Lajme

A ka ndryshuar Isa Mustafa apo Vetëvendosja?

Autori: Gazeta inFokus 13:38 | 16 July 2017

Kur në dhjetor të vitit 2014, në Kuvendin e Kosovës po votohej Isa Mustafa për kryeministër, kryetari aktual i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, krahas deklarimeve që i pati bërë edhe pretendenti i tashëm për kryeministër, Albin Kurti, i pati thënë disa fjalë aspak të këndshme për Mustafën.

Ani pse për disa muaj rresht kishin vepruar si partnerë në kuadër të koalicionit LVAN, Ymeri ia pati përkujtuar PDK-së se e akuzonte VV-në për bashkëpuinim me ish- ministrin e Rrahman Morinës, shkruan AktivPress.

“Ju që neve na akuzonit se po bashkëpunojmë me një ish ministër të Rrahman Morinës, ju po e bëni të njëjtin kryeministër. Pra, a keni ndryshuar ju, a paska ndryshuar ky? Sipas fjalëve që ju i keni thënë, po them, se nuk po aludoj në asgjë tjetër”, pati deklaruar Ymeri gjatë fjalimit në Kuvend, duke shprehur bindjen se e keqja do të niste kur të niste punën Qeveria e Mustafës.

-Advertisement-

Dhe pa u bërë tri vjet të plota, Qeveria Mustafa ra.

Atë ditë maji, shefi i Grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ishte shumë më i vrazhdë se ç’ishte më herët Ymeri.

Ai deklaroi se programi qeveritar i Isa Mustafës fillon dhe përfundon te kolltuku.

“Nëse ia ofroni kolltukun, nëse ia ofroni pozitën, të gjitha ato që i thotë, bien në ujë, sepse ai është parimi dhe programi qeveritar i tij. Është karrigia e kryeministrit. Dhe, kjo s’ka lidhje të bëjë as me qytetarët e Kosovës, e as me shtetin tonë. Pra, që kur ka lindur ky, ky ka lindur me mosbesim. Nuk është se po ia krijojmë ne mosbesimin tash, në vitin 2017. Isa Mustafa në vitin 2014 ka lindur me mosbesim;, ka deklaruar Konjufca, percjellë AktivPress.

Ai pati shtruar edhe pyetjen: Si mund të krijojë një qeveri besim, kur njeriu kryesor i saj është aq i pabesë, dhe nuk ka besë.

Por tash Vetëvendosje e sheh ndryshe Isa Mustafën dhe partinë që e drejton ai.

Drejtuesit e VV-së janë të gatshëm të bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje me një të “pabesë”.

Tash, a ka ndryshuar Isa Mustafa, apo Vetëvendosja?/AktivPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera