Ekonomi

Si po mashtrojnë tregtarët, klimat efiqente pa asnjë standard e pa asnjë kontrollë, tre plusat një mashtrim i madh

Autori: Gazeta inFokus 14:38 | 25 Shkurt 2026

Një dallaver i madh dyshohet se po bëhet nga tregtarët e klimave, të cilët po u shesin pajisje qytetarëve të Kosovës me deklarime të rreme për kursim të energjisë elektrike.

Tregu i Kosovës është mbushur me klima të importuara nga vende të ndryshme, por pa një mekanizëm real inspektimi teknik, ku kontrolli mbetet kryesisht formal.

Shumë prej tyre paraqesin në etiketë klasa të larta të efiçencës së energjisë elektrike, por këto vlera janë vetëm teorike ose vendosen drejtpërdrejt në fabrikë në Kinë, sipas porosisë së importuesve kosovarë.

-Advertisement-

Fjala është për efiçencën e energjisë elektrike, ku shumica e pajisjeve kanë të shënuar simbolin A+++, që nënkupton kursim të lartë të energjisë. Por realisht këtë standard askush nuk i verifikon në mënyrë të pavarur në Kosovë.

Si pasojë, në përdorim real këto klima konsumojnë më shumë rrymë dhe nuk arrijnë performancën e premtuar në etiketë, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas njohësve të fushës, dallimin kryesor e bën certifikimi Eurovent, i cili përmes testimeve të pavarura verifikon që shifrat në etiketë përputhen me realitetin, duke i dhënë konsumatorit siguri reale për atë që po blen.

Si pasojë e mungesës së kontrollit, shumica e tregtarëve në Kosovë shesin klima me premtime për kursim deri në 75% të energjisë elektrike dhe kategori të larta efiçence deri në A+++, por askush nuk e bënë verifikimin realisht.

Problemi kryesor lidhet me faktin se shumë prej këtyre pajisjeve prodhohen në Kinë, markohen sipas porosisë së importuesve dhe nuk posedojnë certifikime të pavarura ndërkombëtare që vërtetojnë performancën reale.

Në këtë kontekst, gazetari Shkëlzen Dakaj në emisionin “Podcast me Shkëlzen Dakaj” ka deklaruar se, sipas informatave të siguruara, në tregun e Kosovës po hyjnë pajisje që promovohen me efikasitet të lartë energjetik, por pa standardizim të qartë.

“Në Kosovë po hyjnë krejt këto klima, pjesa më e madhe e tyre, sipas informatave që kemi dhe do t’i trajtojmë ditëve në vijim, shumicës prej tyre u shkruhet 75% kursim i energjisë elektrike, me ato tre plusat. Shumica prej tyre po vijnë krejtësisht ‘made in China’, pa asnjë standard, sipas kërkesës së tregtarëve të vendit tonë. Edhe kostoja e tyre është shumë e lirë nëse ti nuk kërkon me të vërtetë t’i përmbushin ato standarde”, ka theksuar Dakaj.

Ai ka ngritur edhe shqetësimin nëse kursimi i premtuar për qytetarët përputhet me realitetin e konsumit.

“A duhet ta kontrollojë dikush nëse ti i ke thënë qytetarit hiqe këtë klimë, unë po ta blej një klimë të re e cila do ta ulë konsumin e energjisë elektrike, ndërsa në fakt e ke paguar paranë dhe ke marrë të njëjtën pajisje që shpenzon të njëjtën sasi të energjisë elektrike?”, ka thënë tutje Dakaj.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të energjisë elektrike, analisti Burim Ejupi, ka deklaruar se një praktikë e tillë përbën mashtrim dhe duhet të sanksionohet ligjërisht.

“Nëse kjo është e vërtetë, ne kemi agjenci të standardizimit në Kosovë. Kjo është mashtrim dhe mashtruesi duhet të hyjë në burg. Ka ligje për mashtrues”, ka deklaruar Ejupi.

Sa i përket subvencionimit të pajisjeve efiçiente, Ejupi ka kritikuar mungesën e transparencës nga ana e qeverisë.

“Kjo është një gjë që nuk e di pse nuk e ka bërë publike qeveria. Kushti për t’u subvencionuar një pajisje efiçiente ka qenë konsumi… Sipas disa informatave, kursimi shkon deri në 40 megavat. Po flasim për ata njerëz që kanë përfituar, sepse është dashur t’i dërgonin faturat e vitit tjetër”, është shprehur ai.

Viteve të fundit, importi i pajisjeve klimatike efiçiente është shtuar në Kosovë për shkak të subvencionimit nga ana e qeverisë për përdorimin e tyre.

Qeveria e Kosovës ka ndarë dhjetëra miliona euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte deklaruar se përmes kësaj skeme synohet ulja e faturave të energjisë, por sipas pretendimeve, tregu i klimave nuk është monitoruar seriozisht për cilësi dhe performancë reale.

Nga testimet te siguria e konsumatorit – roli i certifikimeve

Në tregjet evropiane, performanca reale e kondicionerëve verifikohet përmes certifikimeve të pavarura si Eurovent, i cili teston kapacitetin e ftohjes dhe ngrohjes, efikasitetin energjetik dhe nivelin e zhurmës.

Eurovent Certification është një certifikim evropian i pavarur që vërteton performancën reale të kondicionerëve përmes testimeve laboratorike dhe kontrolleve të vazhdueshme. Ai siguron që parametrat teknikë të deklaruar nga prodhuesi përputhen me realitetin, duke garantuar transparencë dhe besueshmëri për konsumatorin.

Ndërsa certifikimi CE tregon se kondicioneri përmbush kërkesat bazë të sigurisë, shëndetit dhe mbrojtjes së mjedisit sipas standardeve evropiane.

Po ashtu, certifikimi SGS konfirmon se pajisja është testuar nga një autoritet ndërkombëtar i pavarur dhe verifikon cilësinë, sigurinë dhe përputhshmërinë e produktit.

Megjithatë, sipas pretendimeve, shumë prej pajisjeve klimatike që shiten në Kosovë nuk posedojnë këto certifikime të verifikueshme.

Gazeta Infokus ka dërguar pyetje zyrtare në Agjencinë Kosovare për Standardizim lidhur me kontrollin e cilësisë dhe certifikimin e klimave që hyjnë në tregun kosovar, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje. /Gazeta Infokus/

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy