Lajme

Mungesë konsensusi për drejtimin e procesit të dialogut

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 06 May 2018

Partitë politike opozitare në Kosovë vazhdojnë të kundërshtojnë ose të vënë në pikëpyetje rolin drejtues të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në procesin e dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata e kanë vlerësuar si të papërshtatshëm presidentin Thaçi, në këtë rol.

Kundërshtimet e tilla janë rishfaqur në kohën kur dialogu në Bruksel pritet të hyjë, siç është thënë, në fazën përfundimtare, e cila pritet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese për palët.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë, ku roli udhëheqës i besohet presidentit të shtetit.

-Advertisement-

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se roli drejtues i presidentit Thaçi në dialogun e Brukselit është i papranueshëm për subjektin politik që ai i takon. Sipas tij, qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje bazohet në përvojat e deritashme që kanë dalë nga dialogu i Brukselit, kur palën e Kosovës e kishte kryesuar Thaçi. Siç thotë deputeti Selimi, marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi, kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

“Jo vetëm i papërshtatshëm, por është edhe i dëmshëm, për shkak se ai mbron marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, ku të njëjtat janë në interes të Serbisë. Qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ai i mbron interesat e Serbisë përballë Kosovës. Prandaj, është jo vetëm i papërshtatshëm, por është edhe i dëmshëm dhe në këtë rast është edhe i papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje, mendoj edhe për pjesën tjetër të opozitës, por edhe për shoqërinë e Kosovës”, thotë Selimi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike të Kosovës, parti kjo po ashtu opozitare, e ka vlerësuar platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun politik me Serbinë, si pa përmbajtje dhe e cila nuk definon asgjë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, rreth dy javë më parë, në një konferencë për media, pati theksuar se presidenti Thaçi nuk ka arritur ta sigurojë unitetin e spektrit politik për dialogun.

“Në platformë shihet se dialogu i lihet në dorë presidentit, i cili duhet të sigurojë unitetin politik. Asnjëherë deri më tash, ky president, nuk ka arritur ta sigurojë këtë unitet”, pati thënë Hoti.

Por, së fundmi, ai i është shmangur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, nëse presidenti Thaçi konsiderohet nga LDK-ja, si i përshtatshëm për rolin e drejtuesit të procesit të dialogut në Bruksel.

Megjithatë, ai ka theksuar se qëndrimi parimor i LDK-së lidhur me dialogun është se “duhet arritur konsensus për këtë temë kaq të rëndësishme”.

“Në mungesë të një konsensusi të tillë, nuk mund të marrë askush të drejtën të hyjë në marrëveshje të tilla”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, Zenun Pajaziti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike duhet të ulen dhe bisedojnë për arritjen e një konsensusi lidhur me dialogun.

“Sa i përket kundërshtimit për presidentin nga ana e opozitës, kjo do të duhej të trajtohej, nëse do të kishte ndonjë alternativë, formulim ndryshe apo ide ndryshe. Deri më tash nuk kemi. Unë shpresoj që do të ketë një reflektim dhe shpresoj që do të sqarohen gjërat në bisedime”.

“Nuk jam i sigurt që do t’i bëj mirë procesit ndonjë farë qëndrimi ekskluziv përjashtues i opozitës. Nuk është fare e rëndësishme se cili person, cila parti apo cili personalitet. Është me rëndësi që të gjithë të jemi bashkë dhe që institucionet kryesore përgjegjëse, t’i marrin përgjegjësitë e veta”, thekson Pajaziti.

Deputeti Selimi thotë se Lëvizja Vetëvendosje, në parim nuk është kundër dialogut me Serbinë, por kundër një dialogu që prodhon koncesione të dëmshme për Kosovën dhe në favor të Serbisë. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës do të duhej të ishte platformë diskutimit lidhur me këtë çështje.

“Nuk do të thotë që ne jemi të fokusuar në një emër të caktuar. Kështu që nuk duhet ta bëjmë gabimin e radhës dhe të prodhojmë emra dhe të jemi në interes të emrave, por duhet që të jemi në interes të Kosovës. Kuvendi i Kosovës do të duhej ta kishte rolin jo për ta prodhuar një emër tjetër, por për ta krijuar një pozicion tjetër të Kosovës karshi Serbisë”, shprehet Selimi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se është në favor të dialogut me Serbinë, duke theksuar se ky dialog nuk ka alternativë.

Sidoqoftë, bazuar në platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, në rast se presidenti Thaçi përfaqëson Kosovën në fazën finale të këtij dialogu, ai obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera