Sport

⚽ Behar Maliqi tregon synimet e Feronikelit

Autori: Gazeta inFokus 13:52 | 14 July 2017

Trajneri i ri i Feronikelit, Gani Sejdiu, do të flasë vetëm gjatë prezantimit të premten në Drenas, por për ndryshimet në këtë klub dhe për synimet e tij flet lideri i këtij ekipi, futbollisti thuajse më i mirë, Behar Maliqi.

“Ndihemi mirë që i kemi filluar përgatitjet për sezonin e ri. Për neve si futbollistë nuk ka rëndësi çështja e trajnerit. Ne jemi duke ushtruar me trajnerin Ramiz Dervishi dhe pavarësisht se kush është apo kush mund të bëhet trajner ne jemi aty për t’i kryer obligimet tona si futbollistë”, ka thënë Maliqi.

Ai beson se largimet e disa futbollistëve të rëndësishëm do të ketë kush t’i mbulojë.
“Është e vërtetë se nga skuadra janë larguar disa futbollistë shumë cilësorë, që ishin mjaft të rëndësishëm për Feronikelin. Mirëpo, siç dihet, Feronikeli ka pasur fond të madh me futbollistë cilësorë, ndoshta i kemi pasur dy ekipe me lojtarë kualitativë. Kështu që besoj se në Feronikel ka mjaft futbollistë që mund t’i zëvendësojnë ata që kanë shkuar”, ka deklaruar Maliqi për “Zërin”.

-Advertisement-

Ai ka theksuar se kryesia e klubit ia ka bërë të qartë grupit të futbollistëve se Feronikeli nuk ka krizë financiare, por ka stabilitet.

“Ata kanë kërkuar prej nesh vetëm disiplinë dhe angazhim, gjë që ne, futbollistët, padyshim se do ta bëjmë”, tha Maliqi.
“Objektivat tona në edicionin e ardhshëm janë të qarta. Synojmë të kualifikohemi në gara evropiane qoftë përmes titullit të kampionit apo përmes Kupës së Kosovës”, përfundoi ai.
Feronikeli në sezonin e fundit ka përfunduar në vendin e katërt dhe ishte eliminuar herët nga Kupa. /Zëri/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera