Lajme

Veseli dhe Mustafa, në takime intensive për Demarkacionin

Autori: Gazeta inFokus 13:30 | 02 May 2017

Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa pak para dërgimit të Demarkacionit në Kuvend ka shpeshtuar takimet me partnerët e koalicionit qeverisës. Një i tillë është mbajtur javën që shkoi, e tjetri pritet të mbahet para të premtes, kur edhe partnerët PDK-LDK pritet të vendosin përfundimisht për fatin e Qeverisë Mustafa.

Mustafa gjatë javës së kaluar ka zhvilluar një takim joformal në zyrën e kryetarit të Kuvendit njëkohësisht liderit të PDK’së, Kadri Veseli.

Kjo është bërë e ditur nga vet shefja e kabinetit Mustafa, Vlora Dumoshi. Mirëpo, ajo të martën për Express ka deklaruar se takimet e tilla janë të zakonshme për drejtuesit e koalicionit.

-Advertisement-

“Ka pasur takime të rregullta”, ka thënë Dumoshi.

Ndërkohë që pyetur se a janë diskutuar çështja e demarkacionit apo shkuarja në zgjedhje, shefja e kabinetit Mustafa ka deklaruar se nuk ka pasur tema specifike.

“Në këto takime nuk ka pasur tema specifike, kanë qenë takime në baza ditore, të cilat vazhdimisht zhvillohen mes partnerëve të koalicionit”, është shprehur ajo.

E ndërkohë, Gazeta Express, nga burime të saja brenda koalicionit qeverisës merr vesh se Mustafa e Veseli do të takohen sërish para dërgimit të Demarkacionit në Kuvend.
Kjo gjë pritet të ndodhë brenda dy ditëve të ardhme. Ndërkohë që sipas po të njëjtave burime gjatë ditës së premte të kësaj jave koalicioni qeverisës do të dal me deklaratë të përbashkët përmes së cilës do të bëhet e ditur për të ardhmen e Qeverisë.

Ndërkohë që Qeveria Mustafa ka paraljmëruar që gjatë kësaj jave do ta procedojë në Kuvend Demarkacionin me Malin e Zi. Nga ana tjetër, zyrtarë të partive politike opozitare thonë se do ta kundërshtojnë atë dhe nuk do të lejojnë që ajo të miratohet me pretendimin se Kosova me këtë marrëveshje humb rreth 8 mijë hektarë tokë të territorit të saj.

Ratifikimi i marrëveshjes, ishte tërhequr nga votimi në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator të vitit të kaluar, pas tensionimit të gjendjes së sigurisë dhe mungesës së votave për ratifikim.

Tani pritet që për herë të dytë, koalicioni qeverisës të provojë ratifikimin e kësaj marrëveshje, për të cilën nevojiten 80 vota të deputetëve. Procedimin sa më të shpejtë të demarkacionit në Kuvend e ka kërkuar së fundi edhe zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, i cili ka gjasa se mund të vijë në Kosovë gjatë javës së ardhshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera