Sport

Vëmendja në Gjilan

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 20 October 2017

Xhiroja e 11-të e Superligës së Kosovës në futboll do të nisë sot, me katër ndeshjet e para, shkruan sot gazeta Zëri.

Pa dyshim, ajo më interesantja do të zhvillohet në Gjilan, ku Drita e pret kampionin aktual të Kosovës, Trepça ’89.

Gjilanasit po shfaqin formë të shkëlqyeshme në xhirot e fundit dhe do të mundohen ta mposhtin edhe ekipin mitrovicas.

-Advertisement-

Megjithatë, ekipi i Milaim Zuzakut nuk do të ketë punë aspak të lehtë pasi “Xehetarët” shkojnë në Gjilan të supermotivuar pasi ata do t’i udhëheqë për herë të parë në këtë sezon trajneri i ri Gani Sejdiu, i cili e mori në dorë ekipin të mërkurën.

 

Kjo nuk është ndeshja e vetme interesante që pritet të zhvillohet të premten pasdite. Lojë mjaft dramatike pritet të jetë edhe ajo në mes të Lirisë dhe Llapit.

Prizrenasit janë të vendosur që së paku në shtëpi të mos lëshojnë punë, ndërsa lideri aktual po ashtu ka nevojë për pikë për të qëndruar në krye të tabelës së Superligës.

Ndërkohë, kjo xhiro e sjell edhe derbin kuqezi në mes Flamurtarit dhe Vëllaznimit. Prishtinasit janë në kërkim të fitores së dytë, e cila do t’ua mbante gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa gjakovarëve do t’u mjaftonte edhe një barazim në kryeqytet.

Dueli i katërt dhe i fundit që luhet sot është ai në mes rivalëve lokalë, Drenica e Feronikeli.

Të dyja ekipet ndajnë pozitat e poshtme të tabelës dhe trepikëshi për to do të ishte një oksigjen.

“Nikli” është bërë specialist i barazimeve, pasi deri më tash ka 6 sosh, prandaj një “X” në këtë ballafaqim nuk është i pamundshëm.

Dy ndeshje të shtunën

Kjo xhiro vazhdon të shtunën me dy ndeshjet e fundit. Prishtina, pas fitores së madhe në Mitrovicë ndaj Trepçës ’89, do të synojë ta vazhdojë formën e mirë dhe ta mposhtë Besën në Drenas, ku po luan si vendës këtë edicion.

Megjithatë, pejanët do të luajnë me të gjitha forcat për të marrë pikë pasi pozita momentale e tyre në tabelë është mjaft brengosëse.

Dueli i fundit i kësaj xhiroje është ai në mes Gjilanit dhe Vllaznisë.

Ekipi i Arbnor Morinës është i vetmi që nuk ka pësuar humbje këtë sezon dhe do të mundohet të fitojë edhe ndaj skuadrës nga Pozherani, e cila e mban pozitën e fundit në tabelë.

Për ekipin e Bylbyl Sokolit ky është njëri nga trenat e fundit për të mbijetuar në elitën e futbollit kosovar.

Duhet cekur se xhiroja e 12-të do të zhvillohet menjëherë mesjavën që vjen, me ndeshje tjera mjaft interesante. /Zëri/

Superliga – Java e 11-të

E premte

Liria – Llapi

Drita – Trepça’89

Flamurtari – Vëllaznimi

Drenica – Feronikeli

E shtunë

Prishtina – Besa

Vllaznia – Gjilani

Ndeshjet fillojnë në orën 14:00

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera