Lajme

Haradinaj: Brezi i UÇK-së, kulmoi një rrugë të gjatë deri në liri

Autori: Gazeta inFokus 14:14 | 05 May 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore të Heroit të Kombit, Jetë Hasani dhe dëshmorit, Ruzhdi Salihu, emrin e të cilit e mban edhe Shtëpia-Muze që ishte shtab i UÇK-së, si dhe 26 dëshmorët e batalionit II “Rushdi Salihu”, në fshatin Pjetërshticë, Komuna e Shtimes.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj tha se Jetë Hasani është një atdhetar i cili bashkon në vete ato vlera që e definojnë jo vetëm një etapë të jetës tonë për liri.

“Një pjesë e brezave të bashkatdhetarëve tanë nuk arritën ta kapin pushkën, por ata ishin pushkë vetë me bindjet e tyre, me veprat e tyre, me angazhimin dhe me idetë e tyre. Edhe pse nuk shkuan në luftë kaluan nëpër persekutime, kaluan nëpër izolime, nëpër nëpërkëmbje që iu bënë vetëm e vetëm për shkak me i pamundësu, me i zbehë, më i dëmtu, në idetë e tyre atdhetare”, tha Haradinaj.

-Advertisement-

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se brezat tjerë të ndodhur në përgjegjësi të caktuara qoftë edhe në sistem të dikurshëm, edhe ata nuk arritën të ecin hapave të vetë sepse çdo herë kundërshtarët e të drejtës së shqiptarëve i identifikuan, i shtypën dhe i ndalën.

“Brezi ynë i UCK ishte brezi më me fat ishte brezi që e kulmoi një rrugë të gjatë deri në liri. Ishte ky brez që arriti ato mendime, sakrifica, vuajtje, atë çmim të të gjithë kohës për ta kulmuar përmes pushkës së lirisë. Vepra e Jetë Hasanit i bashkon këto etapa. Jetë Hasanin e gjejmë në kohërat e hershme të ideve kombëtare, e gjejmë në përpjekjet e tij për ta mbijetuar shqiptarin edhe përmes shkollës shqipe dhe e gjejmë gjithnjë me idetë e tij të lirisë dhe të bashkimit kombëtar”, tha kryeministri Haradinaj.

Nderimi qe i bëjmë ne të gjithë një atdhetari në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, siç tha kryeministri Haradinaj flet se nuk është rastësi qe e kemi lirinë që e meritojmë dhe që do ta kemi e do ta ruajmë.

“Unë jam i nderuar sot që sado pak i bashkohem këtij nderimi që i bëni ju”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar gjithë ta që bënë punë që sot jeta dhe vepra e Jetë Hasanit, por edhe periudha e rrugëtimit për liri të brezave tanë të kësaj treve të kthehet në monument me pllakën dhe shtabin që do të jetë shtab memorial.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, përfaqësues institucionalë, deputetë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera