Lajme

Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit

Autori: Gazeta inFokus 21:21 | 22 December 2024

Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e Beogradit, protestuan të dielën në Beograd për të kërkuar llogaridhënie për shembjen e strehës në stacionin e trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 njerëz.

Rrugët afër sheshit Slavija në qendër të Beogradit u mbyllën për qarkullimin e automjeteve derisa mijëra njerëz u mblodhën për të protestuar, duke e mbushur sheshin dhe pjesët përreth tij. Protestës së studentëve iu bashkuan edhe fermerë, aktorë dhe mësimdhënës.

Demonstrata filloi pasdite me 15 minuta heshtje për viktimat e shembjes së strehës muajin e kaluar, ku humbën jetën 15 njerëz dhe u lënduan rëndë dy të tjerë. Shumë nga pjesëmarrësit ndezën dritat e telefonëve të tyre mobil dhe i mbajtën lart.

-Advertisement-

Organizatorët kërkuan nga Qeveria t’i gjejë dhe t’i ndjek penalisht të dyshuarit që sulmuan demonstruesit gjatë protestave që përshkuan Serbinë në ditët pas shembjes së strehës.

Organizatorët gjithashtu kërkuan lirimin e aktivistëve të ndaluar gjatë protestave të mëparshme dhe shfuqizimin e procedurave ligjore kundër tyre.

Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad për të kërkuar llogaridhënie.

Disa nga protestat u shndërruan në dhunë, por nuk u raportua për dhunë gjatë demonstratës në Beograd më 22 dhjetor.

Shembja e strehës është shndërruar në ngarkesë politike për presidentin Aleksandar Vuçiq, pasi më shumë se 50 fakultete akademike në katër universitete shtetërore, zyrat e disa rektorëve të universiteteve dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar në solidaritet me protestat.

Studentët gjithashtu kanë marrë pjesë në protesta ditore, duke e bllokuar trafikun për 15 minuta në qytete të ndryshme të Serbisë.

Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina. Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehen prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad njoftoi më 21 nëntor se 11 persona u arrestuan pasi u gjetën përgjegjës për shembjen.

Mes tyre ishin ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoresha e Infrastrukturës Hekurudhore, Jelena Tanaskoviq.

Ata rrezikojnë deri në 12 vjet burgim nëse shpallen fajtorë për akuzat për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, rrezikimin e publikut dhe punime të paligjshme ndërtimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera