Ekonomi

“3 milionë eurot për mërgimtarët”, Bajraktari kritikon qeverinë: Po bëhet pa planifikim dhe analiza të mirëfillta

Autori: Samire Jaha 16:05 | 24 Qershor 2026

Qeveria në detyrë sot ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 3 milionë eurove për mbulimin e policës kufitare, përkatësisht Kartonit të Gjelbër, për mërgimtarët që do të vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror, shkruan Gazeta Infokus.

Lidhur me këtë vendim, avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se nga aspekti ligjor nuk ekzistojnë kufizime që do ta pengonin një qeveri në detyrë të marrë vendime të tilla financiare.

Në një prononcim për Infokus, Bajraktari tha se Ligji për Qeverinë nuk parasheh ndalesa specifike sa i përket ndarjes apo rialokimit të fondeve nga një qeveri në detyrë mirëpo ndarje të tilla sipas tij tregojnë mungesë vizioni.

-Advertisement-

“Referuar legjislacionit në fuqi, me theks të veçantë Ligjit për Qeverinë, kur flitet për kufizimet e qeverisë në dorëheqje respektivisht në detyrë, në lidhje me aspektet financiare, përkatësisht ndarje dhe ri-alokim të fondeve, nuk ka ndonjë ndalesë përkatësisht kufizim”, deklaroi Bajraktari për Infokus.

Megjithatë, ai ka ngritur dilema lidhur me mënyrën e planifikimit dhe menaxhimit të mjeteve publike, duke vlerësuar se ndarje të tilla tregojnë mungesë të planifikimit afatgjatë.

“Megjithatë ndarjet e tilla, dhe mos përcaktimet me kohe të buxhetit për mbulimin e shpenzimeve të kësaj natyrë, tregojnë për mungesë vizioni dhe mbi të gjitha qasje jo serioze në raport me shpenzimin e parasë publikë pa një plan dhe analiza të mirëfillta”, tha ai tutje për Infokus.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se mjetet do të shërbejnë për zbatimin e masës për mbështetjen e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

“Duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjetet për të mbuluar policën kufitare apo atë siç quhet Kartoni i Gjelbër për mërgatën tonë, të cilët hyjnë me vetura në vizitë apo për qëndrim në Kosovë përgjatë kësaj periudhe. Prandaj, si e tillë, propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 3 milionë euro, për zbatimin e masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, ka deklaruar Murati sot në mbledhje e qeverisë.

Vendimi për ndarjen e 3 milionë eurove për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgimtarët nga qeveria është arsyetuar si masë për lehtësim për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror./Gazeta Infokus/

Qeveria ndan 3 milionë euro për t’ia mbuluar sigurimin kufitar mërgatës

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy