Lajme

Kamberi: Presim nga pushteti i ri t’i japë fund praktikës së injorimit të problemeve të shqiptarëve, duam barazi, jo mëshirë politike

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 14 November 2026

Kandidati i parë në listën e Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, ka deklaruar në një intervistë për agjencinë FoNet se pret që pushteti i ri të tregojë gatishmëri për t’i dhënë fund praktikës së injorimit të problemeve të shqiptarëve.

“Presim që pushteti i ri të tregojë gatishmëri për t’i dhënë fund praktikës së injorimit të problemeve të shqiptarëve dhe që çështjet e barazisë së tyre t’i trajtojë si çështje të sundimit të ligjit, respektimit të Kushtetutës, standardeve ndërkombëtare dhe vlerave europiane”, ka thënë Kamberi.

Ai ka shtuar se qëndrimin e pushtetit të ri ndaj shqiptarëve do ta vlerësojnë në bazë të veprimeve konkrete, e jo deklaratave dhe premtimeve politike.

-Advertisement-

“Shqiptarët kërkojnë barazi, përfaqësim institucional, arsimim, perspektivë ekonomike dhe mundësi për të jetuar me dinjitet në vendin ku kanë lindur”, ka theksuar Kamberi.

Sipas tij, janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me çdo qeveri që dëshmon vullnet të sinqertë politik për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Megjithatë, ai ka nënvizuar se dialogu nuk mund të zëvendësojë rezultatet dhe se bashkëpunimi nuk nënkupton heqje dorë nga të drejtat legjitime.

“Dëshirojmë që shqiptarët të integrohen në institucionet e Serbisë, por jo përmes asimilimit apo heqjes dorë nga identiteti kombëtar, por përmes barazisë së plotë dhe respektimit të të drejtave të tyre individuale dhe kolektive”, ka deklaruar Kamberi.

I pyetur për punën e Koalicionit Shqiptar në Kuvend, Kamberi ka thënë se do të veprojnë në mënyrë konstruktive, por edhe kritike, duke u bazuar në problemet konkrete dhe interesat e qytetarëve që përfaqësojnë.

“Prioritetet tona mbeten barazia e shqiptarëve, përfaqësimi më i madh i tyre në institucionet shtetërore, zgjidhja e problemit të pasivizimit të adresave, njohja e diplomave, arsimi në gjuhën shqipe, përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip, si dhe zhvillimi ekonomik i Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Ai ka shtuar se do të insistojnë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe obligimeve të shtetit ndaj pakicës kombëtare shqiptare.

Sa i përket formimit të grupit parlamentar, për të cilin nevojiten pesë deputetë, ndërsa Koalicioni Shqiptar ka dy, Kamberi ka thënë se do të zhvillojnë bisedime me deputetë dhe subjekte politike me të cilat mund të gjejnë interesa të përbashkëta për bashkëpunim parlamentar.

“Është e rëndësishme të theksohet se bashkëpunimi me grupet e tjera parlamentare nuk nënkupton heqje dorë nga pavarësia jonë politike dhe autonomia në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve”, ka thënë Kamberi.

Lidhur me përbërjen e re të Kuvendit, Kamberi pret që ky institucion të jetë vend i dialogut të mirëfilltë parlamentar, i mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv dhe i përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe pjesëtarët e pakicave kombëtare.

I pyetur nëse presin të marrin pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, kryetarit të ndonjë komisioni apo ndonjë funksion tjetër parlamentar, Kamberi ka vlerësuar se përfaqësimi i pakicave kombëtare duhet të jetë pjesë e standardeve demokratike dhe jo çështje e “mëshirës politike apo vullnetit të mirë të shumicës parlamentare”.

“Nuk kërkojmë poste vetëm për hir të posteve. Megjithatë, nuk pranojmë që përfaqësimi politik dhe kombëtar i shqiptarëve të mbetet vetëm formal. Është e rëndësishme që përfaqësuesit e shqiptarëve të kenë mundësi të marrin pjesë në vendimmarrje dhe të ndikojnë në proceset institucionale”, ka deklaruar Kamberi.

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy