Lajme

Kryeministri Mustafa përuroi palestrën e re sportive në Kamenicë

Autori: Gazeta inFokus 18:04 | 29 May 2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, dhe kryetari i Komunës, Begzad Sinani, në prani të shumë qytetarëve dhe sportistëve, përuroi palestrën e re të sportit në Kamenicë.

Duke uruar për këtë objekt shumë të rëndësishëm  për qytetin e Kamenicës, kryeministri Mustafa tha se qytetarët e meritojnë një objekt të tillë i cili i plotëson nevojat e të rinjve, të sportistëve dhe të qytetarëve.

“Është një investim i merituar, dhe konsideroj se është një rezultat i një pune të përbashkët edhe i Komunës, Ministrisë, pushtetit lokal, pushtetit qendror”, theksoi kryeministri Mustafa, duke shtuar se kontinuiteti i ndërtimeve të tilla do të vazhdojë.

-Advertisement-

Më tej, kryeministri Mustafa tha se Kosova dhe gjendja e qytetarëve do të përmirësohet me punë të përbashkët.

Kryeministri Mustafa uroi që ky objekt të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë, duke shprehur dëshirën që të ketë më shumë sportistë, më shumë të rinj që do të merren me sport, me aktivitete kulturore dhe aktivitete tjera,  për çfarë, siç theksoi kryeministri Mustafa, me këtë objekt u krijuan kushte shumë të volitshme.

Nga ana e tij, ministri i Kulturës, Kujtim Shala tha se kjo palestër është një nga projektet e rëndësishme të Qeverisë, i përmbushur për Komunën e Kamenicës.

“Unë ju uroj për këtë sallë, për këtë palestër kaq të bukur dhe ju siguroj që investimet do të vazhdojnë. Qeveria do të përkrahë investimet dhe brenda këtij viti do të vazhdojmë investimet bashkë me komunën për ndërtimin e stadiumit të ri”, theksoi ministri Shala, duke shtuar se do të shihen projekte të reja sipas kërkesës dhe sipas nevojës së qytetarëve dhe sipas mundësive që ekzistojnë.

Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani, tha se kjo palestër ka qenë projekt dhe premtim i përbashkët që punët të finalizohen në këtë mandat.

“Sot, ndihemi të gjithë të kënaqur dhe besoj të lumtur, e sidomos për sportdashësit e komunës sonë. Dëshirojmë që të shfrytëzohet në mënyrë efikase dhe ta shfrytëzojnë në tërë kapacitetin që është në këtë sallë”, theksoi kryetari Sinani, duke përkujtuar edhe angazhimin e përbashkët të Komunës dhe Qeverisë për përfundimin e kësaj palestre moderne sportive./Infokusi.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera