Lajme

Serbia Paguan Borxhin Miliardësh të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 15:39 | 12 July 2017

Megjithëse, Kosova luftoi për ndarje nga Serbia në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, Serbia vazhdon të paguajë borxhin e saj sepse e konsideron ish-krahinën si pjesë të territorit të saj.

Serbia do të paguajë gati një miliard euro për të mbuluar borxhet e jashtme të Kosovës sepse refuzon ta njohë pavarësinë e saj, tregojnë të dhëna të Bankës Kombëtare të siguruara nga BIRN.Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare, Serbia po paguan një borxh prej 932.73 milionë euro që është marrë në mes të viteve 1970 deri më 1990, kur Serbia dhe Kosova ishin pjesë të Jugosllavisë.

Ajo tashmë ka paguar gati 650 milionë euro dhe ka vetëm mbi 300 milionë të mbetura për t’i paguar ndaj kreditorëve të ndryshëm.

-Advertisement-

Borxhi është ristrukturuar gjatë viteve 2002-2005 dhe Serbia nuk është duke paguar asnjë borxh që Kosova ka marrë që nga ajo kohë.

“Serbia paguan këtë borxh sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj”, tha guvernatorja e Bankës Kombëtare të Serbisë, Jorgovanka Tabakovi1.

Shumica e parave janë borxh ndaj Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (433.31 milionë euro), Klubit të Parisit (297.2 milionë euro) dhe Klubit të Kreditorëve të Londrës (169.85 milionë euro).

Shuma më të vogla janë borxh ndaj Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës(5.79 milionë euro), Kompanisë së Hekurudhave Europiane “Eurofima”(4.62 euro), Kuvajtit (18.1 milionë euro) dhe Bashkimit Europian (430 mijë euro).

Serbia gjithashtu ka paguar 3.4 milionë euro borxh ndaj Libisë si dhe 1.57 milion borxh ndaj ish-Çekosllovakisë.

Beogradi ka ripaguar në mënyrë stabile që nga viti 2002 dhe tani ka borxh 304.54 milionë euro ndaj Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Klubit të Parisit dhe Londrës  si dhe Kuvajtit.

Borxhi ndaj BERZH-it duhet të paguhet deri në dhjetor të vitit 2031, borxhi ndaj Klubit të Parisit deri në mars të vitit 2041, Klubit të Londrës deri më 2024 si dhe ndaj Kuvajtit deri në korrik të vitit 2034, tha Banka Kombëtare për BIRN.

Serbia mori përsipër pjesën e borxhit të Kosovës nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. Kosova u lirua nga çdo përgjegjësi kur Beogradi largoi autonominë e saj në vitin 1989.

Pas kësaj, Serbia pagoi borxhet e Kosovës derisa sanksionet e OKB-së u imponuan ndaj Beogradit në vitin 1992. Më pastaj vazhdoi të paguante borxhet në vitin 2001.

Çështja e borxhit mbetet e pazgjidhur, pasi Serbia refuzoi ta diskutojë me Kosovën gjatë bisedimeve në Vjenë në vitet 2006-2007.

Ekspertët e Kosovës thonë se çështja duhet të zgjidhet dhe se Prishtina është e gatshme të paguajë pjesën e saj të borxhit në Jugosllavi, nëse Serbia dorëzon dokumentet që i ka marrë nga Kosova kur u detyrua të largohet prej saj në vitin 1999.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera