Lajme

Gruda i përgjigjet Konjufcës: Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar qartë konstituimin e Kuvendit, nuk interpretohet interpretimi

Autori: Gazeta inFokus 12:04 | 10 August 2026

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili tha se kush mendon se është shkelur Kushtetuta duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Gruda ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk shërben për të interpretuar aktgjykimet e veta, pasi kjo do të nënkuptonte “interpretim mbi interpretimin”.

“Glauk Konjufca, në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, ka shkruar ai.

-Advertisement-

Sipas Grudës, Aktgjykimi KO124/25 e ka sqaruar qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

“Aktgjykimi KO124/25 e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, ka theksuar deputeti i PDK-së.

Ai ka cituar edhe paragrafin 140 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese:

“(…) Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Në fund, Gruda ka pyetur se përse duhet që çështja të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese.

“Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon ta dërgojmë edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, ka përfunduar ai./Gazeta Infokus

 

Bletaria Haxhia – Tradita familjare dhe përkushtimi ndaj bletarisë sjellin mjaltë natyral e cilësor në tryezat tuaja
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy