“Rënia e Snapchat” zbulon varësinë e frikshme: Njeriu modern s’ka më frikë të mbetet vetëm, por të mbetet pa rrjete sociale
Autori: Samire Jaha
16:33 | 21 Tetor 2025
Bllokimi global i aplikacionit Snapchat, që zgjati për disa orë dhe preku miliona përdorues në mbarë botën, nuk ishte thjesht një “defekt teknik”.
Ai u shndërrua në një pasqyrë të qartë të varësisë digjitale që karakterizon shoqërinë moderne, shkruan Gazeta Infokus.
Në Kosovë dhe rajon, reagimet ishin të menjëhershme. Përdoruesit “shpërthyen” në rrjete të tjera me shqetësime dhe panik, duke treguar se për shumë njerëz mungesa e qasjes në aplikacion u përjetua si një “krizë sociale”.
Shumë prej tyre raportuan humbjen e mesazheve dhe kontakteve pas riinstalimit të aplikacionit.
Por, përtej aspektit teknik, sociologu Jahir Sumiçi e sheh këtë fenomen si një simptomë të thellë të ndërvarësisë së njeriut me rrjetet sociale.
“Reagimi i njerëzve ndaj bllokimit të përkohshëm të Snapchat-it tregon shkallën e thellë të ndërvarësisë që shoqëria bashkëkohore ka krijuar me rrjetet sociale. Në realitetin digjital, lidhja me rrjetin nuk është më një luks apo një argëtim, por një nevojë sociale e përditshme, e ngjashme me mënyrën si njerëzit dikur kishin nevojë për komunikimin fizik dhe për takimet ballë për ballë. Sot, rrjetet si Snapchat janë bërë hapësira simbolike të jetës kolektive — aty ndodh ndërtimi i imazhit personal, i reputacionit social dhe i pranimit brenda grupit”, tha Sumiçi për Infokus.
Sipas tij, në epokën digjitale, Snapchat-i, Instagrami apo TikTok-u janë bërë hapësira identitare, ku individët ndërtojnë perceptimin për veten dhe kërkojnë validim përmes ndërveprimeve.
“Kur ndodh një bllokim, njerëzit nuk humbin vetëm aksesin në aplikacion, por përjetojnë ndërprerjen e kontaktit me ‘vetveten shoqërore’ — me identitetin që e mbajnë gjallë përmes pranisë virtuale,” shton ai.
Sociologu thekson se varësia digjitale nuk është më individuale, por kolektive, dhe po formëson një kulturë të re psikologjike të varësisë sociale:
“Kemi kaluar nga varësia individuale — ku një person mund të jetë emocionalisht i lidhur me teknologjinë — në një varësi psikologjike kolektive që përfshin grupe të tëra, veçanërisht brezin e ri. Kjo varësi kolektive ushqehet nga mekanizmat e validimit social: pëlqimet, komentet, shikimet, ndarjet — të gjitha këto përkthehen në forma simbolike të vlerësimit dhe pranimit. Shoqëria e rrjeteve funksionon si një sistem pasqyrash ku secili shikon veten përmes syve të të tjerëve. Kështu, përdorimi i përditshëm i aplikacioneve si Snapchat bëhet mënyrë për të ndjerë se je pjesë e një bashkësie.”, thotë Sumiçi.
Për të rinjtë, sipas tij, ndikimi është edhe më i thellë:
“Për një pjesë të madhe të përdoruesve, Snapchat është bërë pasqyra e vetëdijes së tyre sociale. Kur kjo pasqyrë fshihet, personi përjeton boshllëk dhe pasiguri në identitet. Ndërprerja nuk ishte vetëm mungesë funksionaliteti, por ndërprerje e përjetimit të vetvetes në sy të tjerëve. Në mënyrë simbolike, rrjetet sociale janë ‘vendi ku unë ekzistoj për të tjerët’. Kur ai vend ndalet, njeriu përjeton një krizë ekzistenciale të ngjashme me ndjenjën e izolimit apo të refuzimit.”
Sumiçi e përkufizon këtë realitet si një transformim të thellë kulturor:
“Njeriu i epokës digjitale nuk ka më frikë të mbetet vetëm në dhomë, por ka frikë të mbetet jashtë vëmendjes së të tjerëve. Shoqëria e sotme e barazon ekzistencën me dukshmërinë. Në momentin që dikush nuk është i pranishëm online, ai ndjehet si i përjashtuar nga rrjeti social, si i padukshëm në ‘tregun simbolik të pranimit’. Kjo është një formë e re e anxietit social postmodern, ku ndjenja e vlerës dhe e përkatësisë maten me praninë në ekran, e jo me thellësinë e marrëdhënieve reale.”, deklaron ai.
Sipas tij, fenomeni i djeshëm ishte një “eksperiment i pavullnetshëm shoqëror”, që tregoi sa shumë është zhvendosur jeta emocionale e njerëzve në hapësirën digjitale.
“Kur individi është mësuar të përjetojë botën përmes ndërveprimeve virtuale të menjëhershme, mungesa e tyre krijon ndjenjën e ‘heshtjes’ dhe të ‘padukshmërisë’. Në mënyrë simbolike, rrjetet kanë zëvendësuar komunikimin spontan me të tjerët, dhe kur ky kanal mbyllet, njerëzit përjetojnë një shkëputje nga trupi social. Panikut i shtohet edhe fakti që shumë përdorues e lidhin ndjenjën e sigurisë emocionale me kontaktin e vazhdueshëm online. Mungesa e këtij kontakti për disa orë e bën individin të ndjejë boshllëk të brendshëm, si të kishte humbur një pjesë të realitetit të tij.”
Në përfundim, Sumiqi vlerëson se “kriza e Snapchat-it” është një metaforë e varësisë digjitale që ndikon në mënyrën si njerëzit perceptojnë realitetin dhe vetveten”, shprehet sociologu për Infokus.
“Kjo ‘krizë e vogël’ teknologjike zbuloi një të vërtetë të madhe: ne jemi bërë shoqëri e lidhur në çdo sekondë, por shpesh e vetmuar brenda ekranit. Fenomeni nuk ishte krizë e aplikacionit, por krizë e ndërvarësisë njerëzore me ekranin. Ishte një kujtesë e qartë se përpara se të lidhemi me botën virtuale, duhet të rilidhemi me vetveten reale.”
Ngjarja e djeshme me bllokimin e Snapchat-it, ndonëse zgjati vetëm pak orë, u shndërrua në një eksperiment social që ekspozoi brishtësinë emocionale të shoqërisë moderne.
Ajo tregoi se teknologjia nuk është më një mjet në duart tona, por një pjesë e pandashme e jetës sonë emocionale dhe shoqërore, ku mungesa e pranisë digjitale ngatërrohet me mungesën e ekzistencës vetjake./Gazeta Infokus/

T� tjera
-
Vrasja e Arlinda Zekajt, qytetarët ndezin qirinj në Pejë në kujtim të saj
Vrasja e Arlinda Zekajt nga kunati i saj, mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë ...
-
Kurti: Arlinda kërkoi, por nuk e mori mbrojtjen që i duhej për të mbetur gjallë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhe...
-
Deliu-Kodra: Më vjen marre nga ky fjalim në Kuvend, dikush duhet të dorëhiqet
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar so...
-
Gërvalla: Vrasja e Arlindës e ka tronditur thellë Kosovën, vetëm një burrë i lig ngre dorën ndaj një gruaje
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Ze...
-
Nëna e Liridona Ademajt ndan dhimbjen me familjen Zekaj: Kur e mora vesh se edhe një çikë e Kosovës u bë viktimë e vrasjes, mu rihapën plagët
Nëna e Liridona Ademajt, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli ka...
-
Rasti i gruas në Pejë, Tahiri: Do të duhej të kishte dorëheqje – s’mjaftojnë ngushëllimet
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime pas vr...
-
Vëllai i Arlinda Zekajt: Zemra nuk po ma mban me shkru për vrasjen tande
Alban Zekaj, vëllai i Arlinda Zekajt, gruas që u vra mizorisht mbrëmë, tre di...
-
Osmani: Vepra e dhunës në familje do të duhej ta kishte dënimin e njëjtë si terrorizmi
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përgjegjësi institucional...
-
Hoxha: Arlinda sot s’mund të flasë, por letra e saj na akuzon të gjithëve që kemi përgjegjësi – kjo ditë është pasqyra jonë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha tha se ndjen turp për...
-
Haxhiu del në mbrojtje të Gërvallës e Sveçlës pas vrasjes së Arlinda Zekaj: Çfarë faji kanë ministrat?
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të mini...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë raportet që përfundojnë në sirtar, kërkohen masa ndaj atyre që shkelën detyrën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë t...
-
Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për Arlinda Zekajn
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, që po mbahet për rastin e vrasjes mizore...

































