Lajme

Kalaja e Vushtrrisë shndërrohet në restorant pa dijeninë e komunës

Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 14 July 2017

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Vushtrrisë, Shpresa Rama, ka bërë të ditur se Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë në shfrytëzim Kalanë e qytetit të Vushtrrisë, pa dijeninë e institucioneve lokale.

Rama, nëpërmes një shkrimi në Facebook, ka treguar se Kalaja e Vushtrrisë është dhënë për shfrytëzim si restorant dhe për këtë nuk është paralajmëruar drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Vushtrrisë.

Ky është shkrimi i plotë i Ramës:

-Advertisement-

“Instituti për mbrojtjen e monumenteve e jep kalanë e Vushtrrisë në shfrytëzim pa asnjë paralajmërim”

Veprimet e pamatura institucionale dhe të pakoordinuara të cilat gjejnë zbatim në një numër jo të vogël të rasteve, dinë të surprizojnë për të keq dhe të godasin në pika shumë të ndjeshme shoqërore. Kësaj radhe konsideroj që është goditur një fushë e cila ka nevojë për më shumë trajtim dhe përkushtim, u godit arti dhe kultura vushtrriase e posaçërisht të rinjtë e këtij qyteti.

Monumenti në fjalë i cili radhitet ndër të parët në vendin tonë si më i shfrytëzuari nga qytetarët e regjionit dhe gjithë Kosovës, është dhënë nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në shfrytëzim për t’u kthyer në Restorant, pa dijen time dhe pa asnjë paralajmërim që diçka e tillë është duke ndodhur.

Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve i jemi drejtuar në mënyrë zyrtare me një shkresë mbi arsyen dhe mënyrën e dhënies në shfrytëzim të monumentit, hapjen e ankandit dhe të gjitha procedurat tjera deri tek dhënia e saj, por ata as nuk e morën mundin të paralajmëronin e as të përgjigjeshin në kërkesën tonë.

Drejtoria jonë një gjë të tillë e kuptoi ditën kur përfaqësues të Institutit në fjalë erdhën të kërkonin çelësat e Kalasë. Konsideroj gjithashtu që në këtë rast është shfrytëzuar në mënyrën më tinëzare vakumi institucional dhe mungesa ime në punë për arsye shëndetësore.

Unë personalisht si Drejtoreshë e DKRS-së në Vushtrri dhe Institucioni të cilin unë e drejtoj, kontestojmë këtë veprim dhe do të kërkojmë mbështetje nga të gjithë dashamirët e trashëgimisë kulturore që të hulumtojmë dhe të kërkojmë qasje në dokumentet zyrtare ashtu siç e parasheh ligji për qasje në këto dokumente:

(LIGJI Nr. 03/L-215 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE, (Neni 4 – E drejta e qasjes në dokumente)

1. Çdo kërkues i dokumentit, ka të drejtë në qasje të dokumenteve të institucioneve publike, duke iu përmbajtur parimeve, kushteve dhe kufizimeve të përcaktuara me ligj.)

Në një publikim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të datës 04.11.2014 në të cilin prezantohen investimet në Restaurimin e Kalasë së Vushtrrisë theksohet se MKRS-ja ka investuar 110 mijë euro dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë 350 mijë euro për këtë restaurim. Gjithashtu citohet se “Kalaja, e cila është ndërtuar në shekullin VII, gjatë epokës bizantine, konsiderohet një prej vlerave të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore që i ka mbijetuar periudhave të ndryshme. Ky objekt është në listën e prioriteteve të MKRS-së dhe është nën mbrojtje.

Pala jonë dëshiron të informohet në mënyrë zyrtare se në bazë të cilit dokument dhe cilit nen jepet në shfrytëzim në objekt i trashëgimisë kulturore i cili është nën mbrojtje, për tu shfrytëzuar si Restorant. Ne duam të zbardhim një të vërtetë e cila për ne është mjaftë e dyshimtë.

Prandaj, kërkoj përsëri në mënyrë publike nga Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore z. Agim Gërguri, që t’i përgjigjet letrës të cilën ia kam drejtuar me e-mail sepse tash e sa ditë nuk e mori mundin të kthejë një përgjigje, e lus të më drejtohet me pikat ligjore në të cilat është bazuar për një veprim të tillë, të më njoftoj se ku u hap ai ankand që askush nuk e pa, të më dërgoj kontratën dhe detajet tjera që po mundohen t’i fshehin nga ne sepse do të këmbëngulim derisa ta kuptojmë këtë të vërtetë.

Kalaja e Vushtrrisë është monument i cili u shfrytëzua çdo ditë nga të rinjtë dhe organizatat e ndryshme për trajtime dhe aktivitete kulturore rinore. Ky vend ishte shembull se si jetësohet një monument duke qenë përherë në shërbim të qytetarëve. Ky monument është mirëmbajtur nga DKRS-ja që e ka mbështetur gjithë infrastrukturën funksionale duke përfshirë mirëmbajtësit, ciceronin etj.

Një monument nën mbrojtje i cili fshehurazi është dhënë në shfrytëzim për një veprimtari joadekuate për vendin në fjalë konsiderojmë që është shkelje e rëndë e ligjeve në fuqi dhe përderisa të ketë respektim të normave ligjore dhe përderisa mbështetja qytetare të jetë në anën tonë, ky monument do tu takoj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët mund të vijnë kurdo si vizitorë dhe jo si klientë Restoranti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera