmentet. Kështu që, ka ardhur koha e që veprimtarinë tonë ta kanalizojmë në përputhje me synimet, kërkesat aktuale dhe rrethanat e reja. Kjo vlen si për KE të FFK-së,  ashtu edhe për prijësit e skuadrave, futbollistët dhe adhuruesit, shkruan GazetaFokus.

-Advertisement-

Tash kur nga afër na sodit bota, jemi të obliguar edhe më shumë, të gjithë  të ndryshojmë shumëçka dhe të vëmë shumëçka në vend e në rend, nëse dëshirojmë të ecim në hap me të tjerët.

FFK-ja, në vazhdimësi por edhe në të ardhmen do të jetë vërtet një shtëpi ku do të ketë rend: do të jetë një shtëpi ku secili anëtar i saj të merr të drejtat e veta, por edhe përgjegjësitë edhe obligimet e tij. Së këndejmi FFK-ja është e vendosur për një punë me përkushtim në të gjitha segmentet duke u bazuar në cilësi e profesionalizëm. Do të punojë fuqishëm në zhvillimin e futbollit të Kosovës, duke qenë e bindur se bashkërisht arrihet gjithçka. Të punojmë shumë brenda, që ta shtojmë praninë në arenën ndërkombëtare.

Prijësit e skuadrave të jenë në nivelin e kërkuar dhe i inkurajojmë të vazhdojnë për rritjen e organizimit dhe funksionimin dhe do ta kenë mbështetjen e FFK-së çdo herë dhe në çdo kohë.

Trajnerët e futbollistët – të punojnë me zell e në mënyrë profesionale dhe suksesi i tyre të jetë rezultat i punës me përkushtim, të shtohet disiplina e të mbretërojë korrektësia dhe fryma sportive.

FFK-ja do të mbështesë gjyqtarët – që tashmë kanë shënuar ngritje, janë bërë pjesë e arenës ndërkombëtare të vazhdojnë me ritëm edhe më të shtuar dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen së garave.

Kërkojë që adhuruesit pa dallim gjinie e  moshe të vijnë në stadiume e të japin përkrahje idhujve  të tyre, të brohorisin dhe të duartrokasin  për më të mirin e kështu i japin ngjyrën e vërtetë sportit.

Mediat dhe gazetarët si segment i rëndësishëm  në zhvillimin e futbollit- të pasqyrojnë atë që shohin, kështu u shërbejnë të mirëve dhe të vërtetës, ndërkaq të padisiplinuarve ua tërheqin vërejtjen.

FFK-ja do të jetë gjithmonë e hapur me të gjithë dhe bashkëpunuese. Urojmë e besojmë që ky kampionat  të arsyetojë plotësisht punën e të gjithëve, me shpresa dhe dëshira të mëdha që do të gabojmë sa më pak, por që do të angazhohemi të gjithë për dashuri dhe mirëkuptim me ura të reja bashkimi, sepse sporti është sinonim i mendjes dhe shpirtit të shëndoshë.

Me fat e suksese të gjithëve.

Prishtinë, 17 gusht 2018

Me nderime

Agim Ademi, president i FFK-së

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera