Sport

Kombëtarja U21 e gatshme për sfidën me Azerbajxhanin (Video)

Autori: Gazeta inFokus 19:10 | 21 March 2018

Kombëtarja U21 ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kundër Azerbajxhanit, që zhvillohet nesër në orën 19:00 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, shkruan infokusi.

Ndonëse stërvitja e fundit ishte paraparë të mbahej në stadiumin ku do të luhet ndeshja, reshjet e borës ndikuan që kjo stërvitje të zhvendoset në fushën me bari sintetik “Top Football” në Mazgit, me qëllim të ruajtjes së fushës për ndeshjen e nesërme. Moti i ftoftë dhe fusha e mbuluar me borë ndikuan që seanca e sotme të jetë paksa më e reduktuar, me qëllim edhe të ruajtjes së lojtarëve nga lëndimet eventuale. Sidoqoftë, atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe fatmirësisht të gjithë lojtarët janë të gatshëm për sfidën e nesërme. Optimizmi për sukses tek djelmoshat është maksimal dhe ata presin që përkundër motit të ftoftë përkrahja e tifozëve në ndeshjen e nesërme të mos mungojë.

Deklaruan pas stërvitjes

-Advertisement-

Arian Kabashi: Përgatitjet kanë shkuar mirë, edhe pse sot terreni ishte pak i vështirë për shkak të borës dhe nuk na lejoi që të praktikojmë shumë trening. Azerbajxhanin e njohim mirë, pasi ndeshjen e fundit e kemi luajtur pikërisht kundër tyre. E njohim lojën e tyre dhe besoj se me përgatitjet që i kemi bërë do të arrijmë t’i gëzohemi fitores. Suksesi në këtë sfidë do të na ndihmonte që edhe Gjermanisë t’i kundërvihemi me sukses.

 

 

Rron Broja: Ndeshja me Azerbajxhanin do të jetë mjaft e vështirë, por ne besojmë në fitore. E njohim mirë kundërshtarin, i njohim dobësitë e tyre dhe shpresoj t’i ndëshkojmë. Në ndeshjen e parë kundër tyre kemi pasur paraqitje shumë të mirë, por fati nuk ishte me ne. Tani do të paraqitemi para tifozëve tanë dhe besoj se nuk do t’i zhgënjejmë.  Reshjet e borës sigurisht se do ta bëjnë fushën më të vështirë, por ne duhet të japim maksimumin sepse me një fitore mund t’i rrisim gjasat  për kualifikim të mundshëm.

 

 

Mirlind Daku: Për dallim nga ndeshja e parë tani do të jetë më e lehtë për ne, ngase e njohim kundërshtarin dhe e dimë me kënd kemi të bëjmë. Në ndeshjen e fundit kundër tyre kemi pasur paraqitje shumë të mirë dhe kemi krijuar shumë raste, por tash pres që rastet që do t’i krijojmë edhe do t’i finalizojmë me gol. Moti sot na ka pamundësuar që të zhvillojmë në tërësi stërvitjen ashtu si] e kishin planifikuar trajnerët, por  mendoj se jemi plotësisht të gatshëm dhe do t’ia arrijmë synimit për t’i fituar tri pikë të reja në këto kualifikime.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera