Lajme

Thaçi rrëfen ditët e luftës: Durimi, vendosmëria dhe qëllimi i luftëtarit të UÇK-së do të mbeten unikë në histori

Autori: Gazeta inFokus 21:03 | 20 August 2026

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën e tij të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, është kthyer në kujtimet e luftës së viteve 1998-1999, duke rrëfyer për gjendjen e rëndë të popullatës civile dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi ka përshkruar atë që thotë se kishte parë pas kthimit nga Rambujeja, kur kishte vazhduar takimet me bashkëluftëtarët në zonat e luftës.

“Pas rikthimit nga Rambuje, në trevat e luftës vazhdoja të takoja bashkëluftëtarë. Burra dhe gra të zhvendosur, nëpër lugina e pyje, të leckosur e të mërdhirë, të uritur e të etur, të lodhur e të sëmurë, të frikësuar e të mërzitur”, ka rrëfyer Thaçi.

-Advertisement-

Ai ka kujtuar edhe fëmijët e porsalindur, të plagosurit dhe familjet që kishin humbur njerëzit e tyre.

“Ishte jo e lehtë t’i dëgjoje zërat dhe qarjet e fëmijëve të porsalindur, përjetoja edhe devotshmërinë e luftëtarëve me plagë të freskëta e gjymtyrë të humbura nëpër beteja, pa mundësi për trajtim të mirëfilltë mjekësor, si dhe familjarë që kishin humbur më të dashurit e tyre”, ka thënë ai.

Pavarësisht rrethimit policor dhe ushtarak dhe mungesës së ushqimit, Thaçi ka treguar se gjatë asaj kohe mes njerëzve ishte krijuar një solidaritet i jashtëzakonshëm.

“Gjatë luftës, njerëzit – ata që e kanë përjetuar e dinë më mirë – i përkasin njëri-tjetrit më shumë se në kohë paqeje; solidariteti i ndërsjellë rritet”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, në rrethana të tilla gjërat materiale humbnin rëndësinë dhe mbijetesa shndërrohej në qëllimin kryesor.

“Nuk kanë çfarë të humbin, synimi i vetëm mbetet MBIJETESA. Ndjenja e shpresës bëhet e pakufishme”, ka thënë ish-presidenti.

Thaçi ka treguar se edhe në mes të luftës jeta vazhdonte, duke kujtuar fejesa, martesa, lindje, por edhe vdekje e varrime.

“Nga të rinjtë ndodhnin dashuri të reja, fejesa dhe martesa. Natyrshëm edhe lindje e vdekje. Janë fenomene të cilat i kisha shikuar vetëm në filma apo lexuar në romane historike. Mora pjesë në disa varrime. Pata fatin të jem edhe dasmor në dy martesa të bashkëluftëtarëve”, ka rrëfyer ai.

Duke folur për luftëtarët e UÇK-së, Thaçi ka deklaruar se qëllimi i tyre ishte i lidhur me atë që ai e përshkruan si të drejtën kombëtare dhe politike për liri.

“Durimi, vendosmëria dhe qëllimi i luftëtarit të UÇK-së është i pakrahasueshëm – do të mbetet unik në historinë e lëvizjeve çlirimtare në historinë botërore”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, rezistenca e shqiptarëve përballë regjimit të Slobodan Millosheviqit ishte “çështje jetësore”.

“Përballë Serbisë së Millosheviqit nuk kishte rrugë të ndërmjetme”, ka thënë Thaçi./GazetaInfokus

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy