Uncategorized

Ja çfarë duhet ndryshuar në mënyrë që certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të përshpejtohet

Autori: Gazeta inFokus 09:51 | 28 June 2017

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), afër një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 qershorit nuk ka arritur të certifikojë rezultatet.
Madje zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë ndonjë datë se kur do të bëhet certifikimi i rezultateve.

Por, për përfaqësues të organizatave civile të cilat merren edhe me proceset zgjedhore japin disa arsye pse ndodh një vonim në certifikimin e rezultateve.

Valmir Isamili nga Demokraci Plus (D+), thotë për lajmi.net, se sistemi zgjedhor i ndërtuar në Kosovë, përkatësisht mënyra e administrimit të zgjedhjeve është e tillë që pamundëson shpallje të shpejt të rezultateve finale.

-Advertisement-

 “Parregullsitë që bëhen në vendvotime, e që kryesisht bëhen për shkak të mos-përgatitjes së mirë të komisionerëve (duke mos përjashtuar edhe parregullësitë e qëllimshme), votat me kusht, ato me postë dhe afatet shtesë për ankim të parregullësive në PZAP dhe gjykata janë elementet kryesorë që pamundësojnë që të kemi shpallje të shpejtë të rezultateve”, ka thënë ai.

Megjithatë, Ismaili ka thënë ka përmendur disa mënyra se si do të mund të evitohej vonimi i certifikimi të rezultateve..

“E para do të ishte de-politizimi i këshilla të vendvotimeve, psh. rolin e komisionerit ta luanin ta zëmë shërbyesit civil. Në këtë mënyrë parregullsitë do të ishin më të vogla, si rrjedhojë nuk do të kishte nevojë për rinumërime qysh e kemi tani rastin. E dyta, eliminimi i votimit me kusht. Vota me kusht është karakteristikë e vendeve post-konfliktuoze dhe Kosova nuk ka nevojë që më të ketë votim të tillë. E treta, identifikimi elektronik i votuesve. Kjo do të evitonte votimin në emër të dikujt tjetër, por në të njëjtën kohë edhe do të përshpejtonte procesin e numërimit të votave me postë (edhe atyre me kusht nëse do të mbeteshin si mundësi) sepse shumë lehtë do të mund të evidentohej se kush ka votuar në procedurë të rregulltë dhe procesi i tanishëm i skanimit do të ishte i panevojshëm”, ka thënë ai për lajmi.net.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se legjislacioni në fuqi nuk parasheh ndonjë afat kohor për certifikimin e rezultateve. Sipas tij më e rëndësishme se shpejtësia është saktësia e rezultateve.

“Legjislacioni nuk ka paraparë afate deri në certifikim të rezultateve me qëllim që mos të ketë presion nga KQZ, e që si rrjedhojë do të mund të shkaktoheshin pasaktësi. Periudha kohore që kësaj radhe po i duhet KQZ-së për të shpallur rezultatet është përafërsisht e njëjtë me atë të zgjedhjeve të kaluara. Pra, nuk ka ndonjë zvarritje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai për lajmi.net.

Ai ka thënë se procesi më i shpejtë i numërimit do të shpejtohej me adresimin e disa çështjeve teknike.

“Ta zëmë operatorët në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) duhet që të fusin të gjitha vlerat e votave të 971 kandidatëve, përfshirë edhe ata me 0 vota. Në vend që sistemi të vendos 0 tek të gjithë kandidatët dhe ndryshimi të bëhet vetëm tek kandidatë që kanë marrë vota. Kjo do të shpejtonte procesin dhe zvogëlonte mundësitë për gabime. Pastaj, përgatitjet më të mira për komisionertë, e të cilët nëse do të bënin më pak gabime gjatë plotësimit të Formularit të përputhjes së rezultateve, edhe procesi në QNR do të merrte më pak kohë. Të gjitha këto ndryshime mund të bëhen pa pasur nevojë për ndryshime ligjore”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ai ka përmendur edhe ndryshimet që duhet bërë në sistem zgjedhor për cerfikimi i rezultateve të ndodh sa më shpejt.

“Sa i përket ndryshimeve ligjore, e të cilat do të mund të ndikonin pozitivisht në aspektin e administrimit të zgjedhjeve, ja vlen të konsiderohet opsioni që shërbyesit civil të angazhohen në vend të komisionerëve të cilët nominohen nga partitë politike. Përgatitja profesionale e shërbyesve civil është më e lartë, mundësit për manipulime zvogëlohen për shkak se mund të humbasin vendet e tyre të punës nëse konstatohet se kanë manipuluar me procesin zgjedhor. Në anën tjetër, duhet që të insistohet të ruhet mënyra aktuale e numërimit në Vendvotime, e jo që të njëjtat të numërohen në qendra të përqendruara komunale. Kjo përveç që ngadalëson procesin e shpalljes së rezultateve preliminare, rritë edhe mundësin për manipulime dhe zvogëlon besimin e publikut në zgjedhje. Ndërsa elemente tjera që duhet konsideruar është futja e teknologjisë informative në zgjedhje, siç mund të jetë identifikimi elektronik i votuesve apo edhe kabinat elektronike të votimit. Nga këto kabina mund të shtypet fletëvotimi dhe hidhet më pastaj në kutinë e votimit. Në këtë mënyrë do të adresohej edhe problemi i votave të pavlefshme, por që në anën tjetër mund të rritet votimi me asistencë”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

KQZ ka mbetur pa përfunduar vetëm numërimin votave me kusht, të cilat pritet të përfundojnë gjatë ditës së marte.

Në bazë të rezultateve preliminare fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit është koalicioni PDK-AAK-Nisma me 33,92%, e dyta është Lëvizja Vetëvendosje me 27,16%, ndërsa koalicioni LDK-AKR-AA ka marr 25,79% të votave.

Rezultatet e 11 qershorit nuk i sigurojnë asnjë partie që ta formojë Qeverinë pa hyrë edhe në ndonjë koalicion

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera