Fokus

Muaj i zi në Kosovë: Dy gra dyshohet se u vrạnë nga bashkëshortët, dhụnime e të paktën 15 viktima në aksidente

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 27 August 2026

Gushti po lë pas një bilanc të rëndë në Kosovë. Dy gra humbën jetën brenda vetëm pak ditësh, në të dyja rastet nën dyshimin se u vranë nga bashkëshortët e tyre. Një burrë raportoi se ishte dhunuar seksualisht nga tre persona në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ndërsa rrugët e Kosovës morën të paktën 15 jetë.

Gazeta Infokus ka analizuar raportet 24-orëshe të Policisë së Kosovës nga fillimi i gushtit deri më 27 gusht. Ajo që del prej tyre është një varg ngjarjesh tragjike, veçanërisht në ditët e fundit të muajit.

 

-Advertisement-

Dy gra dyshohet se u vranë nga bashkëshortët brenda dy ditësh 

Brenda vetëm tri ditësh, dy familje u përballën me tragjedi, ndërsa dy burra përfunduan nën pranga si të dyshuar kryesor për vrasjen e bashkëshorteve të tyre.

Rasti i parë ndodhi më 23 gusht në Kërvasari të Malishevës. Një grua vetëm 25-vjeçare, e cila ishte shtatzënë në muajin e shtatë, humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri.

Edhe bashkëshorti i saj ishte gjetur i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor. Por hetimet morën një tjetër drejtim, pasi Prokuroria bëri të ditur se pikërisht ai dyshohet për vrasjen e gruas së tij.

Vetëm tri ditë më vonë, një tjetër grua humbi jetën.

Më 26 gusht në Prizren, një 80-vjeçare u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj. Këtë herë, nën dyshimin për vrasjen e saj u shoqërua në Polici bashkëshorti 81-vjeçar.

Policia e regjistroi rastin si “Vrasje e rëndë”. Trupi i gruas u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa bashkëshorti i saj, pas intervistimit, u dërgua në mbajtje.

Dy gra të moshave krejtësisht të ndryshme – njëra 25-vjeçare dhe shtatzënë, tjetra 80-vjeçare – humbën jetën brenda dy ditësh. Në të dyja rastet, dyshimet e para të organeve të drejtësisë rëndojnë mbi bashkëshortët e tyre.

 

Rasti në Dubravë – burri thotë se u dhunua nga tre persona

Kronikës së rëndë të ditëve të fundit iu shtua edhe një rast i pazakontë dhe tejet i rëndë.

Më 25 gusht, një burrë deklaroi se ishte sulmuar fizikisht dhe më pas dhunuar seksualisht nga tre persona.

Në raportin e parë të Policisë rasti ishte evidentuar në Istog. Viktima kishte marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ndërsa për rastin ishte njoftuar edhe prokurori.

Më pas u konfirmua se ngjarja dyshohet se kishte ndodhur brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës.

Rasti është duke u hetuar, ndërsa tre persona janë të dyshuar për dhunimin e viktimës.

 

Rrugët morën të paktën 15 jetë gjatë gushtit

Ndërkohë që vendi po përballej me këto raste, një tjetër bilanc po rëndohej pothuajse çdo ditë – ai i aksidenteve.

Nga raportet 24-orëshe të Policisë të analizuara nga Gazeta Infokus, deri më 27 gusht rezultojnë 14 aksidente me fatalitet dhe të paktën 15 persona që kanë humbur jetën.

Dallimi mes dy shifrave është i rëndësishëm. Policia në statistikat ditore numëron aksidentet me fatalitet dhe jo numrin e personave që kanë vdekur. Një aksident mund të figurojë si një rast i vetëm, edhe kur ka marrë dy jetë.

Kjo ndodhi më 16 gusht në Surkish të Podujevës, ku dy persona humbën jetën në të njëjtin aksident.

Vetëm një ditë më herët, më 15 gusht, dy aksidente të tjera kishin përfunduar me viktima.

Në Bukosh të Suharekës, një grua humbi jetën pas përplasjes së dy automjeteve. Po atë ditë, në Mleqan të Malishevës, një këmbësor humbi jetën pasi u godit nga një veturë.

Ditët që pasuan sollën viktima të tjera, duke e çuar bilancin e evidentuar deri më 27 gusht në të paktën 15 jetë të humbura në aksidente.

Në këtë bilanc hyn edhe personi që ndërroi jetë më 27 gusht në QKUK, pasi disa ditë më parë ishte përfshirë në një vetaksident në Malishevë.

Një muaj që la pas shumë viktima

Dy gra që dyshohet se u vranë nga njerëzit me të cilët ndanin jetën, një burrë që dyshohet se u dhunua seksualisht nga tre persona brenda një institucioni korrektues dhe të paktën 15 njerëz që nuk u kthyen më në shtëpi pas aksidenteve.

/Gazeta Infokus 

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy