Sport

⚽️Feronikeli paralajmëron ‘katastrofën’

Autori: Gazeta inFokus 11:20 | 16 May 2017

Që nga paslufta në Kosovë janë shuar mbi 100 klube të futbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

Arsyeja kryesore ka qenë kriza e madhe financiare, ndërsa izolimi nga arena evropiane ishte akoma më e papërballueshme për ato ish-klube, në mesin e të cilave ka pasur edhe emra kampionësh, si Besiana apo Hysi.

Mirëpo futbolli kosovar shumë lehtë mund të ndodhë të mbetet edhe pa një klub, i cili brenda pak vitesh ka arritur të bëhet ndër më të mëdhenjtë në vend.

-Advertisement-

Fjala është për Feronikelin, gjë që do ta shkaktonte një humbje katastrofale për futbollin kosovar. Kriza financiare nuk është arsyeja, por Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Kampioni i dy vjetëve të fundit ndien padrejtësi të mëdha e të kushtueshme që i janë shkaktuar në procesin e licencimit të klubeve për gara evropiane nga ana e FFK-së.

Klubi nga Drenasi insiston se krejt procesi i licencimit ka qenë i kriminalizuar në dëm të tij dhe të FC Prishtinës.

Duke ua shpalosur faktet e tyre, “Nikli” insiston se në këtë proces ka pasur falsifikim të tmerrshëm të dokumentacionit tatimor shtetëror, për çka kërkon llogari, ndërsa FFK-ja insiston se procesi ka qenë plotësisht i rregullt, gjë që e mohon kategorikisht edhe FC Prishtina.

“Nëse FFK-ja nuk i merr parasysh shqetësimet tona reale, nëse nuk e rishqyrton krejt procesin e licencimit, atëherë neve si klub nuk na mbetet tjetër veçse të largohemi nga ky futboll, tashmë i degraduar”, thotë kryetari i Feronikelit, Ekrem Elshani.

“Jo vetëm unë si donator, apo edhe donatorët e sponsorët tjerë të klubit, por si klub nuk do të kemi arsye të vazhdojmë. Pra, pas përfundimit të këtij kampionati do ta shqyrtojmë të ardhmen tonë në këtë futboll të degraduar nga këto dallavere. Pra, seriozisht do ta shqyrtojmë largimin tonë”, tha ai.

Elshani insiston se FFK-ja po e keqmenaxhon futbollin. “Si mund të investojmë ne në klubin tonë, në futbollin tonë, kur Federata punon me standarde të dyfishta. Klubin tonë e dëmton rëndë, kurse klubin tjetër e ndihmon qoftë edhe përmes falsifikimeve. Federata në këtë mënyrë nuk po e dëmton Feronikelin dhe Prishtinën, por po e dëmton rëndë futbollin në vend se ta ndihmojë atë duke u ndihmuar të gjitha klubeve në mënyrë të barabartë për avancim të përbashkët”, theksoi Elshani.

Ai thotë se FFK-ja me veprime të tilla në vend se t’i ofrojë klubet, veç çka po shkakton përçarje në mesin e tyre.

“Na kanë qitur në pozitë të keqe. Ne sinqerisht i urojmë Trepçën ’89 dhe Llapin për sukseset e arritura dhe meritore. I lusim të na mirëkuptojnë se ne nuk kemi asgjë ndaj tyre, por duam t’i shmangemi padrejtësive të kushtueshme që po na bëhen neve dhe futbollit kosovar në përgjithësi”, u shpreh ai.

Elshani tregoi se faktet e dokumentuara brenda kësaj jave Feronikeli do t’i dërgojë në UEFA dhe në Prokurorinë e Shtetit, të cilat beson se do të binden lehtë për falsifikimet e bëra e që me Kodin Penal të Kosovës konsiderohen vepra penale dhe të dënueshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera