Emërimet e kundërligjshme qeveritare
Autori: Gazeta inFokus 13:51 | 26 May 2018
Pavarësisht faktit se qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kishin marrëveshje me Ambasadën Britanike për të zgjedhur njerëz profesionistë në pozita të larta shtetërore, të dy institucionet e vendit nuk po e respektojnë memorandumin e nënshkruar.
Në rastet të cilat i ka monitoruar dhe hulumtuar Gazeta Jeta në Kosovë, del që në pjesën më të madhe të tyre, fjala e britanikëve nuk është dëgjuar fare, e qeveria ka emëruar kundërligjshëm anëtarë bordesh e sekretar të përgjithshëm nëpër ministri.
Në rastin e zgjedhjes së Guvernatorit, britanikët nuk ishin lajmëruar fare, e në rastin e Trepçës, ata ishin përjashtuar komplet.
Në Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ishin zgjedhur anëtarët me më së paku pikë në listë. Në Telekom kishin hyrë njerëz në listë edhe pasi e njëjta ishte dorëzuar në Qeveri.
Ndërsa në pozitat për sekretarë të përgjithshëm nëpër ministri janë emëruar njerëz politik, ani pse kjo pozitë është e para në hierarkinë e stafit civil.
Nga hulumtimi del se memorandumi i bashkëpunimit nga institucionet e Kosovës është shkelur disa herë.
“Prej fillimit kam thanë që suksesi i këtij projekti varet vetëm nga një gjë, vullneti politik, nga Qeveria dhe nga Kuvendi”, kishte thënë ambasadori britanik në konferencë, kur përfundoi memorandumi me qeverinë dhe kuvendin, i cili pritet të vazhdojë përsëri.
Por, nëpër çfarë procesi kaluan rekrutimet e bordeve dhe pozitave tjera të larta?
Gazeta ka veçuar të gjitha shkeljet që janë bërë nga institucionet e Kosovës në sy të britanikëve.
Trepça
Për bordin e Trepçës, i cili u emërua më 4 prill, qeveria kishte përjashtuar komplet Ambasadën Britanike nga procesi i rekrutimit. E pas kësaj, Qeveria kishte mbajtur sekret listën e anëtarëve të propozuar për anëtar bordi dhe emrat ishin bërë publik tek pas zgjedhjes së tyre nga ekzekutivi.
Ani pse Ligji për Trepçën ndalon që në Bordin Mbikëqyrës të gjigantit metalurgjik të emërohen anëtarë të partive politike e njerëz që kanë poste partiake, qeveria e Ramush Haradinajt emëroi kundërligjshëm njerëz partiakë në Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës”.
Haradinaj e njeh atë pjesë të ligjit që është shkelur, pasi duke u thirrur në ligj dhe në një opinion të Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte shkarkuar antarët e bordeve që ishin të afërt me LDK-në.
Nga gjashtë anëtarë të emëruar, të paktën gjysma e tyre janë politik, më saktë të afërt me PDK-në, AAK-në dhe Nismën.
Gazeta kishte gjetur se Ardian Syla, i emëruar si kryesues bordi, është i afërt me PDK-në. Esat Peci, i zgjedhur anëtar bordi ishte kandidat për kryetar të Mitrovicës nga AAK në zgjedhjet e 2017tës. Ndërsa Feriz Fetahu, poashtu i zgjedhur si anëtar bordi, ishte kandidat për asamble në Mitrovicë nga NISMA.
Telekomi
Përveç rasteve kur britanikët nuk janë lajmëruar fare, Gazeta JnK ka gjetur edhe shkelje të tjera ligjore që janë bërë në sy të britanikëve. Para se të votohej për bordin e Telekomit, Gazeta JnK kishte gjetur se listës së propozuar nga komisioni i ishin shtuar 6 emra në rrethana të pasqaruara. Fillimisht lista e cila ishte dorëzuar në qeveri kishte 12 emra, por, pasi i shkoi në Zyrën e Kryeministrit kjo listë u ‘zgjatë’ në 18 emra.
Gazeta kishte marrë vesh që në listë ishin shtuar: Naser Rusinovci, Flamur Keqa, Rafet Jashari, Valdrin Kasumaj, Shkelzen Ibrahimi dhe Skender Hoti. Rrjedhimisht në bord ishin zgjedhur edhe kandidatët nga lista e shtuar. Më saktë, Skender Hoti, i afërt me NISMA-n ishte njëri ndër gjashtë të zgjedhurit në bordin e Telekomit.
Gazeta kishte gjetur se qeveria e Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e britanikëve. Madje vetëm tre nga anëtarët e rinj të Bordit të Telekomit kanë marrë pikë të mjaftueshme për të hyrë në rrethin e ngushtë, sipas vlerësimit të britanikëve.
Gjashtë anëtarët e Bordit të Telekomit, të cilët u zgjodhën nga ekzekutivi janë: Besa Shatri, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Kransiqi, Suzana Andjelkoviç.
Rrjedhimisht katër nga gjashtë anëtarët e zgjedhur në Bordin e Telekomit, kanë lidhje shoqërore, apo të kaluar politike me partitë në pushtet.
Skënder Hoti ishte bashkëluftëtar me Fatmir Limajn dhe dëshmitar në rastin Bellanica. Ai e kishte pranuar për Gazetën JnK se ka shoqëri me kreun e Nismës.
Besa Shatri Berisha, është gruaja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha. Ajo kishte qenë në listën e ngushtë tek komisioni dhe britanikët, madje ishte njëra nga më të poentuarat. Por, Qeveria e Kosovës në rastin e Bordit të Telekomit dhe bordeve të tjera nuk i ka përzgjedhur personat më të poentuar. Por, në rastin e gruas së deputetit të AAK-së, ekzekutivi ka marrë parasysh poentimin maksimal.
Fidel Krasniqi, është anëtari tjetër i bordit të ri të Telekomit i afërt me partinë e kryeministrit. Në një postim të AAK-së në vitin 2013 në Facebook, thuhet se Krasniqi i është bashkuar kësaj partie si ekspert.
Ai i ka thënë gazetës që në AAK ka qenë i angazhuar vetëm si ekspert i jashtëm në kohën kur Besnik Tahiri kandidonte për Prishtinë.
Sead Ujkani, është anëtari tjetër i Bordit të Telekomit. Ai është mik i deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, djali i ish-kryetarit të Skenderajt. Gazeta Jeta në Kosovë kishte kontaktuar me Sead Ujkanin, i cili e ka pranuar që është mik me deputetin Mërgim Lushtaku, por ka mohuar ndikimin politik të tij.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë
Ngjashëm kishte ndodhur edhe me përzgjedhjen e Bordit të ZRrE-së, i cili pavarësisht se zgjidhet nga Kuvendit, rekomandimin me emra e mori nga Qeveria.
Të dy anëtarët e ri të ZRRE-së ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës Britanike. Por, pavarësisht se kishin pikë minimale, të afërt ne parititë në pushtet, ata u zgjodhën anëtar bordi.
Bëhet fjalë për Izet Rushitin dhe Selman Hotin. Rushiti ishte kandidat i AAK-së për kuvendin komunal në Ferizaj në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, ndërsa Hoti është i lindur në Carrallukë të Malishevës dhe mban të njëjtin mbiemër dhe vendlindje me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti.
Para se bordi të zgjidhej, gazeta kishte gjetur se Qeveria i kishte rekomanduar Kuvendit të Kosovës katër kandidatë për bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, dy prej të cilëve nuk i plotësonin kushtet për këtë pozitë.
Gazeta kishte gjetur se edhe personat që i kanë plotësuar kushtet kanë të kaluar të lidhur me partitë në pushtet, porse ligji për Zyrën e Rregullatorit nuk vendos kufizimet për personat politik.
Bekim Jakupi dhe Fadil Ismajli janë renditur të parët në listën e rekrutimit. Përkundër që i plotësojnë kushtet, ata kanë histori të lidhur me politiken, rrjedhimit me PDK-në.
Bekim Jakupi, në vitin 2013 ishte pjesë e Departamentit për Zhvillim Ekonomik në Kabinetin për Qeverisje të mirë të PDK-së për Prishtinën. Ndërsa Ismajli ka qenë ministër i zhvillimit ekonomik të Kosovës në qeverinë ‘Thaçi 2’.
Ambasada Britanike, si partner zbatues, i kishte rekomanduar komisionit vlerësues vetëm dy kandidatë, të cilët i kanë plotësuar kushtet e konkursit për të qenë drejtor të bordit të ZRrE-së, por rekomandimi i britanikëve kishte hasur në vesh të shurdhër.
Guvernatori i BQK-së
Guvernatori i Republikës së Kosovës ishte zgjedhur pa ‘aminin’ e Ambasadës së Britanisë së Madhe, në kundërshtim me Memorandumin e lidhur me Kuvendin e Kosovës. Madje britanikët as nuk ishin indormuar për këtë proces.
Zyra e kryeparlamentarit Kadri Veselit ‘fajin’ ia kishte lënë Ambasadës, e Sekretari i Kuvendit nuk dinte për vazhdimin e Memorandumit. Ambasada kishte thënë se pret që Kuvendi t’i njoftojë institucionet përkatëse në lidhje me Memorandumin.
Rrjedhimisht, i gjithë procesi i rekrutimit të guvernatorit ishte zhvilluar pa praninë e partnerit implementues, Ambasadës Britanike në Kosovë, e cila nuk ishte informuar fare nga institucionet e Kosovës se procesi i rekrutimit ka nisur. Bordi i BQK-së i kishte thënë Gazetës JNK se nuk e kishte idenë që ekziston një memorandum i tillë, ndërsa Kuvendi kishte dhënë dy përgjigje të ndryshme.
Sidoqoftë, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës kishte propozuar për guvernator të Republikës së Kosovës persona me të kaluar dhe të tashme politike.
Në mesin e të propozuarve për guvernator ishin edhe Besnik Bislimi, ish-deputet i Vetëvendosjes dhe Safet Merovci, ish-ministër në Qeverinë e Përkohshme dhe ish-këshilltar në qeveri.
KEK-u
Persona me të kaluar politike janë zgjedhur edhe në bordin e KEK-ut.
Gazeta kishte gjetur se në bordin e kësaj ndërmarrje njëri nga të emëruarit kishte qenë pjesë e partisë NISMA për Kosovën. Në këtë bord ka edhe persona që nëpër rrjetet sociale bëjnë fushatë për PDK-në.
Faruk Hajrizi, Gjelosh Vataj, Mehdi Pllashniku, Izet Ibrahimi, Fllanza Beqiri-Hoxha dhe Ilir Rama janë anëtarët e rinj të Bordit të KEK-ut.
Por, Izet Ibrahimi kishte qenë kandidat për kryetar të Drenasit në vitin 2013, me Iniciativën për Drenasin. E njëjta kishte kaluar në partinë Nisma për Kosovën, e cila aktualisht është në qeveri si pjesë e koalicionit PAN.
Por Ibrahimi ishte dorëhequr nga Nisma për Kosovën, në prill të vitit 2016, për shkak të mospajtimeve për koalicionin ndërmjet Nismës dhe AAK-së.
Rrjedhimisht, emërimi i Ibrahimit në bordin e KEK-ut është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjeve Publike, ngase ky ligj kërkon që anëtarët nuk duhet të kenë ushtruar aktivitet politik të paktën tri vite para datës së emërimit.
Një prej anëtarëve tjerë të zgjedhur si anëtar bordi, Gjelosh Vataj, i cili kishte qenë kryeshef ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina, dhe ishte shkarkuar nga kjo detyrë për shkak të shkeljeve ligjore që ishin gjetur nga një auditim i brendshëm në këtë ndërmarrje.
Anëtar tjetër i bordit të ri të KEK-ut është edhe Faruk Hajrizi, i cili më herët ka qenë kryeshef ekzekutiv i KUR “Mitrovica”. Hajziri gjatë punës së tij në krye të KUR Mitrovica mbahet mend për tentimin për të punësuar mikun e familjet, që ishte penguar nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Ky në profilin e tij në Facebook kishte shpërndarë fotografitë ku Kadri Veseli cilësohet si “lider i pamposhtur”.
Sekretarët e Përgjithshëm në MASHT dhe MTI
Praktika e njëjtë si nëpër borde është vazhduar edhe në emërimin e sekretarëve të përgjithshëm nëpër ministri, konkretisht në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë.
Qeveria e Kosovës kishte emëruar sekretar të Ministrisë së Arsimit, Ekrem Kastratin, i cili nuk ka treguar aftësi të mjaftueshme për këtë pozitë. Përveç kësaj, Kastrati i emëruar sekretar në ministrinë e udhëhequr nga Nisma, mandatin e kaluar ishte drejtor komunal në Malishevë, komunë e udhëhequr po ashtu nga Nisma.
Kjo ishte bërë pa pëlqimin e britanikëve dhe pa plotësim kriteresh.
Pavarësisht që ambasada britanike si partner në përzgjedhjen e pozitave të larta dhe komisioni vlerësues kishin dhënë rekomandim se asnjëri nga tre kandidatët nuk kishte dhënë rezultat të kënaqshëm, ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte propozuar emrin e Kastratit për këtë pozitë.
Kastrati është nga Malisheva dhe ka qenë drejtor i Administratës në këtë komunë që udhëhiqet nga Ragip Begaj nga Nisma për Kosovë. Në rrjetin social Facebook ka foto të Kastratit me ministrin e arsimit Shyqiri Bytyqin dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.
Ngjashëm kishte ndodhur edhe me emërimin e sekretarit e përgjithshëm në MTI. Qeveria kishte vendosur ta emër Burim Rrecajn sekretar në këtë ministri, ani pse ai nuk i kishte plotësuar kushtet dhe ishte i renditur i katërti në listën e vlerësimit.
Kundër këtij vendimi kishin reaguar edhe një grup i organizatave të shoqërisë civile.
“Në bazë të vlerësimit të kompanisë britanike dhe komisionit vlerësues, e vetmja kandidate e cila i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar sekretare e përgjithshme ishte Gentiana Islamaj, e cila deri në fund të janarit 2018 ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në MTI”, thuhet në reagimin e organizatave joqeveritare.
Shërbimi Korrektues i Kosovës
Ndër të paktat pozita ku institucionet e vendit kishin marrë parasysh rekomandimin e britanikëve në procesin e rekrutimit për drejtor të SHKK-së.
Rasim Selmani, Enver Rrustemi, Nehat Thaçi, Burim Buleshkaj dhe Driton Bajramaj ishin pesë kandidatët që synuan postin e drejtorit të burgjeve të Kosovës, por duhej rekomanduar tre emra.
Nehat Thaçi ishte vlerësuar, si nga paneli ashtu edhe nga britanikët si kandidati më i mirë në këtë pozitë , në pozitën e dytë ishte vlerësuar Rasim Selmani dhe më pas Enver Rrustemi.
Rredhimisht me rekomandimin e britanikëve dhe aminin e Ministrise së Drejtësisë, në krye të këtij institucioni edhe Nehat Thaci. Ai ishte Drejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, por që ishte bërë fytyrë e diskutuar kur ishte arrestuar nga Policia e Serbisë nën dyshimet për krime lufte.
Ai në vitin 2016 ishte arrestuar në pikën kufitare Kosovë- Serbi në Dheun e Bardhë nën dyshimet për krime lufte dhe ishte mbajtur në paraburgim në Serbi për një muaj.
Misioni i ‘rëndë’ britanik në çrrënjosjen e nepotizmit në Kosovë
Rrjedhimisht, Qeveria dhe Kuvendi kanë treguar gatishmëri për nënshkrim memorandumesh, por respektimi i tyre po del të jetë problematik. Ekzekutivi dhe legjislativi, ani pse nënshkruese të tyre, kur vjen puna te emërimet në pozitat e larta, shpesh nuk i merr parasysh mendimet e ekspertëve britanikë.
Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, në konferencën rreth rekrutimit për pozita të larta në shërbimin civil dhe pozita tjera të larta në institucionet e Kosovës, kur u pyet pse duhet të vazhdojë memorandumi, nëse ai nuk respektohet nga Kosova, tha se nuk dëshiron që paratë e taksapaguesve britanikë të harxhohen kot.
“Për mua, nuk dua të rekomandoj që të harxhohen kot paratë e tatimpaguesve britanikë. Por mendoj se ky projekt do të ishte shumë i rëndësishëm sepse sidomos dy kultura në Kosovë janë shumë të dëmshme: e nepotizmit dhe e pandëshkueshmërisë”, tha O’Connell.
Gjithsesi, memorandum i bashkëpunimit me ekzekutivin dhe legjislativin, pritet të nënshkruhet përsëri muajin e ardhshëm. /Gazeta JnK/
Të tjera
-
Komuniteti i Ambasadës nderon Hovenierin për vizionin e tij për Kosovën
Komuniteti i Ambasadës Amerikane ka nderuar ambasadorin Jeffrey M. Hovenier m...
-
Hill: Nuk ka prova që lidhin Beogradin me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se SHBA-të nuk kanë k...
-
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanicë
Policia në Graçanicë me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon ndihmë...
-
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një ndërtesë të re
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Rama: Qendra Kulturore ...
-
Google bllokon mijëra ueb faqe të lajmeve të rreme pro Kinës
Grupi i Inteligjencës për Kërcënime i Google (TAG), në bashkëpunim me firmën ...
-
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
Zhgënjimi për mungesën e ndryshimeve dhe bllokimi i reformave çuan në suksesi...
-
Paralajmërimet saudite për të dyshuarin e sụlmit në treg u injoruan
Taleb al-Abdulmohsen, i dyshuar për sulmin në tregun e Magdeburgut, kisht...
-
Vetaksident në Klinë, vdẹs shoferi
Sot ka vdekur një person pasi është vetaksidentuar në fshatin Poterq të Klinë...
-
Gjatë javës së kaluar në rajonin e Ferizajt u raportuar 13 raste të vjedhjeve
Javën e kaluar janë raportuar 13 raste të vjedhjeve: 11 në Ferizaj, 1 në Kaça...
-
Agjencitë botërore e quajnë Vuçiqin president populist
Disa dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën këtë pasdite në Beograd për një pr...
-
Protesta e PD-së, reagon policia e Tiranës: Do përballen me pasoja për bllokimin e akseve
Policia e Tiranës ka reaguar për protestën e thirrur nga opozita pasditen e s...
-
Aplikacionet spiune, Serbia përgjon gazetarë e aktivistë, reagon kompania izraelite: Nëse akuzat rezultojnë të sakta…
Një raport i ri ka zbuluar se agjencia e inteligjencës serbe ka instaluar pro...