Lajme

Ekologët: Qeveria duhet t’i paguajë drunjtë për qytetarët dhe të bëjë filtra modernë në termocentrale

Autori: Gazeta inFokus 16:31 | 29 January 2018

Ndotja e ajrit në Prishtinë është bërë alarmante, sidomos gjatë këtyre rreth dhjetë ditëve të fundit të janarit. Edhe pse ka shumë ankesa nga qytetarët e mjekët, institucionet e vendit nuk janë duke marrë përsipër kurrfarë përgjegjësie dhe asnjë veprim për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe ekzakte për uljen e kësaj ndotjeje

Alarmimi se qytetarët janë duke thithur ajër i cili dëmton mushkëritë, ka nisur me reagime nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat edhe kanë paralajmëruar një protestë që do të mbahet në Prishtinë të mërkurën, më 31 janar.

Gazeta Express ka kontaktuar me disa njohës të fushës së mjedisit, për të mësuar nëse mund të gjendet një zgjidhje për këtë çështje, e cila kaplon qytetin gjithmonë në fillim vit, kur temperaturat atmosferike janë të ulëta.

-Advertisement-

Njëra ndër arsyet kryesore që shkakton gjendjen e këtillë, mund të thuhet helmuese, të ajrit, janë termocentralet dhe ngrohja me thëngjill e shumë pronave private dhe bizneseve.

Themeluesi i organizatës joqeveritare që merret me kujdes ndaj mjedisit, Green Art Center, Lorik Muçaj, në një intervistë për Gazetën Express, thotë se gabimet e vazhdueshme që bëhen tash e 20 vite për ndotjen e ajrit janë termocentralet e vjetra, automjetet e vjetra dhe ngrohja me thëngjill.

Muçaj thotë se termocentralet janë shumë të vjetruara dhe shteti nuk kujdeset që t’i ndërrojë filtrat ose t’i shumëfishojë ata që të ketë më pak tym.

“Ndotësit e mëdhenj janë termocentralet edhe fabrikat. Këta nuk i modernizojnë filtrat e ajrit dhe për këtë shkak nga puna që bëjnë e shkatërrojnë ambientin. Pastaj janë makinat e vjetra. Në Prishtinë ka qarkullim të madh të automjeteve, lëndët djegëse që lirojnë automjetet e prishin ajrin. Por edhe makinat e reja e ndotin ajrin, kjo pasi që kontrollet teknike në Kosovë bëhen me mjete të vitit 93’, kështu që ato nuk funksionojnë në mënyrë ekologjike. Ndërsa faktori i tretë është ngrohja e qytetarëve me thëngjill. Ky faktor i tretë mund të evitohet, mirëpo ekonomia në Kosovë është e ulët dhe për këtë shkak e thithim këtë ajër”, ka thënë për Express, Lorik Muçaj, nga Green Art Center.

Mes tjerash, Muçaj tha se edhe Qeveria duhet të mendojë më shumë në këtë drejtim. Nëse duan ajër të pastër, duhet që familjet të cilat ngrohen me thëngjill të kenë ndihmë nga shteti dhe në vend të kësaj lënde t’u sigurojë dru, ose ndonjë gjë tjetër alternative për ngrohje.

“Nëse me të vërtetë dëshirojnë që ky problem të mos përsëritet çdo vit, Qeveria duhet t’i sigurojë drunjtë ose edhe nxehje qendrore për çdo qytetar gjatë stinës së dimrit. Nëse nuk e ofrojnë këtë gjë, familjet të cilat edhe janë në numër të madh në vend, nuk kanë mundësi për tjera lëndë, kështu që ato, pa marrë parasysh gjobave simbolike, do ta përdorin prapë thëngjillin dhe prapë do të kemi këtë ndotje të ajrit”, thotë Muçaj.

Mirëpo, sipas tij, ka shpresë se kjo gjendje do të rregullohet, pasi që për herë të parë pas 20 viteve, kjo çështje ka filluar të fitojë më shumë vëmendje.

“Pas 20 viteve, Qeveria ka nisur të bëjë diçka për mjedisin, duke filluar me rritjen e fondeve te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo pasi që më herët kjo Ministri ka pasur fonde vetëm për rrogat e stafit dhe eventualisht për shpronësime. Ndërsa këtë vit, kjo Ministri, në krye me Albena Reshitajn, ka premtuar se do ta ndalojë thëngjillin, e ky është një hap i mirë”, ka shtuar më tej ai.

Njohësi tjetër i çështjeve të ambientit, Luan Hasanaj ka thënë për Express se ndër shkaktarët janë edhe eksploatuesit e thëngjillit.

“Në vend operojnë rreth 20 eksploatues të thëngjillit. Më e keqja është se disa eksploatues veprojnë ilegalisht dhe thëngjillin e shesin të papërpunuar dhe të lagësht. Pastaj janë edhe termocentralet që nuk kanë filtra të duhur në to”, ka thënë për Express Hasanaj, themelues i organizatës për mjedis, “Let’s do it Kosovo”.

Sipas Hasanajt, duhen veprime konkrete për të shpëtuar nga kjo gjendje, duke filluar që nga ndalja e menjëhershme e përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse dhe të bëhet kontrollimi në territorin e Kosovës për automjetet e vjetra.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duhet sa me shpejt të nxjerrë vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse. Pastaj Ministria e Infrastrukturës duhet të fillojë me implementimin e zbatimit të udhëzimit administrativ për kontrollimin e emetimit të gazrave nga makinat. Gjithashtu, si rrugëdalje nga kjo gjendje është reduktimi i ngasjes së automjeteve nëpër qytet, si dhe të riparohen filtrat e termocentraleve”, ka shtuar Hasanaj.

Ai u ka bërë thirrje Institucioneve që në listën e prioriteteve të kenë mjedisin, pasi që lidhet drejtpërdrejt me frymëmarrjen dhe ka kërkuar që të ketë sa më shumë parqe dhe mbjellje të druve.

Edhe ekologu Shyqri Dumani në një deklaratë për Gazeta Express ka identifikuar faktorët kryesorë që kanë sjellë deri në këtë situatë.

Sipas Dumanit, ndotja e ajrit ka si ndihmesë qarkullimin rrugor, termocentralet, e së fundi edhe shtëpitë. Burime kryesore të ndotjes së mjedisit, thotë ai, janë gazrat, pluhuri, zhurma, valët elektromagnetike, si dhe ndotës të tjerë, që mund të klasifikohen si kimikë, fizikë dhe fiziko-kimikë.

Ai ka thënë se kushtet meteorologjike po ndihmojnë që situata me ndotje të ajrit të shkojë edhe më tutje drejt keqësimit.

“Kushtet meteorologjike janë kryesisht të disfavorshme për Prishtinën sepse kemi mjegull dhe brymë, që të dyja janë të disfavorshme për një ambient të pastër, pasi që mjegulla ndikon negativisht, sepse e mban të gjithë ndotjen që lirohet nga automjetet për kohë të gjatë dhe ndotja, praktikisht gazrat dhe pluhurat, nuk shpërndahen në atmosferë”, thotë ekologu.

Dumani vlerëson se planet urbanistike kanë të meta të shumta që kanë shndërruar Prishtinën në një labirint të ndotjes.

Derisa njohësit e mjedisit tregojnë disa hapa se si duhet të shmanget kjo ndotje e ajrit, për të mërkurën shoqëria civile ka paralajmëruar protestë përmes rrjetit social Facebook. Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se janë duke përcjellë në vazhdimësi nivelet e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë e veçmas në Prishtinë, duke treguar edhe faktorët që po sjellin në keqësim të situatës dhe duke bërë thirrje që të përdoren maska në qytet.

Gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka iniciuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të adresuar problemin e cilësisë së ajrit në Prishtinë, duke kërkuar një plan nacional të mirëfilltë dhe afatgjatë, me të cilin do të evitohej kjo situatë që po na përsëritet. Ndërkaq, Kuvendi i Komunës së Prishtinës do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme më 1 shkurt, të enjten, në orën 15:00.

Lidhur me problemin që ka alarmuar dhe shqetësuar të gjithë qytetarët, shoqërinë civile, e me gjasë edhe institucionet kompetente, Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ndërsa ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për krijimin e një task-force të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë aktorët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.

Gjendjen reale të ajrit prishtinasit e kanë marrë edhe më seriozisht prej se Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka instaluar një monitorues të cilësisë së ajrit për ta matur ndotjen në ajrin e Prishtinës, matjet e të cilit do të jenë në dispozicion të publikut.

Çështja e ndotjes së ajrit është çështje e rëndësishme për shëndetin dhe cilësinë e jetës me të cilën përballen miliona njerëz nëpër tërë botën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera