Lajme

Albright: Kosova, lufta dhe fitorja ime!

Autori: Gazeta inFokus 23:50 | 02 July 2017

Jeta e saj është një thelë e historisë së botës. I kujtohen pjesët diplomatike, rrugët e luftës ose shakatë dhe takimet e vështira me Sadamin… Në librin e saj të kujtimeve “Madam Secretary”, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, tregon detajet të jetës së saj politike. Intervistën e saj më 2003, për gazetarin Philippe Coste në revistën franceze “L’Express” – që u botua edhe në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, me përkthim të Përparim Isufit – Telegrafi ua risjell më poshtë.

• Në librin tuaj, i cili është shkruar me një sinqeritet habitës, ju vëni në dritë në rrugën tuaj politike dhe diplomatike pa kursyer as detajet për jetën personale. Ju u jepni jashtëzakonisht shumë lexuesve. A keni përshtypjen se kjo është e pakuptueshme?

FËMIJËRIA ME KUJTIMET E BABIT DIPLOMAT

-Advertisement-

Albright: Besoj se kam paraqitur veten shumë të fortë, të tmerrshme, çfarë në të vërtetë nuk jam. Por, unë nuk u kam shkruar këto memoare për të rritur imazhin tim, por për të shpjeguar se si, për ndonjë punë ose për ndonjë rrezik, unë u bëra gruaja e parë sekretare e Shtetit në historinë amerikane. Unë mendoja gjithashtu se ky ishte mjeti më i gjallë për ta bërë të kuptueshme politikën e jashtme të shtetit tim.

• Që nga koha e fëmijërisë, jeta juaj i ngjan një doracaku të historisë ndërkombëtare…

Albright: Është e vërtetë. Jeta ime dhe ajo e familjes sime është një reflektim i së mirës dhe i së keqes së shekullit XX. Politika e jashtme ka qenë gjithmonë në plan të parë në të përditshmen time, ajo përfaqësonte një lidhje të fortë e cila më afronte me babain tim, një diplomat çekosllovak shumë serioz dhe strikt. Si e vogël, unë e shikoja atë, pa e kuptuar, duke bëtë nga njëqind hapa në kopshtin tonë të vogël në Londër me anëtarët e qeverisë çekosllovake në ekzil.

Kjo ka vazhduar edhe më tej, gjatë kohës sa ai ishte në OKB, pastaj gjatë ardhjes sonë në Denver, ku ai ishte profesor pas ndikimit komunist në shtetin tonë, gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Jeta jonë në ekzil, si emigrantë, ka qenë e determinuar nga aktet e fuqisë amerikane. Fakti se Amerika nuk është kalitur në Munih, se ajo ka hyrë në luftë kundër Gjermanisë për të na çliruar neve, ajo ka lënë rusët të pushtojë vendin tim, prandaj gjithçka ka ndryshuar për ekzistencën tonë.

Por, në fund, unë kam përjetuar një ëndërr, për një kthim të pagjasshëm të fatit derisa, duke qenë sekretare e Shtetit, në momentin kur Evropa Lindore çlirohej, unë kam kontribuar në aderimin e këtyre vendeve në NATO, një organizatë e lindur nga rënia e shtetit komunist në Pragë!

• Amerika nganjëherë nuk ka qenë mikpritëse për ju…

Albright: Para se të emigroj atje, gjithnjë kam qenë një e huaj. Ky ishte rasti derisa unë isha dy vjeçe, në Britani të Madhe, ku unë kam mësuar çekishten, gjuhën time amtare dhe në të njëjtën kohë edhe anglishten. Pastaj në Jugosllavi, në Zvicër… në Denver, unë isha një e emigruar e vogël, e veçuar. Na mungonin paratë atëherë kur isha në një shkollë të Midwest dhe prindërit e mi pëlcitnin nga stili dhe edukimi që na shpenzonte. Ndjehesha e vdekur nga turpi kur shihja nënën time tek bredhte lart e poshtë me rroba të modës së fundit, në kohën e modës etnike dhe babain tim në kravatë dhe kostum tripjesësh. Për më tepër, kuzhina e tyre më bënte të trashem! Gjithnjë kam një gëzim kur u tregoj studentëve amerikanë që babai im, që nga koha kur unë dilja me një djalë, na përcillte me veturë.

• A ju duket se keni ndier një nevojë fondamentale për t’u reintegruar?

“MË SHUMË I DUA SE QË MË DUAN”

Albright: E kam thënë këtë: më shumë i dua se që më duan. Unë jam një tip njeriu e aftë që të krijoj miq sa hap e mbyll sytë. Por, më vonë, në jetën time, unë e kam luftuar këtë instinkt, duke mbetur e mbyllur në pozitat jopopullore derisa u vunë në lojë çështjet parimore. Transformimi ka ndodhur kur unë kam hyrë në OKB. Më parë, tendenca ime natyrale ishte që të kënaqem me babain tim, burrin tim dhe patronët e mi. Prioritet imi ishte të mbetem në lojë.

• Çfarë loje! Ju paraqiteni si një bishë politike, një grua e vërtetë e rrjetit…

Albright: Ajo çka është e marrë në këtë histori, është mënyra në të cilën kjo ka filluar… Unë isha një nënë e qetë, grua e një gazetari plot gjallëri, pjellë e një familje të madhe gazetarësh. Duke zgjedhur gabimisht të bëhem gazetare dhe duke pritur të bëhem profesoreshë, sikur babai, unë u desh të preokupohem me mbledhjen e fondeve, kërkimin e fondeve për shkollën private të vajzave të mia. Kjo ndodhte në Uashington, qytetin e kontakteve, dhe kjo ka tërhequr efikasitetin tim, kapacitetin për të mbajtur angazhimet e mia, në kohën kur nga unë është kërkuar angazhimi për fushatën zgjedhore të senatorit Muskie.

Nga ana tjetër, unë me ngulm mësoja në doktoratën për marrëdhëniet ndërkombëtare. Si do të kisha imagjinuar unë se Zbigniew Brzezinski, profesori im në Kolumbi, të hynte në Këshillin Nacional të Sigurisë, të drejtuar nga Jimmy Carter, dhe të më regjistronte atje? Kjo rrugë është pak a shumë përgjigjja ime për të gjithë ata të cilët në rrethin tim më prezentonin atëherë si thikën e dytë në shtëpinë tonë.

• Si ju ka zgjedhur Cill Klinton si ambasadore të SHBA-ve në OKB?

Albright: Unë merrja pjesë për një kohë të gjatë në rrethet e reflektimit të demokratëve mbi çështjen e politikës së jashtme dhe jepja mësim në Georgetown, ku për katër vjet rresht isha zgjedhur profesori më i mirë. Clinton më ka thënë se ky detaj kishte qenë vendimtar.

• Është i njohur te ju arti për të dhënë një mesazh…

Albright: Në fillim kjo ishte shumë e frikshme. Unë asnjëherë nuk kam qenë diplomate. Për më shumë, unë isha e vetmja grua, i vetmi fustan në mesin e 14 kostumeve të përfaqësuesve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por, unë përfaqësoja Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo mjaftonte që unë të them diçka. Më vonë u bë që unë të mund të shkëputem nga tekstet e mia të përgatitura dhe të gjej stilin tim të vërtetë. Më kujtohen britmat e zemërimit rreth propozimeve të mia rreth pilotëve kubanezë të cilët kishin rrahur një avion aktivistësh. Vetëm broshurat e mia ishin mesazhe. Unë kisha bartur, për herë të parë, një gjarpër të vogël si përgjigje ndaj fyerjeve nga Sadam Hyseini. Unë vendosa një top të vogël sa nuk kisha post të rëndësishëm dhe një fushqetë gjatë kohës sa isha sekretare e Shtetit. Negocioja me sovjetikët për traktatin e raketave antibalistike.

• A ndiheni e përkushtuar ndaj ndonjë misioni?

Albright: Isha e fascinuar nga OKB-ja gjithnjë duke qenë e vetëdijshme për ndryshimet dhe vështirësitë e saj për të përmbushur qëllimet enorme të cilat ia besonin shtetet anëtare që nga suksesi i koalicionit në Irak në vitin 1991. Unë e dija, për shembull, se është e padrejtë t’ia japësh OKB-së përgjegjësinë e dështimit të operacionit në Somali. Pastaj, unë kam vuajtur rreth çështjes së Ruandës, por ne kishim përjetuar një katastrofë në Mogadishu dhe ne nuk mundnim të implikoheshim lehtë në Afrikë. Duhet përkujtuar kontekstin: një kongres armiqësor i cili refuzonte të paguante kotizimin amerikan në OKB, por tallej me joefikasitetin dhe kërkonte reformë të menjëhershme.

• Jeni akuzuar nga sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i OKB-së, Butros Gali, si një cjap emisare politike…

“PËR MUA, MILOSHEVIQI ËSHTË TIP DEMI”!

Albright: Unë kam ndier për të një admirim dhe një afeksion të sinqertë, por ai më ka zhgënjyer në shumë dosje, siç është ajo e Ruandës ose Bosnjës. Sidomos, unë besoj se ai nuk e kuptonte në mënyrë të mirëfilltë se imazhi i tij në publikun amerikan ishte katastrofal. Ai shikohej si një snob hundëpërpjetë dhe i pakuptueshëm. Butros Gali, që nga zgjedhja e tij, ka qenë i angazhuar ta përmbush vetëm një mandat në OKB dhe derisa ai filloi të bëjë fushatë direkte tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit për ta ruajtur funksionin e tij, ai ka kontribuar për ta rritur fatin e tij në një kaos të cilin francezët që e mbështesnin nuk kanë qenë të përjashtuar. Unë kam tentuar për t’i ofruar atij një sjellje të ndershme, por ai dëgjonte vetëm mendjen e vet.

• Emërimi juaj si sekretare e shtetit ka koinciduar me një kundërthënie: ju keni qenë e akuzuar se keni dashur të fshihni, ndoshta për shkak të ambicieve politike, prejardhjen tuaj çifute dhe vdekjen e gjyshërve në kampet e përqendrimit…

Albright: Që nga hyrja ime në OKB unë kam filluar të pranoj të gjitha llojet e letrave fantastike, duke kërkuar nga unë para dhe viza… Dhe pastaj, një ditë, një nga ato mu duk më konfidenciale se të tjerat dhe përmendte historinë e familjes sime. Do të provoj t’ju shpjegoj më mirë… Unë nuk jam rritur me gjyshërit. Në vitet 1950 epoka kur antisemitizmi ishte real, babai dhe nëna ime nuk ishin shmangur krejtësisht nga Holokausti, por asnjëherë asnjëherë nuk kanë vënë në dispozicion informatat që mund ta lidhin këtë. Në shkollë unë jam regjistruar si katolike… Kam vuajtur shumë për shkakun se e gjithë kjo ka qenë bërë publike. Thashethemet do të fillonin të rrjedhnin atëherë kur unë isha e bllokuar në Uashington me audicionet preliminare në kongres dhe kur nuk mundja të kthehesha në Pragë. Ende mendoj për mbrëmjen e fjalimit të presidentit: në këtë moment, si gruaja e parë sekretare e Shtetit në historinë amerikane, unë drejtoj kabinetin presidencial në gjysmërreth, atëherë kur një artikull në “Uashington Post” më trajtonte të njëjtën ditë si gënjeshtare dhe merrej me të pavërteta rreth prindërve të mi!

• Çifti Clinton ju ka mbështetur në këtë. Çfarë raportesh mbanit me ta?

Albright: Relacione të besueshme dhe sinqeritet admirues. Ata janë njerëz dashamirës dhe jashtëzakonisht të hapur me të tjerët. Unë kisha takuar Bill Clintonin derisa bëja fushatën për Durakis. Hillary dhe unë, të dyja, ishim thellësisht të përkushtuara për studimet në kolegjin e femrave në Wellesley. Ajo vinte shpesh tek unë në Nju-Jork derisa unë isha në OKB dhe ne këmbenim shumë çështje ndërkombëtare të cilat na pëlqenin që t’i bisedonim. Me Billin unë realisht isha në fazë, dhe kur unë kam besim në dikënd, atëherë angazhohem. Kjo është edhe shkaku pse unë isha njëra nga të parat që kam hedhur poshtë akuzat kundër tij në aferën “Levinski”. Unë kam qenë shumë e zhgënjyer kur kam mësuar se ai ka gënjyer, gjithashtu edhe kur kam dëgjuar për kërkimfaljet e zbutura para stafit dhe kabinetit të tij. Por mirë, për çiftin… Kjo zbulon jetën e tyre private. Përveç kësaj, mund t’ju them se edhe unë kam pasur ndonjëherë probleme me ish-burrin tim…

• Të flasim pak të postin e sekretares së Shtetit. Colin Powell, atëherë komandant në armatë, tregon që ju keni provokuar tek ai një thyerje anevrizmi?

Albright: (Qeshet) Në atë kohë isha në debat të plotë rreth rolit të armatës dhe përdorimit të forcës. Për mua, Milosheviqi ishte një tip i njëjtë me demin në oborr të rekreacionit. Kjo ma bëri të padurueshme të dëgjoj Powellin duke më pyetur rreth asaj se çka do t’i thoja unë një nëne të ushtarit të vrarë në një betejë në tokë të huaj. Kjo është e vërtetë, unë atë e pyeta se për çka shërben armata e tij e mirë nëse askush nuk mund ta përdorë atë…

• Ofensiva amerikane në Kosovë është quajtur “lufta e Medlinit”….

Albright: Në fillim kjo nuk ishte kompliment. Shumëçka çrregullohej. Kam jetuar momente personale shumë të rënda, kur kam mësuar se një bombë ka dështuar cakun e vet për të goditur civilë të pafajshëm dhe kur një nga pilotët tanë ishte zhdukur. Por kjo nuk i ka ndryshuar bindjet e mia: unë i kisha parë fytyrat e refugjatëve dhe vuajtjet që i përjetonin ata, këta njerëz të dhunuar… Në fund, ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Joschka Fischer, ka thënë një fjalë gjentile, duke folur për “luftën e Medlinit” dhe “fitoren e Medlinit”. Kjo nuk ishte një fitore, por një përgjegjësi e jashtëzakonshme…

• A ka ndonjë lidhje logjike mes politikës së suaj rreth Irakut dhe invasionit amerikan atje nga administrata e presidentit Bush?

Albright: Në njëfarë mënyre, po. Por, Qeveria e Bushit ka mbrapshtuar këtë logjikë. Unë do të kisha mundur, për shembull, ta mbaj të njëjtin fjalim të cilin e ka bërë Xhorxh Bush në OKB në vitin 2002, për të thënë se Sadam Huseini është një diktator i tmerrshëm i cili ka masakruar popullin e tij dhe ka hudhur poshtë rezolutat e OKB-së. Politikë jona ishte që ta fusim atë në shishe, pa dëmtimin e shtetit. Unë do të doja të di se çfarë urgjence ka mundur të lëshojë kjo qeveri për ta rrëzuar atë nga pushteti, çfarë lidhjesh – unë nuk kam mundur të shoh asnjë – ka mundur t’i gjej atij me Al Kaidan dhe 11 shtatorin, dhe çfarë rreziku iminent përbënin armët e shkatërrimit në masë të cilat askush nuk i ka gjetur deri më tash.

• A paraqet karriera juaj një fitore kundër maçoizmit?

Albright: Unë vullnetarisht jam ndalur t’i tregoj dikujt disa shenja të dobësisë. Asnjëherë nuk kam qarë, për shembull, atëherë kur njerëzit sot kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Kam qëndruar nëpër tribuna në pikë të diellit, me frikën se tashti do të shqetësohem dhe do të konfrontohen paragjykimet e gjinisë së dobët. Por, në themel të kësaj, pak ishte me rëndësi për bashkëbiseduesit e mi të huaj që unë isha një grua. Unë arrija me një avion të madh në të cilin ishte mbishkrimi “Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe kjo donte të thoshte shumë. Në mënyrë kurioze, unë kam jetuar zhgënjimet e mia më të mëdha me kolegët amerikanë, njerëzit të cilët më njihnin, të cilët kishin drekuar tek unë dhe ata nuk arrinin ta kuptonin se si kisha mundur ta kem këtë punë dhe si mund të bëhet historia.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera