Sport

Skënderbeu do kualifikimin, presion Dinamos: Ju pret humbja

Autori: Gazeta inFokus 13:43 | 23 August 2017

Skënderbeu do të presë të enjten në “Elbasan Arena” Dinamon e Zagrebit, për ndeshjen e kthimit “play-off” të Ligës së Europës. barazimi 1-1 në takimin e parë i jep avantazhe të dukshme skuadrës korçare që të sigurojë një tjetër rezultat pozitiv që do ta kualifikonte në fazën e grupeve të këtij aktiviteti.

Padyshim, nuk është vetëm rezultati premtues, por edhe loja e mirë që ka bërë Skënderbeu në “Maksimir” të Zagrebit një javë më parë, ku ishte duke e fituar ndeshjen deri në minutën e pestë shtesë. Një pozicionim jo efikas, shoqëruar dhe me një pozicion të parregullt të sulmuesve kundërshtarë, solli ndëshkimin, pra barazimin, gjë që e penalizon mjaft skuadrën korçare.

Tani ndeshja e kthimit do të luhet në “Elbasan Arena” dhe Skënderbeu do të ketë mbështetjen e zjarrtë të tifozerisë korçare por edhe asja të Elbasanit e kryeqytetit, të cilët dëshirojnë një ekip shqiptar në fazën e grupeve të Europa League. Skënderbeu e ka një eksperiencë të mirë dy vite më parë dhe mund ta përsërisë këtë sukses. Korçarët janë entuziastë dhe kjo shprehet nga presidenti Ardian Takaj e deri tek lojtarët e ekipit.

-Advertisement-

Trajneri Ilir Daja është kujdesur për të bërë një program stërvitor të kombinuar me elementë fizikë, teknikë e taktikë, duke mos e ngarkuar aq shumë grupin me veprime të lodhshme fizike se sa me ushtrime taktike të sulmit e kundërsulmit, pa lënë mënjanë direktivat për mbrojtjen, në mënyrë që ndaj Dinamos të zhvillohet një lojë komplekse me qëllim fitoren.

Daja ka kërkuar nga lojtarët e tij të luajnë shpejt dhe saktë dhe pritet të bëjë ndryshime në modulin e lojës. Në të vërtetë lojtarët që do të zbresin në fushë do të jenë po ata që luajtën në “Maksimir” të Zagrebit, por këtë herë trajneri Daja synon që lojtarëve të veçantë t’u japë detyra të veçanta, në mënyrë që të sigurohet objektivi, pra rezultati i duhur që e kualifikon Skënderbeun në fazën e grupeve të Europa League. Përveç presidentit Takaj dhe trajnerit Daja, optimist janë dhe lojtarët e tjerë korçarë, të cilët e besojnë fitoren. Midis tyre spikasin dy korçarët 24-karatësh të Skënderbeut, Tefik osmani dhe Sabien Lilaj, të cilët kanë formë të mirë sportive dhe pritet të kordinohen së bashku në qendër të mesfushës, për të provuar si shkatërrimin e aksioneve të kundërshtarit, ashtu dhe ndërtimin e lojës sulmuese të ekipit të Skënderbeut. Si Lilaj dhe Osmani besojnë se fiton Skënderbeu dhe kanë besim të plotë se korçarët shkojnë në fazën e grupeve të Europa League. Dhe jo vetëm ata, por të gjithë lojtarët e Skënderbeut paralajmërojnë Dinamon e Zagrebit se këtë herë i pret humbja në “Elbasan Arena”.

Ish-presidentit të Dinamos i bëjnë atentat

Ish-presidenti i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, ishte objekt i një atentati me armë në qytetit Zidine, pranë Tomislavgradit në Bosnjë Hercegovinë, ku çdo vit udhëton për të përkujtuar babain e tij, i ndarë nga jeta 14 vite më parë. Mësohet se 58-vjeçari, është qëlluar dy herë me armë në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas ndihmës së shpejtë që iu dha nga spitalin e qytetit, madje pasi mori mjekimin e nevojshëm me kërkesë të tij është drejtuar drejt Zagrebit. Policia kroate dhe ajo e Bosnjë-Hercegovinës kanë nisur hetimet për tentativë vrasjeje, por pa dhënë informacione të detajuara për atentatorët.

Mësohet se Mamiç është sulmuar nga disa persona të cilët kanë mundur të fshihen në pyllin që ndodhet pranë vendin të ngjarjes. Zdravko Mamiç është aktualisht anëtar i këshillimit administrativ të Dinamos së Zagrebit, ndërsa nga viti 2003 deri më 2016 ka qenë president i skuadrës kroate, duke fituar 12 tituj kampion radhazi nga 2005. Ai është një njeri kontrovers dhe me shumë influencë në futbollin kroat. Gjatë epokës së tij Dinamo e Zagrebit ka shitur lojtarë të rëndësishëm të futbollit europian si Kovaçiç, Lovren e madje edhe Luka Modriçin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera