Ekonomi

Afër 3 miliardë euro prodhime të importuara

Autori: Gazeta inFokus 09:25 | 13 June 2017

Produktet, të cilat prodhohen në Kosovë, nuk po arrijnë t’i zëvendësojnë produktet e importuara.

Kosova, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, po vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar.

Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2016 ishte shumë i ulët, me rreth 310 milionë euro, kurse importi afër 3 miliardë euro.

-Advertisement-

Përqindja më e madhe e produkteve të importuara vjen nga Serbia me 13,9 për qind, pasuara nga Gjermania me 12,3 për qind.

“Tregtia e mallrave në vitin 2016 kishte deficit tregtar në vlerë prej 2,479,8 milionë euro, që tregon për një deficit tregtar më të lartë për 7.4 për qind krahasuar me 2015, ku edhe në këtë vit kemi bilanc negativ. Totali i eksporteve në këtë vit ishte 309,6 milionë euro, ndërsa importi 2,789,4 milionë euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 11.1 për qind”, thuhet në statistikat e tregtisë së jashtme të publikuar ditë më parë nga ASK-ja.

Ky deficit i lartë tregtar,nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë vlerësohet të jetë mjaft shqetësues për ekonominë e vendit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo gjendje e deficitit të lartë tregtar në Kosovë është reflektim i politikave jo të duhura fiskale.

“Reforma e fundit fiskale e dy viteve të fundit ka gjeneruar shumë pak rezultate pozitive në këtë aspekt, por në të njëjtën kohë duhet ta kemi parasysh edhe futjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që ka liberalizuar më tej tregtinë me shtete anëtare të Bashkimit Evropian, duke i shtuar kështu edhe më tej presionin konkurrues mbi produktet e prodhuara në Kosovë”, thotë Zeka.

Marrëveshja për Stabilizim-Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës ishte nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, derisa ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit të kaluar.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç politikave jo të mira fiskale për prodhuesit, ka edhe aspekte të tjera të cilat kanë ndikuar në këtë bilanc negativ tregtar.

“Prodhuesit në Kosovë nuk e kanë përkrahjen e mjaftueshme të Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të saj. Qeveria do të duhej të bëjë më shumë për ato kompani që kanë potencial për të eksportuar, të cilat fatkeqësisht nuk janë shumë. Mbështetje tjetër që do të ishte e mirëseardhur është diplomacia ekonomike, ambasadat e Kosovës nuk merren aspak më kompanitë që eksportojnë dhe nuk i mbështesin ato”, thekson Palushi.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se kanë kërkuar nga institucionet përkatëse të punojnë më tepër në mbështetjen e prodhuesve në mënyrë që ata t’i prodhojnë produkte me standarde ndërkombëtare, duke krijuar kështu, siç thotë Zeka, parakushte që këto produkte të eksportohen më lehtë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Qeveria do të duhej të merrte përsipër që të vazhdojë me reformën fiskale, të lirojë lëndët e para, të cilat u nënshtrohen detyrimeve doganore, që të rrisë përparësitë konkurruese të prodhuesve vendorë. Është e mundur që të fuqizohet baza jonë industriale, është e mundur që një pjesë e madhe e produkteve të importuara të zëvendësohen me vendore dhe po ashtu një pjesë e produkteve që prodhohen në vend të eksportohen”, thekson Zeka.

Bizneset në Kosovë për vite me radhë janë duke u ballafaquar me një mjedis jo të kënaqshëm biznesor.

Në hulumtimet e bëra, ishin identifikuar barriera në të bërit biznes në Kosovë, siç është mungesa e përkrahjes shtetërore, konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore, si dhe furnizimi jo stabil me energji elektrike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera