Si po e pëson ‘Trepça’ nga mungesa e institucioneve
Autori: Gazeta inFokus 14:38 | 29 August 2017
Për afër një vit që nga miratimi i Ligjit për Trepçën, autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur të bëjnë as edhe një hap para, për siç është synuar, rimëkëmbjen dhe zhvillimin e kombinatit Trepça.
Kombinati Trepça, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishe në të kaluarën, Trepça numëron aktualisht rreth 1,400 punëtorë.
I gjithë procesi që do të duhej të kalonte kombinati Trepça pas miratimit të Ligjit në tetor të vitit të kaluar dhe t’i hapej rruga e zhvillimit, ka mbetur peng i problemeve politike.
Aktualisht, siç thonë përfaqësues të Trepçës, gjithçka që ndërlidhet me Trepçën ka mbetur e ngrirë deri në formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se kombinati Trepça po përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit e të cilët po sjellin jo pak probleme.
“Për fat të keq Ligji nuk është bërë funksional dhe funksionalizimi është vështirësuar tej mase, pasi që aktualisht as nuk jemi si një ndërmarrje shoqërore në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e as në Qeveri dhe kjo po sjell telashe. Institucionet shtetërore duhet t’i kryejnë obligimet edhe pse faktet po falsin të kundërtën”.
“Çështja e funksionalizimit të Ligjit është dashur të përfundojë qysh moti, por ne po bëjmë përpjekje maksimale që këtë periudhë të tranzicionit ta tejkalojnë pa telashe serioze”, thekson Tmava.
Çdo vonesë që po bëhet në çështjen e Trepçës, shton Tmava është e dhimbshme, pasi që zhvillimi i Trepçës kishte mundësuar hapje të vendeve të reja të punës, rritje të prodhimi dhe të shihet interesi në shfrytëzimin e resursit.
Në anën tjetër, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës, gjendjen në këtë ndërmarrje e paraqet mjaft shqetësuese.
Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ndërmarrja po shkon drejt falimentimit.
“Kemi ngecur kemi rënie të prodhimit. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak, në gjashtë mujorin e parë kemi 6 mijë tonë më pak të prodhimit të xehes. Trepça nuk është duke u menaxhuar si duhet. Ka vakum institucional, janë duke u neglizhuar punët, nuk ka prodhim të mirë. Punëtorët kanë pritur që po formohen institucionet e reja të Kosovës, nëse kjo gjendje vazhdon, Trepça shkon drejt falimentimit”, thotë Sadiku.
Ndërkohë, Sadiku shton se edhe kushtet në të cilët po punojnë punëtorët e Trepçës janë nën nivelin e duhur.
“Kushtet për punëtorët janë të rënda, ata po përballen me probleme të ndryshme, probleme të veçanta janë kushtet e ambientit, mikroklimës”, thekson Sadiku.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza politike afekton ndërmarrjen Trepça dhe pamundëson zbatimin e dispozitave të Ligjit mbi Trepçën.
“Është e nevojshme që Kosova të ketë institucione funksionale qeveritare që mund të marrin vendime dhe të shtyjnë përpara ristrukturimin e ndërmarrjes Trepça. Pavarësisht rolit që Qeveria duhet të ketë për Trepçën, ajo çfarë OEAK ka potencuar është e rëndësishme përfshirjen e kapitalit privat në ndërmarrjen Trepça, pasi që kjo në një masë do të reduktonte rolin që vetë shteti ka në drejtimin dhe menaxhimin në një ndërmarrje të tillë strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Zeka.
Në kohën kur ishte miratuar Ligji për Trepçën, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ishin shprehur të gatshëm që të përfundohet sa më shpejt çdo procedurë e nevojshme që të fillohet me zbatimin e këtij Ligji.
Ata ishin shprehur optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t’i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën.
Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën. /rel/.
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...