Sport

Mbretërimi dhjetëvjeçar i MesRon-VIDEO

Autori: Gazeta inFokus 09:40 | 09 December 2017

Madhështia e tyre është zor e përkufizueshme, por në epokat në vijim, ata që dëshmuan sundimin e këtyre dy perandorëve, do t’ua rrëfejnë fëmijëve të së ardhmes tregimin se si dy futbollistë për një dhjetëvjeçar të plotë, e zaptuan dhe shndërruan sportin më të madh në botë në një duel

9:29, 9 Dhjetor 2017Autor: Lum Gashi

Sipas një studimi të FIFA-s, të quajtur Numërimi i Madh, 270 milionë njerëz merren në mënyrë aktive me futboll. 38 milionë prej tyre janë të regjistruar si të tillë.

-Advertisement-

Ky studim ishte bërë më 2006, dy vjet para se të fillonte dominimi total i vetëm dy prej këtyre 270 milionëve.

Ishte viti 2007 kur Leite Kaka fitoi Topin e Artë, i përcjellë nga Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi që kishin zënë vendin e dytë, respektivisht të tretin.

Kush do të thoshte që ata dy që kishin mbetur prapa brazilianit mahnitës, në fanellën kuqezi të Milanit, do ta zinin vendin e parë, herë njëri e herë tjetri, për dhjetë vjetët që pasuan.

Më 2008, Ronaldo ia bën sefte, kur me klubin e tij të atëhershëm, Manchester United, fiton Premier Ligën dhe Ligën e Kampionëve, dhe përmbyll sezonin me plot 42 gola nga 49 ndeshje.

Vitin tjetër më i miri del argjentinasi i Barcelonës, Lionel Messi, i cili nën udhëheqjen e Pep Guardiolës, bëhet pjesë e njërës prej skuadrave më të mira të të gjitha kohërave, që në stinorin 2008-2009 arrin ta gllabërojë çdo titull të mundshëm.

Pasi përfundon vitin me 38 gola e gjashtë trofe në fanellën katalunase, në duart e tij për herë të parë dorëzohet Topi i Artë, afër të cilit kishte qenë për dy vjet rresht.

Më 2010, FIFA dhe gazeta franceze France Football që jep çmimin më prestigjioz individual në këtë sport, bashkojnë forcat dhe çmimi Topi i Artë bashkëdyzohet me atë të shtëpisë më të madhe të futbollit në botë.

Messi ngadhënjen për të dytën herë radhazi, por tani te finalistët mungonte rivali i tij portugez.

Iniesta dhe Xavi, dy bashkëlojtarët e tij te ekipi katalunas – që atë vit ishin kurorëzuar kampionë bote me Spanjën, ku ky i pari kishte shënuar golin e vetëm dhe të fitores në finalen e atij kompeticioni – nuk arritën që ta rrëzojnë nga maja të ashtuquajturin ‘pleshtin’.

Atë sezon, ai kishte fituar vetëm La Ligën dhe Superkupën e Spanjës, por kishte arritur në kuotën e 47 golave në të gjitha garat.

2011 – sërish Messi, me 53 gola nga 55 ndeshje, me trofeun e Ligës së Kampionëve në njërin krah, dhe atë të La Ligës në tjetrin, si dhe me ata të Superkupës së Spanjës dhe Evropës.

Kështu, ai shpërblehet me të tretin Top të Artë me radhë.

Në të 2012-tën, vjen edhe i katërti triumf për asin argjentinas. Prapë Messi! Barça befasohet nga Chelsea duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinale, ndërsa Mbretërit ia rrëmbejnë La Ligën, dhe i vetmi trofe me të cilin kusuritet Messi me shokë është Kupa e Mbretit.

Megjithatë, performanca e tij individuale me përmasa ‘jashtëtokësore’, ku ai arrin të shënojë 73 gola nga 60 ndeshje, 50  sosh vetëm në La Liga, ia sjell atij çmimin e katërt si më i miri në botë, pavarësisht një stinori të varfër krahas apetiteve të Barçës së asaj kohe.

Hiç më të dobëta nuk ishin statistikat e Ronaldos atë vit, që atë edicioni tundi 60 rrjeta kundërshtare, 46 nga të cilat veç në La Liga.

2013 – perandoria katalunase po telikosej, me Interin dhe Chelsean që kishin bërë njerëzit të besojnë se ka një ilaç për tiki-takën dhe për gjeniun Messi, duke i mposhtur në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve (më 2010, Interi, ndërsa më 2012, Chelsea).

Ishte kthyer në rregull të pashkruar që Kampionatin e Evropës ta fitonte ose Barça, ose kush e mposhtte Barçën.

Atë e bënë edhe bavarezët e Bayern Munchen më 2013, kur e deklasuan skuadrën e Messit me rezultat 7:0, në totalin e dy ndeshjeve gjysmëfinale.

Para këtij stinori, Ronaldo tashmë 27 vjeçar, kishte mbetur larg prapa rivalit të tij dy vjet më të ri, Messit, që kishte katër Topa të Artë, krahas njërit që e kishte fituar Ronaldo pesë vjet më herët.

Reali, i pafat në Evropë ato vite, dhe duke e vuajtur më së shumti nga të gjitha klubet inferioritetin ndaj Barcelonës së pamëshirshme, nuk dukej se do të bëhej ndonjëherë perandori e prirë nga Ronaldo, ashtu siç qe bërë Barça me Messin.

Përkundër një viti pa trofe ekiporë, dhe një eliminimi të rëndë nga Borussia Dortmund në gjysmëfinale, në një garë të ngushtë me Lionel Messin dhe Franck Ribery, ky i fundit fitues triplete me Bayern, ishin 55 gola në 55 ndeshje të Ronaldos që e ‘bekuan’ atë me Topin e Artë.

Dy Topa të Artë me dy klube të ndryshme – Cristiano Ronaldo.

Kërkonte kjo kundërpërgjigjen e argjentinasit, apo ishte filli i një rilindjeje të portugezit?

Përgjigja për këtë fillon të qartësohet më 2014, kur tregohet qartë se Ronaldo nuk u vetëkënaq por vetëm sa u bë më i etur. Rivali kryeqytetas, Atletico Madrid e fiton Ligën e Spanjës dhe arrin në finale të asaj të Kampionëve ku do të përballej me Mbretërit.

Ndonëse heroizmi i finales i takoi kapitenit të Realit, Sergio Ramos, që barazoi rezultatin në sekondat e fundit të ndeshjes, e që më pas solli thyerjen e Atletico në humbjen 4:1 në Lisbonë, Topi i Artë edhe atë vit i takoi Ronaldos që në të gjitha garat arriti  të shënojë 51 herë në 47 paraqitje.

Messi – Ronaldo 4:3

Shtatshkurtit nga Rosario po i afrohej ylli nga Madeira, ndërsa Barça kishe ngritur themelet e një mbretërie të re, sërish me në krye Messin, por tani me fuqi sulmuese përkrah tij edhe Luis Suarez dhe Neymar.

Më 2015 Barcelona rikthehet me autoritet, duke fituar titullin e La Ligës, rrëmbyer Kupën e Mbretit, ndërkaq në finalen e Ligës së Kampionëve mund Juventusin, që gjatë rrugës, në gjysmëfinale e kishte hequr pikërisht Realin.

Me tripletën dhe pesë nga gjashtë titujt e mundshëm në xhep, Barça e udhëhequr nga trajneri Luis Enrique, dha ndjesinë e përafërt me atë të 2009-tës kur në krye ishte Pep Guardiola.

Ndërkaq Topi i Artë, i takonte argjetninasit që në 57 ndeshje kishte shënuar 58 gola, duke i shtuar listës së triumfeve ekiporë edhe pesë trofe.

Messi – Ronaldo 5:3

Ishte kjo hera e dytë kur ngritja e Lionel Messit të bënte të besosh se rivali i tij, tashmë 29 vjeçar, do të plandosej dhe në vendin e tij do të dilte ndonjë talent tjetër që do ta gëzonte për një kohë të shkurtër një garë të fortë me Messin.

Por siç na ndodh zakonisht me të mëdhenjtë – u gabuam edhe me Ronaldo. Ai nuk u nda nga nga gara, siç u ndanë FIFA dhe France Football nga dhënia e përbashkët e çmimit më të mirë në botë.

Uria e egër e madrilenëve dhe e Ronaldos kulmon me titullin e 11-të të Ligës së Kampionëve për Realin dhe të tretin për portugezin, rrjedhimisht me Topin e Artë të katërt për të.

Ai shënoi 41 gola nga 49 lojë, dhe realizoi penaltinë fitimtare në përsëritjen e finales së Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madrid.

Messi – Ronaldo 5:4

Një vit më vonë, Ronaldo e nis Ligën e Kampionëve si mos më keq, ndërkaq Messi shpërthen, duke shënuar 11 gola në fazën e grupeve, ndërsa portugezi vetëm dy.

Përpos dy ujqërve të vjetër, Neymar, Paulo Dybala, Anotine Griezmann dhe veterani Gianluigi Buffon kishin dalë si emra që vërtet mund ta rrezikonin arritjen e mrekullueshme potenciale të dy rivalëve të përhershëm – atë të një dekade mbizotërim.

Por në pjesën e dytë të stinorit, Ronaldo mbush turbinat, dhe përderisa Messi dhe Barça bëjnë ‘të pamundurën’ duke eliminuar Paris Saint Germain nga 4:0 deficit prej ndeshjes së parë, në 6:1, ata bien në duart e Juventusit që nuk i falë, duke mos e lejuar ekipin katalunas që të shënojë në asnjërën prej dy përballjeve.

Ndërsa në librin e jetës së portugezit kishte marrë udhë tjetër tregim. Me veç dy rrjeta të tundura, Ronaldo në nokaut hyn në një seri të paparë në historinë e Ligës së Kampionëve.

Fillimisht, ai shënon dy gola në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Bayern Munchen, dhe hat-trick në ndeshjen kthyese ndaj gjigantit gjerman.

Më pas, në gjysmëfinale, Ronaldo arrin hat-trick në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Atletico Madrid-it dhe për fund, ai tund dy herë rrjetën në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Juventus, duke arritur shifrën prej 12 golave, dhe duke e tejkaluar rivalin e tij të përjetshëm, Lionel Messi.

Kjo arritje e rrallë e bëri të pashmangshëm të pestin Top të Artë për yllin e Portugalisë dhe të Real Madrid, duke iu bashkuar argjentinasit Messi në Olimpin e futbollit.

Një rivalitet që duhet pagëzuar Messaldo apo Ronessi?, por më shumë se sa i tillë, ky është një bashkëudhëtim i këtyre dy lojtarëve drejt dominimit absolut, që ka margjinalizuar për një dekadë të tërë  talente të pafundme të futbollit.

Madhështia e tyre është zor e përkufizueshme, por në epokat në vijim, ata që dëshmuan sundimin e këtyre dy perandorëve, do t’ua rrëfejnë fëmijëve të së ardhmes tregimin se si dy futbollistë për një dhjetëvjeçar të plotë, e zaptuan dhe shndërruan sportin më të madh në botë në një duel.

Es Messi, es Ronaldo! La magia continúa!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera