Lajme

Të pavendosur: deputetë apo kryetarë komunash

Autori: Gazeta inFokus 12:55 | 22 May 2017

Tre kryetarë të komunave po garojnë për të qenë deputetë të Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti.

Bëhet fjalë për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Mitrovicës, Agim Bahtirin nga Aleanca Kosova e Re dhe kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilën, që mori udhëheqjen e Gjakovës nga AKR-ja, ndërsa tash është kryetare e Alternativës e bashkuar në listë me LDK-në, shkruan AktivPress.

Por, marrë parasysh faktin se mandatet për qeverisjen lokale ende nuk ka përfunduar pasi zgjedhjet në nivel komunal do të mbahen në vjeshtë të këtij viti, kryetarët duhet të ndajnë mendjen se në cilin institucion do të vazhdojnë angazhimin.

-Advertisement-

Lidhur me këtë çështje kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri duket se nuk është duke u lodhur fare dhe nuk ka kohë të merret me pyetje të gazetarëve.

Ai është shprehur me arrogancë në mungesë të një përgjigjeje të shkurtër nëse do ta brakisë udhëheqjen komunale për t’u bërë deputet.

“Mos më merrni kohë”, ka qenë përgjigjja e Bahtirit për AktivPress.

Në anën tjetër, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duket se e ka marrë më me seriozitet kandidimin për deputet. Ai ka deklaruar se prioritet e ka fitoren e Vetëvendosjes në nivel qendror.

“Gjithçka me kohë. Prioritet sot është fitorja në nivel qendror që edhe reformat në nivel lokal të jenë më të lehta”, është përgjigjur Ahmeti.

Megjithatë, ai ka deklaruar se udhëheqjen e Prishtinës nuk do ta rrezikojë.

“Unë projektin e Prishtinës në asnjë mënyrë nuk do ta rrezikoj”, ka përfunduar Ahmeti.

Por, e pavendosur për zgjedhjen e saj nëse do të dorëzonte mandatin qeverisës në komunë është shprehur kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka deklaruar për AktivPress se këtë çështje do ta vendosë pas zgjedhjeve.

“Nuk kam ndonjë vendim, shohim pas zgjedhjeve”, ka qenë përgjigjja e saj.

Këtë qëndrim, Kusari – Lila nuk e kishte pasur në vitin 2013 kur ka kandiduar për kryetare të Gjakovës me AKR-në.

Ajo kishte dhënë dorëheqje nga dy postet që mbante atë kohë në Qeveri, atë zëvëndëskryeministres dhe atë në Ministrinë e Tregtisë. Këtë vendim ajo kishte marrë pasi kishte deklaruar se ishte e bindur në fitoren e saj në Gjakovë.

Mbetet të shihet nëse pas 11 qershorit, kandidatët për deputët arrijnë të sigurojnë ulëset dhe të fillojnë angazhimin në legjislativ, ose pas sigurimit të votave për partitë, të vazhdojnë deri në fund qeverisjen lokale./AktivPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera