Lajme

Pacolli: Mosmarrëveshjet politike po e pengojnë bashkëpunimin ekonomik

Autori: Gazeta inFokus 19:46 | 17 May 2018

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, i cili po mbahet në kuadër të Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë.

Zëvendëskryeministri i parë ka thënë se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është çelës për shfrytëzimin e potencialit ekonomik të rajonit tonë.

“Pasi po shohim një revitalizim të marrëdhënieve në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duhet të shfrytëzojmë sa më mirë këtë moment. Ballkani Perëndimor përsëri është lart në agjendën e BE-së”, ka thënë Pacolli, njofton kumtesa për media.

-Advertisement-

Në vitet e fundit, kryediplomati kosovar ka thënë se Procesi i Berlinit ka siguruar që reformat në rajon të mos ndalen. “Procesi i Berlinit ishte fokusuar veçanërisht në konektivitet. Jam i kënaqur që koncepti i konektivitetit është zgjeruar edhe në infrastrukturat tjera si ajo digjitale. Rajoni ynë ka potencial për më shumë bashkëpunim dhe shkëmbim tregtar, si dhe për mobilitet të njerëzve. Ndër të arriturat e fundit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është miratimi i Agjendës për Reformën e Investimeve Rajonale”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij, mosmarrëveshjet bilaterale në nivel politik mbesin ende pengesë. “Fokusi duhet të jetë në heqjen e barrierave dhe lejimin e lëvizjes së lirë të investimeve, të mirave dhe njerëzve. Një perspektivë e qartë e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shpejtojë reformat në vendet e rajonit. Por, perspektiva e qartë evropiane është edhe garancë për më shumë investime. Është e rëndësishme që BE të marrë qëndrim të guximshëm dhe të thotë që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë. Kjo do të​ inkurajojë frymën e bashkëpunimit të vërtetë rajonal, pasi suksesi i një shteti varet nga suksesi i fqinjëve të vet. Prandaj, duhet t’i eliminojmë të gjitha elementet e kompeticionit në mes shteteve tona”, shtoi ai.

Pacolli, njëherësh Ministër i Jashtëm i Kosovës ka theksuar se Kosova do të mbetet e përkushtuar për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në mes të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera