Në një reagim të publikuar në Facebook, Xhemaili ka kritikuar deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili një ditë më parë e kishte cilësuar fitoren e “Listës së Studentëve” si një kthesë historike dhe kishte deklaruar se zhvillimet në Serbi mund ta bëjnë Qeverinë e Kosovës më të gatshme për themelimin e Asociacionit.
Sipas Xhemailit, është e papranueshme që qëndrimet e kësaj liste ndaj Kosovës të trajtohen si shenjë e një fryme të re politike, derisa, siç ka thënë ai, platforma e saj bazohet në pretendime territoriale ndaj Kosovës, kundërshtim të marrëveshjeve të Brukselit dhe synime për rikthimin e Serbisë në Prishtinë.
Ai ka ngritur edhe çështjen e vizitës së përfaqësuesve të kësaj liste në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet të sqarojnë nëse janë respektuar ligji dhe protokollet shtetërore, nëse është kërkuar leje për këtë vizitë dhe kush e ka autorizuar atë.
Xhemaili ka kritikuar gjithashtu qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se ajo parasheh zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme në kuadër të dialogut.
Në fund, zëdhënësi i Aleancës ka kërkuar publikisht nga Qeveria që të sqarojë nëse ka ndryshuar qëndrimin zyrtar për Asociacionin dhe nëse vizitat dhe zhvillimet e fundit përbëjnë, sipas tij, fillimin e pranimit në heshtje të kushteve të Beogradit.



































