Lajme

Zyrtarët me aktakuza, në listat zgjedhore

Autori: Gazeta inFokus 09:27 | 03 May 2017

Iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për dekriminalizimin e skenës politike nuk e përkrahin ish-bashkëpartiakët e tij. Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, thotë se nisma e presidentit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kjo e fundit, siç thotë ai, nuk ia ndalon të rikandidojë për deputet, pavarësisht se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tij

Garës për kryetarë të komunave, por edhe për deputetë, nëse vendi sivjet do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pritet t’i hyjnë edhe politikanë ndaj të cilëve rëndojnë aktakuzat e ngritura nga Prokuroria.

Iniciativën për dekriminalizimin e skenës politike në vend e ka nisur presidenti Hashim Thaçi, të cilën e ka përkrahur edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie. Ky i fundit pati deklaruar se do ta mbështesë çfarëdo nisme që në listat zgjedhore të mos ketë njerëz të akuzuar. Ai madje ka deklaruar se nuk dëshiron t’i shohë politikanët në listë zgjedhore nëse janë me aktakuza. Por një iniciativë e tillë kundërshtohet nga ish-bashkëpartiaku i Thaçit.

Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për marrje e dhënie ryshfeti si dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, thotë për “Zërin” se asnjë ligj i Kosovës nuk ia ndalon rikandidimin për deputet.

-Advertisement-

“Është kushtetuta e Kosovës e cila duhet të respektohet dhe janë ligjet në fuqi, askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë Buja.

Buja: Siç thotë Thaçi, nuk thotë Kushtetuta

Sipas Bujës nisma e presidentit bie në kundërshtim me përmbajtjen e Kushtetutës.

“Kushtetuta nuk thotë siç thotë presidenti Thaçi. Në kushtetutë Neni 3 ose 1, pika 5, tregon qartë se çka thotë Kushtetua për këtë çështje, ceken të drejtat e njeriut, çfarë thotë ligji”, ka deklaruar Buja.

Ai thekson se ligji zgjedhor i paraparë në Kushtetutë i jep një përgjigje çdo individi që synon postin e deputetit.

“Përderisa Kushtetua në fuqi dhe ligjet në fuqi, Neni 81 i Kushtetutës na pret ligji zgjedhor. Është përgjigje që i jepet secilit individ, i cili dëshiron për të parën herë ta marrë kompetencën e individit”, ka përfunduar Buja.

Përpos Bujës janë edhe disa deputetë të tjerë, por edhe kryetarë të komunave të Kosovës që vazhdojnë funksionin, ndonëse ndaj tyre rëndojnë aktakuzat për korrupsion.

Miftaraj: S’ka vullnet për pastrim të listave

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë për gazetën “Zëri” se bartësve kryesorë të institucioneve i mungon vullneti për t’i pastruar listat nga individë mbi të cilët rëndojnë aktakuzat.

“Fatkeqësisht praktika e deritanishme ka dëshmuar se mungon vullneti politik i bartësve kryesorë të institucioneve shtetërore dhe i shumicës së kryetarëve të partive politike për ta pastruar skenën politike në Kosovë nga individë që udhëheqin komuna apo janë funksione tjera qeveritare dhe publike me aktakuza apo edhe në raste të caktuara me aktgjykime dënuese për vepra penale të korrupsionit”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, në institucionet e vendit ende ka numër të madh të funksionarëve që janë të akuzuar.

“Sot në Kosovë ka numër të madh të kryetarëve të komunave apo funksionarë të lartë shtetërorë që janë të akuzuar, ku një pjesë e ditës iu kalon nëpër salla të Gjykatës duke u gjykuar për korrupsion, kurse pjesën tjetër të ditës e kalojnë duke qeverisur me komunën ku ata janë të zgjedhur apo në pozitat ku janë emëruar”, ka shtuar Miftaraj.

Ai beson se pastrimi i listave nga personat e akuzuar mund të bëhet vetëm nga krerët e partive politike.

“Dekriminalizimi i skenës politike në Kosovë do të mund të konkretizohej nëse vetë partitë e politike nuk do të lejonin që personat të cilët janë nën hetime të jenë pjesë e listave zgjedhore apo personat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, apo janë dënuar për vepra penale të korrupsionit, të ushtronin funksione publike apo shtetërore”, ka thënë Miftaraj.

Haxhiu: Nisma e presidentit, hipokrizi

Në anën tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, thotë se deklaratat e presidentit Thaçi për dekriminalizimin e skenës politike janë hipokrizi.

“Është goxha hipokrizi kur të korruptuarit flasin për dekriminalizim. Shumica e këtyre që po flasin kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme. Llogari do të duhej të kërkohej nga ata”, ka potencuar ajo.

Haxhiu pranon se disa bashkëpartiakë të saj kanë aktakuza nga Prokuroria por, siç thotë ajo, ato janë për shkak të veprimeve politike.

“Sa na përket neve ju e dini që shumica e deputetëve dhe aktivistëve kanë të ngritura aktakuza për veprimet politike dhe natyrisht qe këta do të jenë të përfshirë në lista, sepse janë përfaqësimi më i denjë i interesave të qytetarëve dhe të Republikës”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shprehen të bindur se do t’i mbyllin dyert për personat me aktakuza.

“Aleanca ka deklaruar qe shumë kohë se nuk pranon të ketë as në listë e as në Qeverinë e saj të ardhshme njerëz me precedentë penalë. Por nuk do të pranojmë të na mbajnë moral politik për qeverisje me duar të pastra ata që janë thellë vetë të zhytur”, ka thënë Time Kadriaj, deputete në këtë subjekt.

Kurse politologu Ramush Tahiri mendon se pastrimi i listave nga personat me aktakuzë është çështje morale.

“Është çështje morale sepse me ligj qytetari është i pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës. Qytetari edhe mund të akuzohet, por më vonë të dalë i pafajshëm”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se duhet mirëkuptim dhe marrëveshje paraprake ose rezolutë e Kuvendit për ta arritur një qëllim të tillë. /Zeri

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera