Lajme

Polici dëshmon në gjykimin për sulmin ndaj kolegut të tij

Autori: Gazeta inFokus 23:44 | 05 April 2018

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri, vazhdoi gjykimi kundër të akuzuarit për sulm ndaj personit zyrtar.

Sot në seancë dëshminë e dha Pajazit Zymeri, njëri nga policët i cili kishte shkuar në vendin e ngjarjes në stacionin policor në Prilluzhë vend ku edhe kishte ndodhur ngjarja.

Pas pyetjes së prokurores Fetije Bajrami dëshmitari filloi të tregojë lidhur më atë çfarë kishte parë dhe dëgjuar kur ka arritur.

-Advertisement-

Dëshmitari tregoi se i kujtohej se ditën kur kishte ndodhur rastin kishte qenë në detyrë zyrtare dhe se kishte shkuar në stacionin policor në Prilluzhë për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Nuk me kujtohet data por pasi që kam kuptuar zyrtarisht se po bëhet fjalë rreth një rasti në fshatin Prilluzhë komuna e Vushtrrisë, ku dikush kishte hedhur disa mbeturina në një pronë, unë pastaj kam shkuar në Prilluzhë dhe në stacionin policor për të marrë policët dhe për të ditur se për çfarë rasti bëhet fjalë“, tha dëshmitari.

Në ndërkohë, i akuzuari Gazmend Zeqiri kërkoi fjalën nga gjyqtari i rastit Rifat Bllata, të cilit i tha se dëshmitari Musë Musa, i cili është edhe polic, është duke e përdorë telefonin dhe duke incizuar.

Gjyqtari e pyeti dëshmitarin Musë Musa se a ishte duke përdorur telefonin pasi që nga pozita e gjyqtarit nuk shihej, e dëshmitari u përgjigj se i kishte kthyer një mesazh kolegut të tij.

“Një kolegu ia ktheva një mesazh duke i treguar se jam në seancë dhe mos të më thërret në telefon“, tha dëshmitari.

Ky mesazh u bë publik në seancë nga ana e gjyqtarit, i cili ua tërhoqi vërejtjen edhe një herë të gjithëve në sallë që telefoni nuk mund të përdoret në seancë pa lejen e Gjykatës.

Më pas Gjykata vazhdoi me dëgjimin e dëshmisë se dëshmitarit.

Dëshmitari deklaroi se kur kishte shkuar në stacionin policor në Prilluzhë nga jashtë kishte dëgjuar tani të akuzuarin duke i sharë policët që kishin qenë brenda por se ai nuk ishte marrë më shumë me rastin pasi që atij i ishte dhënë nën përkujdesje polici nga komuniteti serb, i cili kishte qenë së bashku më ta në vendin e ngjarjes.

Po ashtu, dëshmitari tregoi se policët që kishin qenë prezentë ishin Musë Musa, Fehmi Miftari si dhe polici nga komuniteti serb, emrin e të cilit nuk e dinte.

Dëshmitari tregoi se pasi që kishte shkuar në vendin e ngjarjes e kishte parë tani të akuzuarin Gazmendin dhe e kishte dëgjuar duke sharë pastaj e kishte pyetur: “Çfarë dreqin ki që po shanë ?“. Sipas tij, i akuzuari i ishte përgjigjur: me ty nuk kam punë.

Ndërsa kur u pyet nga prokurorja se a i kishte pyetur kolegët e tij se çfarë kishte ndodhur me Gazmend Zeqirin, dëshmitari Pajazit Zymeri tregoi se ata i kishin thënë se ai ishte vetëlënduar në kokë duke e goditur tavolinën vetë.

Dëshmitari tha ta ketë njohur edhe më herët të akuzuarin dhe se i njëjti në një rast kishte dashur ta presë me sëpatë atë dhe personin tjetër Hashin Saraqin.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari edhe gjatë rrugës sa kanë qenë duke shkuar për ta dërguar në trajtim mjekësor të akuzuarin pas lëndimit në kokë, i njëjti vazhdimisht i kishte sharë dhe fyer policët duke iu thënë, sidomos policit Musë Musa: Unë kam me të qitë prej pune.

Edhe i akuzuari në këtë rast, Gazmend Zeqiri, i parashtroi pyetje dëshmitarit, duke e krahasuar atë se çfarë thoshte dëshmitari në seancë me deklaratën e dëshmitarit që ka qenë herën e kaluar Musë Musa.

“A të kujtohet se ke hy në stacionin e policisë?”, pyeti i akuzuari. “Po më kujtohet se kam hyrë brenda në zyrë dhe shumë mirë të kam dëgjuar ty duke fyer dhe duke sharë”, u përgjigj dëshmitari.

Kurse i akuzuari i tha dëshmitarit se në seancën e kaluar dëshmitari Musë Musa kishte thënë: “Erdh hetuesi nga Vushtrria Pajazit Zymeri dhe e ka marrë Aleksander Nikiqin dhe shkuan në vendin e ngjarjes, kurse Gazmendi nuk e ka pa Pajazitin dhe kur Fehmiu ka hy brenda më kanë thanë erdhën hetimet“. Prandaj, i akuzuari e pyeti dëshmitarin se cila është e vërteta, kjo që thoshte ai në seancë apo ajo çfarë kishte deklaruar dëshmitari Musë Musa seancën e kaluar.

Ndërsa dëshmitari iu përgjigj të akuzuarit duke i i thënë se mbetet pas asaj çka ka thënë në seancë dhe për atë se çfarë kishte deklaruar dëshmitari Musë Musa dhe Fehmi Ferati se ai nuk ka hy brenda në stacion kjo nuk i kujtohej.

Në fund të seancës i akuzuari e luti Gjykatën që të ftohej për të dëshmuar edhe polici Haki Morina pasi që i njëjti sipas të akuzuarit kishte përpiluar raportin policor dhe në mënyrë që të ishte më e qartë se çfarë kishte ndodhur atë ditë dhe të njoftohej me rrethanat e rastit.

Ky propozim i të akuzuarit u kundërshtua nga Prokuroria dhe nga dy dëshmitarët e dëgjuar në seancat e kaluara sepse sipas tyre raportet përpiloheshin në këtë mënyrë por se i njëjti nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes.

Ndërsa me aktvendim Gjykata aprovoi propozimin e të akuzuarit për t’u dëgjuar si dëshmitar përpiluesi i raportit Haki Morina.

Po ashtu edhe i dëmtuari Musë Musa i propozoi Gjykatës që si dëshmitarë të dëgjoheshin edhe Ukshin dhe Bashkim Bunjaku, të cilët sipas tij i akuzuari i kishte dërguar tek i dëmtuari në mënyrë që sipas traditave i njëjti të heqë dorë nga akuza.

Kurse si shpërblim i akuzuari Gazmend Zeqiri do të heq dorë nga ankesa të cilën më herët e kishte bërë në Inspektoratin Policor të Kosovës për policin Musë Musa, i cili në ketë rast është i dëmtuar.

Ky propozim i të dëmtuarin u kundërshtua nga i akuzuari, mirëpo Gjykata aprovoi propozimin e të dëmtuarit.

Prokuroria e akuzon të pandehurin Gazmend Zeqiri se në korrik të vitit 2017 në fshatin Prilluzhë, komuna e Vushtrrisë, seriozisht ka kanosur personin zyrtar të dëmtuarin – policin Musë Musa.

Sipas aktakuzës dy policët Musë Musa dhe Fehmi Miftari kishin shkuar në vendin e ngjarjes të thirrur nga vetë i akuzuari Gazmend Zeqiri për shkak të një ankese që kishte pasur.

Polici Musë Musa kishte qenë më rroba civile dhe ishte prezantuar me ID kartelë Gazmend Zeqirit ndërsa ky i ishte kthyer me fjalët: “Unë nuk të njoh ty, kush je ti, nuk të njoh si polic “. Atëherë polici Fehmi Miftari i është drejtuar duke i thënë kujdes me fjalët, sepse edhe ai është polic sikurse unë. Ndërsa i akuzuari i ishte drejtuar edhe Fehmi Miftarit me fjalët: “Nuk më intereson fare kush është ky dhe nuk dua m’e ditë fare për të”, duke filluar edhe ta ofendojë, fyejë, shajë me nënë dhe kërcënojë se do ta vrasë policin Musë Musa.

Me këtë ka kryer veprën penale – kanosja.

Ndërsa në pikën dy të aktakuzës thuhet se pasi që ishte arrestuar dhe dërguan në nënstacionin në Prilluzhë, i akuzuari Gazmend Zeqiri pasi që vazhdimisht i kishte kërcënuar policët dhe ishte vetëlënduar duke goditur me kokë tavolinën ku kishte shqyer ballin, kishte filluar ta godas policin Fehmi Miftari.

Gjithnjë sipas aktakuzës ai e kishte goditur policin me grushte në gjoks, duke ia shqyer këmishën dhe nënkëmishën- uniformën e policit si dhe me këmbë e ka goditur në këmbën e djathtë dhe në dorën e djathtë. Në ato momente ka reaguar edhe polici Musë Musa, ku të njëjtin e ka shtyrë me dorë, në ndërkohë ka hyrë polici Pajazit Zymeri dhe të pandehurin e kanë prangosur. Kurse polici Fehmi Miftari ka pësuar dëmtime të lehta trupore dhe pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë ka kryer veprën penale – sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Seanca e radhës është caktuar për më 26 prill.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera