Fokus

Ekskluzive: KEK-u gënjeu se ka “maksimizuar” çmimin për shitjen e thëngjillit – Në vitin 2022 ia shiste Maqedonisë dyfish më shtrenjtë (DOKUMENT)

Autori: Hateme Smajli 11:39 | 25 August 2026

Korporata Energjetike e Kosovës e prezantoi marrëveshjen e re për shitjen e thëngjillit në Maqedoninë e Veriut si një sukses të madh, duke pretenduar publikisht se përmes eliminimit të ndërmjetësit privat kishte arritur të “maksimizojë çmimin dhe përfitimet”.

Por dy kontrata të KEK-ut, ajo e vitit 2022 dhe marrëveshja e re e nënshkruar më 14 gusht 2026, të cilat i ka siguruar Gazeta Infokus, nxjerrin në pah një diferencë të madhe në çmimin e shitjes dhe ngrenë pikëpyetje serioze rreth pretendimit për “maksimizim”.

Në vitin 2022, KEK-u e shiste thëngjillin për 45.10 euro për ton pa TVSH, ndërsa në marrëveshjen e re trevjeçare me kompaninë publike maqedonase JSC ESM, çmimi është përcaktuar në deri në 24.40 euro për ton pa TVSH.

-Advertisement-

Diferenca mes dy çmimeve arrin në 20.70 euro për çdo ton, që do të thotë se çmimi i ri është rreth 46 për qind më i ulët.

Parë nga këndvështrimi tjetër, çmimi i vitit 2022 ishte rreth 85 për qind më i lartë se çmimi prej 24.40 eurosh që KEK-u tash po e paraqet si pjesë të një marrëveshjeje që ka “maksimizuar çmimin dhe përfitimet”.

 

KEK-u tha se “maksimizoi çmimin”, kontrata tregon maksimum prej 24.40 eurosh

Më 14 gusht 2026, KEK-u nënshkroi marrëveshjen me ‘JSC ESM’ për shitjen e thëngjillit për një periudhë prej 36 muajsh. Vetë kontrata konfirmon se marrëveshja është trevjeçare.

Në njoftimin publik, KEK-u deklaroi:

“Përmes kësaj marrëveshjeje të drejtpërdrejtë, KEK-u ka arritur të eliminojë ndërmjetësimin dhe të maksimizojë çmimin dhe përfitimet, duke ia shitur qymyrin drejtpërdrejt shfrytëzuesit përfundimtar.”

Mirëpo, kontrata e nënshkruar me ESM-në tregon se vlera e përafërt e marrëveshjes është 73.2 milionë euro, bazuar në çmimin prej 24.40 eurosh për ton.

Madje formulimi i kontratës është edhe më interesant.

Aty nuk thuhet vetëm se çmimi është 24.40 euro, por se çmimi për ton, pa TVSH, “nuk do të kalojë 24.40 euro” gjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëveshjes.

Kjo ngre edhe një pyetje shtesë: nëse 24.40 euro është tavani maksimal, a ekziston mundësia që në raste të caktuara KEK-u të inkasojë edhe më pak euro për ton?

Me ndërmjetës privat, KEK-u merrte 45.10 euro për ton

Në vitin 2022, KEK-u kishte lidhur kontratë me kompaninë private kosovare FERSHPED SH.P.K. për shitjen e 100 mijë tonëve thëngjill.

Edhe atëherë destinacioni i thëngjillit ishte Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje specifikohet se FERSHPED kishte kërkuar këtë sasi për konsumatorë – termocentrale në Maqedoninë e Veriut.

Çmimi ishte 45.10 euro për ton pa TVSH.

Për 100 mijë ton, vlera arrinte në 4 milionë e 510 mijë euro pa TVSH, ndërsa me TVSH kontrata kishte vlerë 5 milionë e 321 mijë e 800 euro.

Pra, në vitin 2022, kur ndërmjet KEK-ut dhe shfrytëzuesit përfundimtar ekzistonte një operator privat, KEK-u siguronte çmim prej 45.10 euro për ton.

Katër vjet më vonë, pasi KEK-u thotë se e ka eliminuar ndërmjetësin dhe ka “maksimizuar çmimin”, kontrata direkte me ESM-në përcakton se çmimi nuk mund të kalojë 24.40 euro për ton.

 

Mbi 2 milionë euro diferencë për çdo 100 mijë ton

Përmasat e diferencës bëhen më të qarta kur të dy çmimet krahasohen mbi të njëjtën sasi prej 100 mijë tonësh.

Me çmimin e vitit 2022 prej 45.10 euro për ton, vlera e 100 mijë tonëve arrinte në 4 milionë e 510 mijë euro.

Ndërsa me çmimin e marrëveshjes së re prej 24.40 euro për ton, e njëjta sasi prej 100 mijë tonësh do të vlente 2 milionë e 440 mijë euro.

Kjo nënkupton një diferencë prej 2 milionë e 70 mijë eurosh për çdo 100 mijë ton thëngjill.

Kjo diferencë nuk mund të konsiderohet automatikisht si humbje financiare për KEK-un, pasi kontrata e re i bart JSC ESM-së edhe disa obligime operative që kanë kosto financiare. Megjithatë, vetëm në çmimin nominal të shitjes, diferenca mes dy marrëveshjeve kalon 2 milionë euro për çdo 100 mijë ton.

Rreziku tjetër: Kontrata lejon edhe devijim ±30%

Një tjetër detaj i rëndësishëm, që nuk përmendet fare nga njoftimi promovues i KEK-ut për marrëveshjen gjendet në kontratë.

Dokumenti përcakton se KEK-u disponon për shitje rreth 3 milionë ton thëngjill, me devijim të mundshëm prej plus – minus 30 për qind.

KEK-u gjithashtu i garanton blerësit të drejtën për të tërhequr rreth 3 milionë ton gjatë periudhës trevjeçare, përsëri me tolerancën ±30 për qind.

Kjo nënkupton një interval potencial prej rreth:

2.1 milionë deri në 3.9 milionë ton.

Prandaj, 73.2 milionë euro nuk duhet trajtuar si shumë e garantuar e të hyrave. Ajo është vlera e përafërt që korrespondon me 3 milionë ton me çmim 24.40 euro.

Nëse realizohen 2.1 milionë ton, fitimi me këtë çmim do të ishte vetëm rreth 51.24 milionë euro.

 

Me çmimin e vitit 2022, 3 milionë ton do të vlerësoheshin 135.3 milionë euro

Diferenca bëhet shumë më e madhe kur krahasimi bëhet mbi sasinë bazë të marrëveshjes së re.

Tre milionë ton me çmimin prej 24.40 euro japin: 73.2 milionë euro.

E njëjta sasi, po të llogaritej me çmimin prej 45.10 euro për ton të kontratës së vitit 2022, do të arrinte: 135.3 milionë euro.

Diferenca teorike është 62.1 milionë euro.

Ky krahasimi tregon përmasën e diferencës mes dy çmimeve dhe e bën edhe më të nevojshëm shpjegimin se mbi çfarë kalkulimi KEK-u e konsideron 24.40 euro për ton si “maksimizim”.

 

Jo vetëm çmim më i ulët – KEK-u hoqi dorë edhe nga parapagimi 50% që e merrte në vitin 2022

Dallimi mes dy kontratave nuk përfundon vetëm te çmimi dukshëm më i ulët për ton. KEK-u në marrëveshjen e re ka humbur edhe një kusht financiar shumë më të favorshëm që e kishte në vitin 2022 – parapagimin prej 50 për qind të vlerës së kontratës.

Në kontratën e vitit 2022, kompania FERSHPED obligohej që brenda vetëm 14 ditësh nga nënshkrimi i kontratës t’ia depozitonte KEK-ut 2 milionë e 660 mijë e 900 euro, ose plot 50 për qind të vlerës së kontratës, para realizimit të plotë të saj.

Në marrëveshjen e vitit 2026 me JSC ESM, ky mekanizëm financiar është zhdukur.

Kontrata e re e thotë shprehimisht: “Advance payment is not applicable” – parapagimi nuk aplikohet.

Kjo do të thotë se KEK-u, përveçse ka pranuar një çmim nominal prej 24.40 euro për ton, krahasuar me 45.10 euro për ton në vitin 2022, tash nuk merr asnjë pagesë paraprake.

Në vend të saj, marrëveshja e re parasheh faturim mujor për sasinë e shitur gjatë muajit paraprak, ndërsa JSC ESM ka deri në 30 ditë nga pranimi i faturës për ta kryer pagesën.

Pra, krahasimi nxjerr edhe një dallim të fortë: në vitin 2022 KEK-u siguronte gjysmën e vlerës së kontratës paraprakisht; në vitin 2026 nuk siguron asnjë euro parapagim dhe pagesën e merr vetëm pas realizimit dhe faturimit të sasive.

Kjo e bën edhe më të nevojshëm shpjegimin e KEK-ut se ku qëndron “maksimizimi i përfitimeve”, kur marrëveshja e re jo vetëm që ka çmim nominal dukshëm më të ulët për ton, por ka edhe kushte më pak të favorshme sa i përket parapagimit.

 

ESM merr përsipër ekskavimin dhe punë të tjera

Kontrata e vitit 2026 përmban një element që duhet marrë parasysh në krahasim.

ESM duhet të sigurojë me mjetet e veta pajisjet dhe makineritë e nevojshme për eksploatimin, grumbullimin, ngarkimin dhe transportimin e thëngjillit.

Përgjegjësitë e blerësit shkojnë edhe më tej. Gjatë procesit të nxjerrjes, ESM merr përgjegjësi për largimin e materialeve të mbetura, menaxhimin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore dhe rehabilitimin e terrenit pas përfundimit të punëve.

Këto janë obligime me kosto ekonomike dhe duhet të merren parasysh.

Por pikërisht këtu KEK-u duhet të japë shifra konkrete.

Sa euro për ton vlejnë këto punë dhe a e arsyetojnë ato diferencën prej 20.70 eurosh për ton mes dy kontratave?

Pa një kalkulim të tillë publik, pretendimi për “maksimizim të çmimit dhe përfitimeve” mbetet i pashpjeguar financiarisht dhe deri më tash një gënjeshtër publike.

 

Edhe në kontratën e vitit 2022 një pjesë e logjistikës i takonte blerësit

Pavarësisht përgjegjësive më të gjera që ESM merr në marrëveshjen e re, as në kontratën e vitit 2022 KEK-u nuk i barte të gjitha obligimet logjistike.

FERSHPED kishte obligime lidhur me marrjen, ngarkimin dhe transportimin e thëngjillit.

Prandaj, diferenca prej 20.70 eurosh për ton nuk mund të arsyetohet thjesht me deklarimin se në marrëveshjen e re “transportin e paguan blerësi”.

Dallimi real që duhet të kuantifikohet është kostoja e eksavimit dhe obligimeve shtesë që në vitin 2026 i janë bartur ESM-së.

 

A po “ngrihet” çmimi në favor të ESM-së për tre vjet?

Një tjetër element problematik është kohëzgjatja e marrëveshjes.

KEK-u e ka paraqitur çmimin afatgjatë si garanci stabiliteti ndaj luhatjeve të tregut.

Mirëpo kontrata përcakton se çmimi për ton pa TVSH nuk mund të kalojë 24.40 euro gjatë gjithë periudhës së marrëveshjes.

Nëse tregu bie, kjo mund të jetë në favor të KEK-ut, varësisht nga zbatimi i çmimit.

Por nëse vlera e thëngjillit rritet ndjeshëm gjatë 36 muajve, tavani prej 24.40 eurosh mund ta pengojë KEK-un të përfitojë nga çmimet më të larta.

Në kontratën e siguruar nga Infokus nuk shihet një formulë e zakonshme indeksimi që automatikisht do ta rriste tavanin e çmimit sipas tregut.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen: mbi çfarë analize është vendosur që 24.40 euro të jetë tavani për tre vjet?

 

Tantiema – një tjetër element që duhet sqaruar

Në kontratën e vitit 2022, në strukturën e çmimit përmendej edhe tantiema prej 3 euro për ton për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Për marrëveshjen e vitit 2026 duhet të sqarohet qartë trajtimi financiar i kësaj tantieme dhe nëse ajo hyn brenda tavanit prej 24.40 eurosh apo trajtohet ndaras.

Kjo është e rëndësishme për të llogaritur jo vetëm çmimin bruto, por sa para i mbesin realisht KEK-ut për çdo ton.

 

ESM megjithatë nuk mund ta lërë qymyrin pa pasoja

Kontrata përmban edhe një mekanizëm mbrojtës për KEK-un.

Nëse në përfundim të marrëveshjes ESM nuk e ka tërhequr sasinë e thëngjillit brenda devijimit të lejuar prej ±30 për qind dhe kjo nuk është për faj të KEK-ut, blerësi duhet t’i paguajë KEK-ut vlerën e qymyrit të patërhequr.

Kjo është një dispozitë në favor të Korporatës dhe zvogëlon një pjesë të rrezikut nga mostërheqja e sasisë së paraparë.

 

KEK-u duhet të tregojë me shifra se ku qëndron “maksimizimi i çmimit”

Pas sigurimit të të dyja kontratave, krahasimi nuk mbetet më vetëm te deklaratat publike.

Në vitin 2022 KEK-u siguronte 45.10 euro për ton pa TVSH, kishte 50 për qind parapagim dhe kontrata ishte për 100 mijë ton.

Në vitin 2026, marrëveshja direkte me shfrytëzuesin përfundimtar ka një tavan prej 24.40 euro për ton, nuk ka parapagim, zgjat 36 muaj dhe mbulon rreth 3 milionë ton me devijim ±30 për qind. Nga ana tjetër, ESM merr përsipër një pjesë më të madhe të kostove dhe operacioneve të ekskavimit dhe rehabilitimit.

Pikërisht për këtë arsye KEK-u duhet të tregojë publikisht kalkulimin.

Sa kushton për ton puna që i është bartur ESM-së? Sa i mbetet KEK-ut neto nga 24.40 euro? Sa ishte fitimi neto nga 45.10 euro në vitin 2022? Dhe mbi cilën analizë është konstatuar se marrëveshja e re “maksimizon” çmimin dhe përfitimet?

Pa këto të dhëna, deklarata për “maksimizimin e çmimit” bie ndesh me krahasimin më elementar të dy kontratave: çmimi nominal për ton në vitin 2026 është 20.70 euro më i ulët se në vitin 2022, ndërsa KEK-u ka hequr dorë edhe nga parapagimi prej 50 për qind që e kishte në marrëveshjen e mëparshme.

Dokumentet e siguruara nga Gazeta Infokus nxjerrin në pah një kontradiktë të madhe. Si mund të quhet “maksimizim i çmimit” një marrëveshje me tavan prej 24.40 euro për ton, kur vetëm katër vjet më parë KEK-u e shiste thëngjillin me 45.10 euro për ton?

/Gazeta Infokus

Kontrata e vitit 2022 e siguruar nga Gazeta Infokus.

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy