Lajme

Daut Haradinaj pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Mbiemri Haradinaj nuk është mburojë për askënd, do të ketë pasoja ligjore

Autori: Gazeta inFokus 21:10 | 26 October 2026

Daut Haradinaj ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar llogaridhënie të drejtpërdrejtë nga institucionet dhe duke kundërshtuar përfshirjen e mbiemrit Haradinaj në pretendimet për lidhje apo ndikim të mundshëm të dorasit.

Haradinaj ka thënë se pas një tragjedie të tillë, vendi nuk ka nevojë për moral politik e parlamentar, por për përgjegjësi institucionale, shkarkime dhe ndëshkime.

Ai ka kritikuar heshtjen dhe mosveprimin përballë rasteve të tilla, duke theksuar se dështimi i institucioneve për t’i mbrojtur gratë përbën një dështim të rëndë të drejtësisë dhe sigurisë.

-Advertisement-

Duke iu referuar deklarimeve të avokates që kishte përfaqësuar Arlinda Zekajn, Haradinaj ka ngritur pyetjen se pse shqetësimet për ndikimin e mundshëm të dorasit nuk u adresuan në institucionet përkatëse para se të ndodhte tragjedia. Ai ka kërkuar gjithashtu reagim nga Oda e Avokatëve të Kosovës për çështjet që lidhen me përgjegjësinë profesionale.

“Askush nuk mund ta përdorë mbiemrin Haradinaj për të krijuar përshtypjen se dikush është i paprekshëm”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka theksuar se familja e tij nuk përbën mburojë për askënd dhe se çdo pretendim që e lidh mbiemrin Haradinaj me raste të tilla duhet të mbështetet në fakte.

Ai ka paralajmëruar se kushdo që e përmend mbiemrin e familjes së tij pa fakte, apo e përdor atë për të kërcënuar të tjerët, do të përballet me pasoja ligjore. Në të njëjtën kohë, ka ftuar të gjithë ata që ndihen të kërcënuar nga persona që pretendojnë se kanë lidhje me familjen Haradinaj, që ta kontaktojnë drejtpërdrejt.

Në fund të reagimit, Daut Haradinaj ka theksuar se pas përfundimit të luftës më 1999, angazhimi i familjes së tij ka qenë për sigurinë e qytetarëve, sovranitetin dhe të ardhmen e Kosovës.

Ndërkaq, vrasja e Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe nevojën për mekanizma efektivë të mbrojtjes së viktimave.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy