Lajme

Pushimet Shtyjnë Gjykimin për Plagosjen në Pompën e Benzinës

Autori: Gazeta inFokus 10:24 | 11 July 2017

Dy avokatë dhe një i akuzuar munguan në gjykimin për grabitjen dhe plagosjen në Pompën e Derivateve “Euro Jon”.

Ismet Krasniqi i akuzuari për ndihmë në grabitje në Pompën e Benzinës “Euro Jon” dhe avokatët Muhamet Humolli e Isak Hoxha nuk u paraqitën në gjykatë, duke ndikuar që seanca e gjykimit për grabitje të shtyhet.

Afrim Salihu, avokati i Ismet Krasniqit, tha se i mbrojturi i tij ndodhet jashtë vendit për trajtim mjekësor.

-Advertisement-

“Klienti im më ka lajmëruar që gjendet në Shqipëri për trajtim mjekësor, andaj nuk do të mund të jetë I pranishëm në gjykatë” tha avokati Afrim Salihu.

Vehbi Kashtanjeva, kryetari i trupit gjykues, tha se avokatët Muhamet Humolli dhe Isak Hoxha e kanë njoftuar me shkrim se do të mungojnë, pasi ndodhen në pushime.

Në gjykatë nuk u paraqit as i dëmtuari Bedri Krasniqi për të cilin Kashtanjeva tha se nuk ka prova nëse e ka pranuar ftesën për seancë në mënyrë të rregullt.

Më pas Kashtanjeva, seancën që nuk u mbajt e shtyu më 5 shtator.

Ismet Krasniqi akuzohet nga prokuroria se në mars të vitit 2016 në orën 14:00 kontaktoi me telefon të akuzuarit Denis Avdija, Argjend Gashi e Naser Cena, me të cilët pastaj u takua në parkingun e supermarketit “Sharri” në Llapushnik, duke u dhënë udhëzime për grabitjen në pompë.

Sipas aktakuzës, më 6 mars 2016 rreth orës 20:30 në fshatin Arllat të Drenasit, të pandehurit Denis Avdija dhe Argjend Gashi të armatosur dhe me maska të zeza në kokë, hynë në pompën e derivateve “Euro Jon” me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror.

Në aktakuzë sqarohet se ata e kërcënuan me armë punëtorin e pompës Bedri Krasniqin nga i cili kërkuan para.

Derisa Bedri Krasniqi po e fuste dorën në xhep për t’i nxjerrë paratë, i pandehuri Denis Avdija shtiu me armë në drejtim të tij dhe e qëlloi në këmbën e djathtë. Pastaj e goditi në shpinë, ndërsa më pas dy të akuzuarit ia morën paratë duke u larguar nga vendi I ngjarjes, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri tjetër Naser Cena u ndihmonte duke e përcjellë situatën nga jashtë. Pastaj, ai së bashku me Denis Avdinë e Argjend Gashin u nisën për në Ferizaj, ku Cena të njëjtëve ua pagoi hotelin për të fjetur.

Prokuroria pretendon se Ismet Krasniqi përveç që i udhëzoi tre të akuzuarit tjerë për grabitjen, i kontaktoi ata edhe gjatë dhe pas kësaj grabitjeje.

Në këtë proces gjyqësor Denis Avdija dhe Argjend Gashi akuzohen për veprën penale grabitje, kurse Naser Cena dhe Ismet Krasniqi për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Denis Avdija dhe Argjend Gashi po mbahen në paraburgim, ndërsa Naser Cena e Ismet Krasniqi po gjykohen në liri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera