Lajme

Caka-Nimani: Mbrojtja e Kushtetutes, akti më i lartë i patriotizmit

Autori: Gazeta inFokus 14:40 | 19 December 2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresë Caka-Nimani e cila ditëve të fundit ka qenë cak i sulmeve nga anëtarë të partisë në pushtet sot ka dorëzuar detyrën e saj tek kryetari i zgjedhur Nexhmi Rexhepi.

Gjatë fjalimit të saj, Caka-Nimani dërgoi disa mesazhe për mbrojtjen e Kushtetutes së Kosovës, duke theksuar se “mbrojtja e saj është akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës së Kosovës, të çdo shërbyesi publik, të çdo funksionari të lartë publik, e veçanërisht – i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.”

Postimi i plotë:

-Advertisement-

Me një ceremoni solemne të mbajtur në praninë e përfaqësuesve të lartë shtetëror, të korit diplomatik, organizatave vendore dhe të huaja, akademisë, shoqërisë civile dhe mediave, u bë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ndërmjet Kryetares në largim, znj. Gresa Caka – Nimani dhe Kryetarit të zgjedhur, z. Nexhmi Rexhepi, mandati i të cilit fillon me 31 dhjetor 2024.

Në fjalën e saj, Kryetarja Caka – Nimani, pasi shtjelloi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e vlerave të demokracisë dhe peshën dhe simbolikën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndër të tjera, theksoi që “Mbrojtja e kësaj Kushtetute, nuk është thjeshtë një detyrë. Mbrojtja e kësaj Kushtetute, është akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës së Kosovës, të çdo shërbyesi publik, të çdo funksionari të lartë publik, e veçanërisht – i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.” Kryetarja Caka-Nimani, falënderoj kolegët gjyqtarë, stafin e Gjykatës dhe të gjithë partnerët që kanë mbështetur Gjykatën në avancimin e saj ndër vite.Në fjalimin e tij, Kryetari i zgjedhur i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, pasi që falënderoi Kryetaren Gresa Caka – Nimani dhe gjyqtaren Selvete Gërxhaliu – Krasniqi për shërbimin e devotshëm në mbrojtje të kushtetutshmërisë në vend me rastin e përfundimit të mandatit të tyre, ndër të tjera tha se, “pavarësia e pushtetit gjyqësor është gurthemel i demokracisë dhe është thelbësore për sendërtimin e parimit të ndarjes së pushteteve, për materializimin e sundimit të ligjit dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”. Ai tutje tha se, “ne të gjithë ndajmë besimin e patundur se, në një demokraci kushtetuese, asnjë pushtet nuk është suprem – vetëm Kushtetuta është supreme. Andaj, roli dhe detyra e Gjykatës Kushtetuese është të mbrojë dhe të ruaj supremacinë e Kushtetutës”. Në fund, ai falënderoi të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese “për besimin e dhënë për të qenë i pari në mesin e të barabartëve”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera