Lajme

‘Rasti Lumezi’, një goditje e re për drejtësinë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:58 | 16 November 2017

Imazhi i institucioneve të drejtësisë në Kosovë, ka marrë këto ditë edhe një goditje të re. Pas raporteve vlerësuese nga organizata vendore e ndërkombëtare, përfshirë edhe raportet e progresit të Komisionit Evropian, ku kritikohet performanca e prokurorisë dhe gjyqësorit, këto ditë, protagonist i zhvillimeve, që u vlerësuan aspak të mira për imazhin e sistemit të drejtësisë, ishte vet Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Ai akuzohej nga ish-rektori i Universitetit të Prishtinës dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani se e kishte falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Pas hetimeve të bëra nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën monitorimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, doli se Lumezi nuk kishte falsifikuar provimin.

Por, profesionistë nga fusha e drejtësisë, thonë se i gjithë ky zhvillim la edhe një gjurmë të keqe për sistemin e drejtësisë në vend.

-Advertisement-

Ish-Kryeprokurori i Shtetit, Tahir Rrecaj, aktualisht avokat, thotë se raste të tilla dëmtojnë imazhin dhe besimin në sistemin e drejtësisë.

“Konsideroj që ka qenë një rast i ndjeshëm dhe e ka dëmtuar rëndë institucionin e Prokurorit të Shtetit, duke e marrë parasysh faktin se zoti Lumezi është në majën e piramidës së sistemit të drejtësisë, pra Kryeprokuror i Shtetit. Sidoqoftë, përfundimi pozitiv i këtij rasti që ka rezultuar me faktin se zoti Lumezi nuk ka bërë falsifikime, është një vendim që sadopak mund ta zbusë dëmtimin e atij imazhi të institucioni të Prokurorit të Shtetit”, tha Rrecaj.

Ndërkohë, vet kryeprokurori, Aleksandër Lumezi tha për Radion Evropa e Lirë se që përveç se është dëmtuar ai personalisht nga akuzat e ngritura ndaj tij, është dëmtuar edhe institucioni i Prokurorit të Shtetit. Pasi, siç tha ai, raste të tilla ndikojnë në dobësimin e besimit të qytetarëve ndaj këtij institucioni.

“Mendoj se edhe vet shteti i Kosovës është goditur, pasi janë shpikur dhe sajuar informacione se Kryeprokurori nuk e ka dhënë provimin e jurisprudencës, dhe kjo është bërë me një qëllim, që të krijohet kaos brenda pushtetit gjyqësor, e që është institucion shumë i rëndësishëm, me qëllim që të kërkohen ndryshime brenda këtij sistemi”.

“Por, mendoj se qëllimi ka qenë edhe që të dëmtohet sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Lumezi.

Në anën tjetër, Enver Hasanit thotë se qëndron prapa asaj se ‘zoti Lumezi e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës’, ndonëse tashmë hetimet janë zbardhur.

Hasani tha për Radion Evropa e Lirë se qëndron prapa akuzave që i kishte bërë Lumezit, duke besuar se ai nuk e ka të përfunduar provimin e jurisprudencës.

“Ai nuk ka provim, ai e ka falsifikuar provimin. Ato që i ka thënë ai në aktvendim, është çdo gjë kundërligjore, prej mënyrës se si ka nisur hetimi e deri tek aktvendimi. Ata kanë bërë hetim për veprën që është vjetruar. Këtu nuk shtrohet çështja e falsifikimit, por e përdorimit të dokumentit të falsifikuar. Çdo provë që është në aktvendim nuk flet se është reale”, tha Hasani.

Me akuzat e Hasanit, nuk pajtohet aspak Lumezi, i cili sqaron sërish çështjen e provimit të tij të jurisprudencës.

“Unë provimin e jurisprudencës e kam dhënë në vitin 1991, pasi që e kam kryer praktikën në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës dhe iu kam nënshtruar atij provimi. Më pas kam qenë në riprovim, ku herën e dytë e kam dhënë këtë provim”, tha Lumezi.

Sidoqoftë, pavarësisht polemikave, Prokuroria tashmë e ka shpallur të mbyllur ‘çështjen Lumezi’.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, përmes një komunikate kishte konfirmuar se ka përfunduar procesin e grumbullimit të të gjitha informacioneve dhe fakteve të nevojshme që kanë të bëjnë me pretendimet e ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, se dosja e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është e falsifikuar. Në një komunikatë të lëshuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, thuhet se hetimet e këtij rasti e janë bërë nga një prokuror vendor nën monitorimin e vazhdueshëm të një prokurori të EULEX-it.

“Pas analizimit të hollësishëm të të gjitha informacioneve dhe provave të grumbulluara, si dhe deklaratave të siguruara nga të gjithë personat zyrtarë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin përgjegjës për administrimin e procesit të paraqitjes dhe regjistrimit të provimit të jurisprudencës, si dhe të lëshimit të certifikatave për dhënien e këtij provimi, Prokuroria Themelore ka nxjerrë përfundimin se pretendimet e zotit Hasani nuk janë të vërteta, ngase nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera