Thaçi: Beogradi është burim i spekulimeve “Science Fiction”
Autori: Gazeta inFokus 20:59 | 12 May 2017
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përjavshmen kroate “Nacional”, ka thënë se titujt e mediave në Serbi janë të njëjte si në kohën e Millosheviqit. “Ata gjatë gjithë kohës flasin kinse fqinjët janë problemi i tyre, por në të vërtetë ata ende flasin për luftë më të gjithë, edhe me kroat, edhe me Malin e Zi, me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe me Kosovën”. Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë.
“Nacional”: Ditët e fundit deklaratat tuaja dhe deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, që nëse BE-ja vazhdon ta zgjasë procesin e integrimeve, do ta krijoni një treg të përbashkët dhe “kufijtë e buta” mes Shqipërisë, Kosovës dhe tri komunave në jug të Serbisë, janë interpretuar si thirrje për krijimin e Shqipërisë së Madhe. A ekzistojnë ambiciet e tilla për të cilat vazhdimisht Ju akuzon ana serbe, por edhe një pjesë e politikës maqedonase?
Thaçi: Unë përpiqem dhe punoj që të kemi në tërë Ballkanin, shtete multietnike, e jo monoetnike. Kosova është një shtet i ri, por e theksoj edhe një herë- Kosova është Kosovë, e Shqipëria është Shqipëri. Propaganda për Shqipërinë e Madhe vjen nga Serbia, e cila e përdorë këtë për t’i justifikuar ambiciet e veta për krijimin e Serbisë së Madhe. Serbia, kudo që ka serb etnik, provon ta destabilizon atë shtet. Këtë e shohim në Mal të Zi ku provuan ta rrezojnë Qeverinë, këtë e bëjnë në Veriun e Kosovës, në Republikën Serbe, dhe aq sa munden edhe në Kroaci. Ne, siç e dini, përpiqemi që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e NATO-së dhe e Bashkimit Evropian. Unë jam për të pasur kufij siç janë ata ne BE, e jo që të krijojmë kufi përsëri. Beogradi prapë është adresa ku duhet të kërkohen shkaqet e destabilizimit dhe të së keqes në Ballkan. Nëse e lexoni shtypin e Beogradit vetëm për një ditë, e veçanërisht titujt, të cilët i dikton Qeveria, menjëherë do ta krijoni përshtypjen se si ata e shohin rajonin dhe fqinjët. Ata tituj janë të njëjte si në kohën e Millosheviqit. Ata gjatë gjithë kohës flasin kinse fqinjët janë problemi i tyre, por në të vërtetë ata ende flasin për luftë më të gjithë- edhe me kroat, edhe me Malin e Zi, me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe me Kosovën.
“Nacional”: Andaj, a ka qenë mesazhi juaj një paralajmërim ndaj Bashkimit Evropian, të cilit i keni bërë thirrje që të mos vonohet me proceset në Ballkanin Perëndimor?
Thaçi: Nuk është gjë e re nëse them se Bashkimi Evropian është vonuar me Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me Kosovë. E kemi shembullin e liberalizimit të vizave, për të cilin Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kushtet para dy viteve, pastaj burokratët nga Brukseli vijnë me një ide të re, të shtimit i një kushti të ri. Kështu e shtuan demarkacionin, respektivisht verifikimin e kufirit me Malin e Zi. Ky është një problem me të cilin edhe sot ballafaqohen vet anëtarët e Bashkimit Evropian – prandaj, disa kufij nuk janë plotësisht të përcaktuar. Pa marrë parasysh a është fjala për Kroacinë dhe Slloveninë ose për Gjermaninë dhe Danimarkën. Dhe kur i pyesim – përse e keni bërë këtë, ata përgjigjen- kemi mësuar nga gabimet tona dhe nuk duam që të përsëriten. Pse Kosova duhet të paguajë për gabimet e mëparshme, kjo nuk është e qartë për mua? Mendoj se një gjë e tillë është plotësisht e padrejtë.
“Nacional”: Jo shumë kohë më parë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogerini, në një bisedë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn theksoi se është nga rëndësia jetësore që Prishtina të vazhdojë me dialogun konstruktiv me Beogradin, duke e përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Si e komentoni këtë gjë?
Thaçi: Unë besoj në misionin e Bashkimit Evropian, por nuk jam i bindur se ai në këtë moment e ka vizionin dhe lidershipin. Ata ose nuk kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë se sa rëndësi ka dhe sa i ndjeshëm është Ballkani Perëndimor. Ata tërë këtë rajon e shohin si temë teknike, e jo si çështje gjeostrategjike. Fakti se Bashkimi Evropian ka dështuar në Ballkanin Perëndimor ka qenë në favor të rritjes së ndikimit të Islamit radikal në këto hapësira, rritjes së nacionalizmit, si dhe jo tolerancës ndëretnike. Falë kësaj, u rrit edhe ndikimi dhe ndërmjetësimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor. E popujt e Ballkanit Perëndimor do ta paguajnë çmimin. Pra, vizitat e tilla në Bruksel nuk sjellin rezultate. Vetëm fjalë.
“Nacional”: Po bashkëpunimi me Beogradin do të jetë kusht për integrimin e mëtejmë – edhe për Kosovën edhe për Serbinë. A jeni të gatshëm për këtë gjë?
Thaçi: Si do të përparojë dialogu me Beogradin, është një gjë tjetër. Ne kemi qenë në luftë njëri me tjetrin, por nuk jemi as të parët as të fundit që pas luftës janë ulur me një tavolinë që të merren vesh. Ne kemi luftuar qe ta krijojmë një shtet të pavarur nga Serbia, dhe Kosova në këtë luftë ka fituar. Unë gjithmonë i kam prirë idesë që ta kemi një bashkëpunim të mirë fqinjësor. Unë kam luftuar kundër Serbisë, por kam qenë pjesëmarrës në vendosjen e paqes dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ne punojmë për normalizimin dhe pajtimin, dhe besoj se mund ta arrijmë këtë. Nuk do të jetë e lehtë për t’u bërë, por jam i sigurt që dialogu nuk ka alternativë. Për këtë do të punojmë deri sa Serbia ta njoh Kosovën. Por gjithsesi se dialogu me Serbinë nuk është i lehtë.
“Nacional”: Kosova e ka paralajmëruar padinë kundër Serbisë për gjenocid. A do të ndikojë ajo në këtë dialog? Ne fillim të vitit dukej se do të fillojë lufta në këto hapësira, tani ish presidenti Tomisllav Nikoliqi, kërcënonte se do ta dërgonte ushtrinë në Kosovë për ta mbrojtur popullsinë serbe. Me ndërmjetësimin e Brukselit u qetësuan pasionet, kështu që shumica i interpretuan këto kërcënime si pjesë e fushatës parazgjedhore. A prisni se tensionet me Serbinë, pas fitores së Vuçiqit në zgjedhje për presidentin, do të ulën?
Thaçi: Nuk kisha thënë së e tërë ajo ka qenë vetëm fushatë parazgjedhore. Ne e dimë se Serbia ende po punon që ta merr pjesën veriore të Kosovës dhe vetëm është duke e pritur momentin e volitshëm. Por, edhe një herë e theksoj – ky moment nuk do të vijë kurrë. Për këtë edhe e patëm atë provokim më tren të blerë në Rusi i cili ka qenë i mbuluar me shkrimet “Kosova është Serbi”. Provokimi i dytë ishte ndërtimi i murit në mes të Mitrovicës, dhe pastaj na sollën njësite e armatosura paramilitare ne pjesën veriore të Kosovës. Kanë dëshiruar të krijojnë tensione dhe realitet të ri në terren, i cili do të na çojë deri te ndarja e Kosovës. Por ne reaguam menjëherë dhe treguam vendosmëri dhe për shkak të kësaj ai tren u ndal para se të arrinte në kufi. Mbase jemi duke folur për luftëra, nga historia e dimë se Serbia di si ta fillojë luftën, por nuk di si ta fitojë. E sa i përket presidentit Vuçiq, sigurisht se do të takohemi në forumet ndërkombëtare. Në të gjitha bisedimet që i kemi pasur deri tani në Bruksel, presidenti Vuçiq ka qenë konstruktiv. Unë personalisht nuk kam asnjë paragjykim që të takohem me cilin do lider. Ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët në vendin e tij. Përndryshe, kur bisedoj me liderët politik nga Serbia, të gjithë ata privatisht pranojnë së Kosova është e pavarur. E dinë se Kosova do të jetë pjesë e NATO-së dhe e BE-së, por përpiqen ta shpëtojnë fytyrën në planin e politikës së brendshme. Unë jam i sigurt se do të vijë dita kur Serbia do ta njeh Kosovën, por prapë vihet nën pyetje roli i Bashkimit Evropian. Sa më shumë që heziton BE-ja dhe sa më shumë që qëndron e butë ndaj Serbisë, aq më shumë do të pezullohet njohja. Për këtë është më rëndësi që BE-ja të jetë parimore.
“Nacional”: Shkaku i polemikave më të reja është edhe vendimi i gjykatës franceze që Ramush Haradinajn, i cili është i akuzuar për krime lufte, mos t’ia dorëzojë Serbisë, por ta lirojë deri te vendimi përfundimtar. Serbia u përgjigj me tërheqjen e ambasadorit të saj për konsultime në Beograd, dhe erdhi deri te përkeqësimi i marrëdhënieve të përgjithshme, jo vetëm më Kosovën, por edhe me Francën. Çfarë përfundimi prisni, duke qenë se Haradinaj në Kosovë e gëzon statusin e heroit kombëtar?
Thaçi: Kjo është edhe një fitore e drejtësisë ndërkombëtare mbi propagandën dhe etiketimin, të cilat rrjedhin që nga koha e Millosheviqit. Ushtarët dhe gjeneralët e UÇK-së kanë luftuar në një luftë të drejtë dhe nuk kanë kryer krime. Ne jemi krenarë për luftën që e kemi zhvilluar. Serbia ndoshta është e gatshme t’i përpijë humbjet në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, por kurrsesi nuk mund të pajtohet me humbjen e luftës në Kosovë.
“Nacional”: Megjithatë, disa krime kanë ndodhur, si edhe në luftën mbrojtëse të Kroacisë. E keni marrë vendimin e vendosjes së Gjykatës Speciale e cila do të ndodhet në Hagë dhe e cila do të merret me akuzat kundër liderëve kosovarë dhe komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A do ta merr kjo gjykatë aktgjykimin edhe për Haradinajn?
Thaçi: Nuk kisha pasur dëshirë që të flas për rastet individuale. Vetëm besoj se prokurori kryesor i Gjykatës Speciale i ka emrat e atyre që mundësisht mund të jenë të akuzuar. Kosova është shteti i parë në këtë rajon o cili vet e vendosi një Gjykatë Speciale të tillë. Deri tani askush nuk e ka bërë këtë. Përndryshe, mendoj se këtu bëhet fjalë për padrejtësi historike. Por, për ta ruajtur bashkëpunimin me SHBA-në dhe NATO-në jemi pajtuar me themelimin e kësaj gjykate. Edhe pse qëndrimi ynë është se UÇK-ja e ka zhvilluar një luftë të drejtë çlirimtare.
“Nacional”: Kur keni fituar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, disa media botërore, siç janë Die Welt apo Guardian kanë paraqitur akuza kundër jush, duke pretenduar se keni qenë në krye të mafias e cila është marr me tregtimin e organeve njerëzore gjatë viteve të nëntëdhjeta. A frikësoheni se edhe ju mund të gjendeni në bankën e të akuzuarve të kësaj gjykate? Si i komentoni këto akuza?
Thaçi: Burim i këtyre spekulimeve, të cilat janë science fiction e pastër, është përsëri Beogradi. Ne i besojmë të drejtës ndërkombëtare. Unë jam President i Kosovës dhe nuk dua të bëjë komente të cilët në çfarëdo mënyre do të ndikonin në punën e Gjykatës dhe procedurave të saj. Dua të theksoj se personalisht e kam udhëhequr procesin e themelimit të Gjykatës Speciale dhe qëndrimi ynë është që mos të komentojmë asgjë në lidhje me këtë gjykatë. Përndryshe, unë sipas titujve të mediave serbe që tridhjetë vite jam terrorist dhe udhëheqës i mafies. Ata madje kanë shpikur se unë kam sjellë Ante Gotovinan në Kosovë për të trajnuar ushtarët tanë. Kurse ka ndodhur e kundërta – gjeneralët tanë ishin në Kroaci për të luftuar kundër agresionit serb.
“Nacional”: Por pse atëherë mediat botërore kanë shkruar gjëra të tilla? A do të thotë kjo që Serbia është ende e fuqishme në lobim?
Thaçi: Për fat të keq, gjithmonë mund të gjinden “budallenj të dobishëm” në botë. Kosova është shënjestër e propagandës anti-perëndimore dhe e luftës “hibride”. Ndonjëherë, për fat të keq, lajmet e rrejshme për Kosovën janë të pranishme edhe në mediat kryesore. Kjo është edhe një nga arsyet pse jemi dakorduar të themelojmë Gjykatën Speciale, në mënyrë që t`u japim një përgjigje përfundimtare gjithë këtyre spekulimeve dhe gënjeshtrave për Kosovën.
“Nacional”: Vuçiq në mënyrë të ashpër kundërshton Ligjin e ri sipas të cilit Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohej në ushtri. A qëndroni prapa këtij vendimi?
Thaçi: Kosova duhet të ketë ushtrinë e saj. Dëshira jonë është që kjo të arrihet përmes konsensusit me të gjitha komunitetet në Kosovë. Megjithatë, nuk mund të lejojmë që akterët jashtë Kosovës të ndikojnë e aq më pakë të kenë fuqinë e vetos në këtë çështje. Serbia kontrollon disa nga përfaqësuesit serb në kuvendin e Kosovës. Ne nuk mund të lejojmë që ata të bllokojnë krijimin e ushtrisë. Justifikimi i gjetjes së konsensusit nuk mund të përdoret si arsyetim për shtyrjen deri në pafundësi të krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Pakica serbe, madje edhe gazetarët, ankohen për mos respektim të drejtave të tyre. Sikurse është e drejta për arsim në gjuhën serbe, e drejta për të pasur mediume të tyre televizive dhe të ngjashme. Kushtetuta e Kosovës u referohet të gjitha dokumenteve të rëndësishme ndërkombëtare të cilat mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe lirit e njeriut, e veçanërisht ato të komuniteteve jo-shumicë. Në kuadër të kuvendit kemi ulëset e rezervuara për komunitetet jo-shumicë në mënyrë që të sigurojmë se ata gjithmonë përfaqësohen në institucionet politike. Gjithashtu, kemi caktuar kuotat për punësimin e komuniteteve jo-shumicë në sektorin publik. Kanali televiziv RTK 2 transmeton vetëm në gjuhën serbe. Janë me dhjetëra radio dhe televizione që transmetojnë në gjuhën serbe në Kosovë. Gjuha serbe është një nga dy gjuhët zyrtare dhe arsimi për studentë në Kosovë ofrohet në të dy gjuhët.
“Nacional”: Aktualisht problemi më i madh dhe burimi më i madh i destabilizimit në regjion është Maqedonia. Pasi kryetari Ivanov ka refuzuar t’i japë mandatin udhëheqësit të socialistëve Zaev, keni deklaruar se Shqiptarët në Maqedoni do të duhej ta marrin fatin e tyre në duart e veta. Si e shpjegoni këtë?
Thaçi: Kjo edhe ka ndodhur. Pas të gjitha ngjarjeve, u zgjodh kryetari i Parlamentit Talat Xaferi, i cili është Shqiptarë. Por, para se gjithash dua të theksoj se unë besoj që Maqedonia është shtet multietnik dhe evropian, ku askush nuk mundet të diskriminoj komunitetin shqiptar. Ata kanë liderët e tyre politik të cilët veprojnë në përputhje me ligjet e Maqedonisë. Sa për të bërë një krahasim – serbët në Kosovë, të cilët janë vetëm 3 për qind, kanë më shumë të drejt në Kosovë se që kanë shqiptarët në Maqedoni, të cilët janë rreth 30 për qind. Unë krenohem me të drejtat të cilat i gëzojnë pjesëtarët e komunitetit serbë në Kosovë. Ne jetojmë në shekullin 21, në kohën e demokracisë dhe është e papranueshme të ekzistoj një politik e tillë diskriminuese çfarë ekziston kundër komunitetit shqiptar në Maqedoni. Nuk jam zëdhënës i shqiptarëve në regjion, por jam krenar që shqiptarët kanë luajtur një rolà « konstruktiv në Maqedoni, duke e ruajtur stabilitetin dhe frymën evropiane të shtetit multietnik.
“Nacional”: Pas përleshjeve të përgjakshme në Kuvendin e Maqedonisë, kryetari i sapozgjedhur Talat Xhaferi mori detyrën, ndërsa bashkëbiseduesi i parë i tij ishte Shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar. A mendoni se ky është fundi i krizës, apo kryeministri i deritanishëm Gruevski dhe partia e tij do të vazhdojnë të pengojnë formimin e qeverisë së sapozgjedhur?
Thaçi: Unë mendoj se ky është vetëm fillimi i zgjidhjes së krizës. Kosova përndryshe ka marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë. Unë mendoj se kriza e atjeshme është politike, e jo etnike. Më shumë se 30 për qind e qytetarëve janë të përkatësisë shqiptare. Shumica e tyre shprehën mbështetjen e tyre për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Pas së gjithash, zgjedhja e Xhaferit për kryetar të Parlamentit të Maqedonisë është plotësisht legjitime. Burimi i asaj krize politike është në Shkup, dhe jo në Kosovë apo diku jashtë Maqedonisë, sikurse që edhe zgjidhja është në Shkup. Nënvizoj se në atë situatë nuk ka ndikuar askush nga jashtë. Ne ofrojmë mbështetje të plotë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe gjithmonë do të punojmë për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Nacional”: A keni frikë se do të ketë një përshkallëzim të dhunës, kur dhe në qoftë se Gruevski ia dorëzon pushtetin Zoran Zaevit?
Thaçi: I takon Maqedonisë që të vendosë se si do të ecin tutje, por unë besoj se, pavarësisht nga vështirësitë, Qeveria e re do të formohet. Shpresoj se nuk do të ketë dhunë.
“Nacional”: Këto ditë janë tronditur shumë qeveri në rajon. Në Kroaci, ka krizë parlamentare në të cilën Qeveria nuk ka shumicën, ndërsa opozita kërkon tërheqjen e saj dhe zgjedhje të reja. Ngjashëm është edhe në Kosovë. Opozita është duke mbledhur nënshkrime dhe ka shans për të mbledhur numër të mjaftueshëm të nënshkrimeve për një votë mosbesimi ndaj Qeverisë, kurse kushti i tyre është ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. A prisni ju zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Thaçi: Assesi nuk do të doja të komentojë mbi zhvillimet në Kroaci dhe nuk do të doja të tërheq ndonjë paralele. Unë jam President i Kosovës, dhe unë do të veproj në përputhje me kompetencat e mia ligjore. Çdo vendim të Kuvendit do ta respektoj. Për mua e vetmja gjë e rëndësishme është që çdo gjë të jetë brenda kornizës ligjore dhe të mos ketë dhunë. Ky është një proces demokratik dhe vullneti i qytetarëve. Kur kam qenë kryeministër dhe unë disa herë kam shkuar në votëbesim. Për mua, kjo është krejt normale në një sistem demokratik. Por, unë mendoj se për shkak të demarkacionit nuk mund të vije deri tek rënia e Qeverisë. Përndryshe, ne kemi me Kroacinë kemi partneritet strategjik dhe bashkëpunimin më të mirë të mundshëm, pavarësisht se kush është në pushtet, për njëzet vjet tani. Dhe këtë bashkëpunim do ta zhvillojmë edhe tej. Për ne, me të vërtetë nuk ka rëndësi se cili opsion është në pushtet në Kroaci. Përndryshe, së shpejti do të vij për një vizitë zyrtare tek presidentja e juaj.
Të tjera
-
Shtesat e Kurtit, Muharremi: Korrupsion i pastër elektoral, 100 EURO Vota
Njohësi i integrimeve eveopiane, Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër kryemi...
-
Murati: Ata që paguhen nën 350 euro të raportojnë në ATK apo në Inspektratin e Punës, do të marrim masa
Ministri i Financave, Hekuran Murati u bëri thirrje punëtorëve që paguhen nën...
-
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt rastësisht, gjatë kontrollit rutinor
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka t...
-
Bajrami: Shpërndarja e buxhetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik
Deputetja nga rradhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka deklaruar se shpërndarja e...
-
Kurti për refuzimin e takimit me sindikalistët e sektorit privat: Në zyrën time vijnë kur s’kryejnë punë diku tjetër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pyet për refuzimin e takimit me kryesi...
-
“Shpia, familja po konsiderohet si vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat”
Këtë javë në emisionin “Gratë në Fokus” me Meme Smajli, ishte e ftuar artistj...
-
Zv. Ministri i Kurtit: E kam parë vet listën, përveç Albin Kurtit i gjithë kabineti qeveritar ka qenë në “listën e zezë” të KFOR-it
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka konfirm...
-
Murati: Do të krijohet një institut i ri dhe një fond për pushimin prindëror dhe lehonave
Në konferencën për media ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran...
-
Murati tregon se kur pritet të ekzekutohen 100 eurot për fëmijët e pensionistët: S’ka nevojë për aplikim
Qeveria vendosi t’ua ndajë nga 100 euro fëmijëve (0-16 vjeç) e pensionistëve ...
-
Qeveria i ndan nga 100 euro për secilin pensionist dhe fëmijët deri në 16 vjeç
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka mbajtur një konferencë për media bas...
-
Mbyllja e TikTok-ut në Shqipëri, reagon kompania kineze: Presim sqarime urgjente
Kompania kineze e rrjetit social, TikTok ka reaguar në lidhje me vendimin e q...
-
90% e prindërve kërkuan mbylljen e TikTok-ut, Rama publikon anketimin e bërë me prindërit
Kryeministri Edi Rama shprehet se 90% e prindërve janë dakord me mbylljen e T...