Lajme

Bytyqi: Fuqizimi i Inspektoratit të Arsimit ngrit cilësinë në arsim

Autori: Gazeta inFokus 13:24 | 27 March 2018

Ligji për Inspektoratin e Arsimit në Kosovë dhe fuqizimi i inspektoratit do të ndihmojë në ngritje të cilësisë së arsimit.

Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi me rastin e dëgjimit publik për projektligjin mbi inspektoratin e arsimit.

Ministri Bytyqi  tha se me këtë ligj do të hapen shumë mundësi që puna kyçe e inspektoratit të jetë në vlerësimin e cilësisë. Ai tha se nga ky ligj vërejnë, se përveç kontrollit të cilësisë, kanë edhe pjesën e edukimit e cila iu ndihmon shumë.

-Advertisement-

“Shihet një pjesë e madhe që kemi autorizime shtesë për inspektoratin që e ka qëllimin e vetëm pra ngritjen e cilësisë. Faktikisht, me këtë ligj ne do të kemi mundësi që të prekim gjëra shumë më shumë në terren, në pjesën ku është më e ndjeshme tek mësimdhënësit që është edhe baza apo themeli i asaj që ne vazhdimisht po prononcojmë se duhet të kemi një ngritje të cilësisë direkt në mësimdhënie. Po ashtu, edhe te pjesa e arsimit të lartë ku do të jetë një mbikëqyrje e zbatueshme së legjislacionit që e ka të drejtën inspektorati me ligjin që pritet të miratohet. Konsideroj që vërtet është një ligj i veçantë, sepse është më i rëndësishmi brenda Ministrisë së Arsimit”, tha ministri Bytyqi.

Edhe kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Ismail Kurteshi, tha se qëllim i tyre është që të bëjnë një projektligj të kompletuar.

“Qëllimi jonë i përbashkët i komisionit edhe i Ministrisë së Arsimit është që ta nxjerrim një projektligj sa më të kompletuar, sa më të mirë, sepse konsideroj se me këtë projektligj lidhet cilësia në arsim. Ky projektligj ndikon në ngritjen e cilësisë, prandaj si të tillë ta trajtojmë dhe të punojmë me përkushtimin më të madh”, tha Kurteshi.

Drejtori i Qendrës për Arsim, Dukagjin Pupovci, paraqiti vërejtjen sa i përket përfshirjes së inspektoratit në procesin e licencimit dhe vlerësimit të performancës së mësimdhënësve.

“Nuk mendoj se inspektorati duhet të ketë rol afatgjatë në licencimin e mësimdhënësve. Kjo është një funksion tjetër, bie ndesh me funksionin kontrollues të inspektoratit, sepse po merret me individin, nuk po merret me institucionin, do të thotë në një mënyrë po i ofron shërbime njerëzve të interesuar se për licencim nëse dikush diplomon në fakultet dhe dëshiron të licencohet, atëherë ai do të drejtohet tek organi që është kompetent për licencim. Tash, inspektorati a po del organ për ofrimin e shërbimeve apo del organ për ushtrimin e kontrollit. Nëse për një periudhë të përkohshme tre, katërvjeçare duhet të bëhet një gjë e tillë, atëherë unë mendoj se kjo mund të rregullohet me udhëzim administrativ dhe pas asaj periudhe të shihet, ose krijohet në ministri një njësi për licencimin e mësimdhënësve ose i delegohet ndonjë institucioni siç është fakulteti, universiteti”, tha ai.

Drejtori i Inspektimit në MASHT, Dëfrim Gashi, ka dhënë arsyen e tij se pse kanë menduar se është mirë që inspektorati të merret me licencimin e mësimdhënësve.

“Ne kemi menduar se inspektorati e ka pikërisht në fazën e parë rëndësinë shumë të madhe me qenë dhe me u marrë me licencimin e mësimdhënësve. Arsyeja është kjo, ne duhet të krijojmë një databazë, ashtu edhe e kemi bërë pjesën më të madhe të punës së deritanishme që ka të bëjë me licencimin e mësimdhënësve  ku janë diku mbi 20 mijë janë licencuar nga Inspektorati i arsimit, në fazën e parë të licencimit edhe ashtu e kemi mbaruar ne. Tjetra është se me krijimin e databazës na jepet mundësia të mendojmë për një partner tjetër, i cili mund të merret ekskluzivisht me licencimin e mësimdhënësve. Por, në këtë fazë jemi të rëndësishëm”, tha Gashi.

Në projektligjin për inspektoratin e arsimit është paraparë që funksioni i inspektoratit të jetë kontrollues, këshillues, informues dhe të përhapë praktika të mira mes institucioneve. Ndërsa, llojet e inspektimit të jenë i përgjithshëm, tematik, emergjent, ri inspektim dhe vlerësim i performancës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera