Lajme

Bruce Lee kosovar që iu shua ëndrra për aktrim

Autori: Gazeta inFokus 15:06 | 13 May 2017

Dëshira e tij e vetme do të ishte që tani të jetë 20 vjeçar. Kadri Binaku nga Koshtova e Mitrovicës kur kishte qenë i ri ngjante shumë me aktorin e famshëm Bruce Lee.

“Kur jam kanë i ri njerëzit më patën thënë se asnjë aktor nuk do të kishte mundur më mirë ta luante rolin e tij sesa unë”, thoshte Binaku.

Por, ëndrrën për t’u bërë aktor ia shkeli koha e vështirë në të cilën kanë kaluar shqiptarët e Kosovës në kohën e okupimit serb. Pamjen dhe talentin e tij nuk mundi asnjëherë ta shfaqë para kamerave filmike. Mungesa e hapësirës për ta treguar veten, jeta e vështirë dhe kushtet e dobëta financiare ishin arsyet kryesore që aktrimi ka mbetur për të vetëm një dëshirë rinore.

-Advertisement-

“Neve na ka shkelë koha!”, shprehej Binaku. “S’kemi pasë as hapësirë e as kushte financiare për këso punësh. Tash është ndryshe. Mua më brengosë vetëm të kisha qenë tash 20 vjeçar dhe do ta arrija cakun që kom dashtë”.

Gjatë përiudhës së okupimit serb kinematografia shqiptare kishte hasur në shumë vështirësi. Nuk ka pasur asnjë film të zhanrit aksion në të cilin Kadriu do të mund ta gjente veten as si aktor amator. Tek në vitin 2016 filmi në Kosovë shënoi një zhvillim, ku filmi “Shok” u nominua për çmimin prestigjoz “Oscar”.

“Are you the real Bruce Lee?”

Përveç pamjes së jashtme, ai mund ta imitonte atë edhe në artet marciale sepse kishte qenë edhe anëtar në një shkollë të karatesë. “Nunchaku” janë veglat e tij të preferuara me të cilat edhe Bruce Lee ishte bërë i famshëm. Ai ende vazhdon të ushtrojë me to.

Madje kur kishte qenë në ushtri, me “nunchaku” ia kishte hequr një ushtari pullën e palltos.

“Edhe në ushtri e kanë ditë se luaj mirë me to. Ka qenë një ushtar që i mbajke evidencat. Një herë ia pata heqë fletoren nga dora dhe pullën e setrës e ai nuk e pati vrejtë fare”, rrëfente Kadriu duke qeshur. “Kam qenë edhe shumë i saktë”.

Ai tregoi se njerëzit në rrugë shpesh kanë kërkuar të fotografoheshin me të. Kur kishte qenë në Graz të Austrisë, shumë njerëz ishin mbledhur rreth tij duke menduar se ai është Bruce Lee i vërtetë. Madje njëri kishte shkuar afër tij duke e pyetur në anglisht: “Are you the real Bruce Lee?”

Fotografitë më të mira, kur kishte qenë më i zhvilluar fizikisht, i ishin djegur gjatë luftës.  Të vetmet fotografi që posedon janë të pasluftës, atëherë kur kishte filluar t’i humbte forma e muskujve të trupit.

“Nuk ka të paguar t’i kisha pasë sot ato fotografi”, thoshte ai duke i shikuar fotografitë e bëra pas luftës. “Këto i kam bërë më 2004 sa për kujtim. Atëherë kam qenë identik, madje edhe në peshë, 65 kilogram, sa Bruce Lee”.

F.H., një i afërm i tij, tregon se rrallë e kanë thirrur në emër. “Bruslli” kishte qenë nofka me të cilën e kanë identifikuar çdoherë. Ai thoshte se edhe ecjen e bënte sikur “Bruslli”. Ka qenë e pamundur nëse ke dalur ndonjëherë me të në qytet dhe të mos e kishte komentuar dikush pamjen e tij prej aktori hollivudian.

Sporti është hobi i tij i përhershëm

Me sport merret qysh prej vegjëlisë, atëherë kur nuk kishte ditur se i përngjan ndonjë aktori të famshëm. Gjithmonë i ka pëlqyer karateja, mirëpo e kishte kombinuar edhe me gjimnastikë për të bërë akrobacione të ndryshme. Edhe pse ka qenë anëtar në një shkollë të karatesë me trajner Isuf Topallin, ushtrimet më së shumti i kishte kryer në shtëpi.

“Nunchake-t i kam përdorë prej moshës 13 vjeçare. Atëherë nuk e kam ditë se ato i përdorë naj artist i famshëm. I pata maru vetë”, fliste gjersa i sillte ato nëpër duar. “Maraku e bënë të vetën. Shumë kam pasë qejf në to”.

Por, edhe pse ka qenë shumë i shkathët, Kadriu asnjëherë nuk e ka përdorur fuqinë e tij për zënka ose probleme. Sipas tij, sporti e bënë njeriun të edukuar  dhe gjithë aktivitetin e tij e ka bërë vetëm për hobi. Madje edhe tani ushtron gati çdo ditë që ta mbajë veten në formë. Ai ende i përdorë me shkathtësi “Nunchakut” e tij, vetëm se shpejtësia e lëvizjeve ka filluar t’i humbë për shkak të moshës. Mirëpo ai nuk e ka ndërmend të dorëzohet.

“Energji kam sa të duash. Mua më pengon vetëm forma e trupit që e kam prej moshës”, thoshte ai. “Por unë s’dorëzohem. Ushtroj çdo ditë që ta mbaj vetë në formë”.

Ëndërr e shuar

Bruce Lee ishte aktor i famshëm i arteve marciale. Njihej me stilin e tij unik në karate, shpejtësinë dhe përdorimin e veglave të quajtura “nunchaku”, dy shufra druri të ngjitura me një zinxhir në mes. Në vitet e fundit të jetës së tij, ai vuante nga sëmundja e quajtur Edema Celebrale (akumulim i tepërt i lëngjeve në tru), dhe truri i tij u frye nga 1.4000 në 1.575 gramë.  Për faktin se vdiç i ri, në moshën 32 vjeçare, simpatizuesit e tij nuk ishin mjaftuar me filmat e paktë të xhiruar me të. Për këtë shkak janë xhiruar shumë filma tjerë në emër të tij, me aktorë që i kanë përngjarë. Edhe Kadriu mendon se do të ishte i duhuri për ta xhiruar një film të tillë.

“Gjithmonë i kam shiku filmat e tij. Më është dokë vetja sikur ai. Madje edhe një shenjë që e kam në ballë e kam vërejtë se edhe ai e kishte pasur të njejtën”, tregonte Binaku.

Megjithatë, ai tani kur është në moshën 54 vjeçare nuk shpreson se mund ta jetësojë ëndrrën e tij të kahmotshme për t’u bërë aktor. Por nuk do ta refuzonte ndonjë ofertë për të marrur pjesë në ndonjë skenë të shkurtër për filmat shqiptarë.         

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera