Trupi gjykues: Marrëveshja e re për pranim fajësie e Ismet Bahtijarit i plotëson kushtet
Autori: Gazeta inFokus 12:03 | 18 December 2024
(Përditësuar, ora 11:55)- Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit, tha se marrëveshja e re e këtij të fundit për pranimin e fajësisë e arritur me Zyrën e Prokurorit të Specializur, i plotëson kushtet ligjore.
“Urdhri gojor ka të bëjë me marrëveshjen e fajësisë të dorëzuar nga ZPs-ja dhe mbrojtja e Bahtijarit. Pasi ka shqyrtuar marrëveshjen e re të fajësisë, trupi gjykues ka konstatuar se kjo marrëveshje i plotëson kërkesat e rregullës 94 (2) të Rregullores”, tha gjykatësja.
Si rrjedhojë, ajo e caktoi 18 dhjetorin 2024 si seancë ku do të diskutohet kjo marrëveshje e fajësisë në mes ZPS-së dhe Bahtijarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Prandaj, trupi gjykues e konsideron të arsyeshme caktimin e një seancë për të enjten më 19 dhjetor 2024 në orën 13:00, varësisht nga vendimi që do të marrë sot trupi gjykues për çështjen e pazgjidhur për të diskutuar marrëveshjen e re të zotit Bahtijari me ZPS-në në mënyrë që të sigurohet ecuri e shpejtë e procesit”, tha ajo .
Si rrjedhojë, mbrojtja e Bahtijarit u urdhërua të bëjë të ditur nëse klienti i saj e ka ndërmend që të bëjë deklaratë në procesin e marrëveshjes së fajësisë dhe vetë mbrojtja parashtrime lidhur me caktimin e dënimit.
Mbrojtja e Bahtijarit, avokati Felicity Gery ndërhyri duke thënë se nuk ka ndërmend i mbrojturi i tyre që të bëjë deklaratë. Lidhur me këtë, Veldt-Foglia i tha që mos ta ndërpres.
Pas kësaj, Bahtijari u urdhërua që të jetë i pranishëm në seancën e 18 dhjetorit.
Kurse, urdhri tjetër kishte të bënte me parashtrimet që janë bërë lidhur me zhdëmtimet në marrëveshjet e fajësisë. Fillimisht, trupi gjykues rikujtoi se nuk ka një vendim kornizë lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në këtë çështje.
Si rrjedhojë u urdhërua Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave që të marrë aktakuzën e 6 dhjetorit dhe vendimin e konfirmimit të 2 tetorit 2023, si dhe vendimin për ndryshimin e aktakuzës të 8 korrikut 2024, e që informacionet që ndodhen në ato nuk duhet t’ia nxjerrë asnjë personi. Ndërsa, Zyra Administrative u urdhërua që t’ia dorëzojë ato.
Sipas gjyqtares, këto dokumente përbëjnë informacione për persona që mund të jenë viktima në këtë çështje.
Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave, sipas gjyqtares duhet të informojë nëse ka kërkesa për viktima pjesëmarrëse, numrin e kërkesave, sa janë viktima të drejtpërdrejta dhe sa të tërthorta, duke përfshirë edhe përmbledhje lidhur me llojin e dëmit të pretenduar, përmasat e dëmit, informacione për viktimat, e të tjera.
Pas pushimit, gjykatësja tha se marrëveshjet për pranimin e fajësisë i referohen konkretisht aktakuzës së 10 korrikut 2024 dhe nuk ka asnjë pengesë për vazhdimin e seancës së sotme me çështjet e planifikuara. Pas disa diskutimeve mes palëve, u vendos që të vazhdohet me seancë.
Veldt-Foglia tha se fillimisht do të vazhdohet me diskutimet për marrëveshjen e fajësisë për Shalën, për të vazhduar më pas me Januzin dhe nesër me atë të Bahtijarit. Sipas saj, ekipet tjera të mbrojtjes nuk janë të obliguara të qëndrojnë në sallë përveç kur diskutohet marrëveshja e fajësisë së klientit të tyre.
Mbrojtja thotë se s’mund të vazhdohet me seancë pa u ditur vendimi për aktakuzën e rishikuar dhe marrëveshjen e fajësisë, ZPS-ja e kundërshton
(Përditësuar, ora 11:27)- Mbrojtja e Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës kanë thënë se janë në një situatë të papërshtatshme dhe nuk e dinë se si do të vazhdojnë me parashtrimet e tyre për caktimin e dënimit kur nuk e dinë vendimin e trupit gjykues lidhur me aktakuzën e rishikuar dhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
Toby Cadman që përfaqëson Shalën, kërkoi nga trupi gjykues që të merret një vendim urgjent lidhur me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jemi në një pozitë të papërshtatshme sa i përket mënyrës se si do të vazhdohet. Nuk e di se si do të vazhdojmë në lidhje me parashtrimet për caktimin e dënimit pa pasur dijeni për vendimin që do të merret lidhur me marrëveshjet e fajësisë ose në qoftë se ato do të pranohen. Unë ju kërkoj juve si trup gjykues që të merrni një vendim urgjent në lidhje me këtë çështje në mënyrë që të dimë se si të vazhdojmë më tej”, tha Cadman.
Ndërsa, avokatja e Bahtijarit, Felicity Gery tha se nuk ka kuptim të vazhdohet tutje me seancë pa u ditur këto çështje.
“Pajtohem me parashtrimet që u bënë në ketë sallë gjyqi dhe në veçanti me ato të zotit Cadman, për arsye se nuk ka kuptim që të vazhdohet më tej pa e ditur në qoftë se aktakuza e rishikuar është pranuar dhe nëse janë pranuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë që dalin prej saj”, tha avokatja.
Megjithatë, qëndrim krejt tjetër pati prokuroja Tanzzin Shahhabudin, e cila tha se pajtohen që sa i përket aktakuzës së rishikuar duhet të vazhdojnë me atë që u dorëzua dje.
“Megjithatë duke qenë se marrëveshjet për pranimin e fajësisë i referohen aktakuzës së 10 korrikut dhe paragrafëve që përmban ajo dhe duke qenë se kjo nuk ndryshon gjë, qëndrimi jonë është që nuk paraqet asnjë lloj pengese që të vazhdojmë edhe sot për sa i përket sqarimeve të mëtejshme në lidhje me marrëveshjet e pranimit të fajësisë. Ne themi se marrëveshja e fajësisë është një dokument i plotë i cili pasqyron të gjitha pikat e aktakuzës për të cilat të akuzuarit propozojnë që të vetëdeklarohen fajtorë, përmban dhe akuzat konkrete si dhe bazën faktike ku bazohen ato akuza kështu që mund të vazhdojmë edhe sot në lidhje me këtë”, tha prokurorja.
Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Voglia tha se do të japë dy urdhra me gojë, ndërsa pas pushimit do të merret vendimi lidhur me këtë çështje.
ZPS-ja kishte dorëzuar dy aktakuza të rishikuara për Shalën, Bahtijarin dhe Januzin, mbrojtja kërkon që t’i referohen asaj të fundit
Pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë në mes të akuzuarve Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, si dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), kjo e fundit kishte dorëzuar një aktakuzë të rishikuar më 6 dhjetor 2024.
Megjithatë, kjo aktakuzë nuk përmbante në tërësi marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga të akuzuarit dhe Prokuroria ishte urdhëruar nga trupi gjykues që t’i rishikonte disa çështje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, më 17 dhjetor, ZPS-ja kishte dorëzuar aktakuzën në bazë të urdhrit të gjykatës, për çka mbrojtja thotë se është e përshtatshme dhe kërkoi që në procedurat e mëtutjeshme t’i referohen aktakuzës së fundit të rishikuar, e cila përmbanë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
Ndryshe, sipas gjykatëses Mappie Veldt- Foglia, më 12 nëntor, trupi gjykues ka shtyrë fillimin e gjykimit, me qëllim që të lehtësohej procesi i arritjes së marrëveshjeve për pranimin e fajësisë.
Gjykatësja tha se më 13 nëntor, ZPS-ja informoi trupin gjykues që kanë arritur marrëveshjen e pranimit të fajësisë me tre të akuzuarit.
Si rrjedhojë, ajo tha se me kërkesë të palëve u pezulluan të gjitha afatet kohore për parashtrimet e palëve, përjashtimisht atë për rishikimin e masës së paraburgimit.
Më pas, Veldt-Foglia tregoi se u angazhuan palët që secila të dorëzojë një version të rishikuar të marrëveshjes së fajësisë, duke përmbushur kriteret e rregulloreve si dhe që të bëjnë parashtrime me shkrim lidhur me çështje që kanë të bëjnë me dënimin dhe informacione lidhur me të.
Kryetarja e trupit gjykues tha se ata kanë urdhëruar edhe ZPS-në që të parashtrojë një aktakuzë të rishikuar, duke marrë parasysh kushtet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Tha se më 6 dhjetor, ZPS-ja dorëzoi parashtrimet për pranimin e fajësisë dhe dënimin duke përfshirë edhe versionin e rishikuar të aktakuzës siç ka urdhëruar trupi gjykues.
Të njëjtën ditë, ajo theksoi se mbrojtja e të akuzuarve ka dorëzuar parashtrimet përkatëse lidhur me çështje që kanë të bëjnë me dënimin. Tregoi se më 16 dhjetor 2024, ZPS-ja kishte paraqitur një kërkesë trupit gjykues që të rishikonte vendimin mbi procedurën e fajësisë ose si alternativë të miratonte kërkesën e ZPS-së që të bënte apelimin e këtij vendimi.
Mbrojtja e Shalës dhe e Bahtijarit ishin përgjigjur ndaj kërkesës së ZPS-së, kurse ajo e Januzit kishte thënë se nuk do të përgjigjen. Madje, kundërpërgjigje nuk kishte pasur as ZPS-ja.
Duke treguar në mënyrë kronologjike, ajo tha se pas këtyre procedurave ishin caktuar datat për mbajtjen e seancave për shqyrtimin e fajësisë për Shalën dhe Januzin, ndërsa sipas Veldt-Foglia, marrëveshja për pranimin e fajësisë për Bahtijarin nuk do të shqyrtohej në këtë seancë për arsye se nuk i ka përmbushur rregullat.
Megjithatë, më 16 dhjetor, palët kishin informuar trupin gjykues se kishin arritur një marrëveshje të re të fajësisë me Bahtijarin dhe ia dorëzuan trupin gjykues.
Sipas saj, mbrojtja e Bahtijarit dhe ZPS-ja kishin parashtruar se marrëveshja e re për pranimin e fajësisë zgjidhte çështjet të cilat ishin ngritur nga trupi gjykues. Andaj, ata i kishin kërkuar trupit gjykues që të rishqyrtojnë këtë marrëveshje të re dhe të caktojnë një seancë për shqyrtimin e saj më 18 dhjetor 2024.
Ndërsa, gjykatësja shtoi se më 17 dhjetor 2024, ZPS-ja ka dorëzuar njoftimin e tërheqjes së kërkesës se saj, ku kishte kërkuar rishikimin e vendimit për procedurën e marrëveshjes së fajësisë ose si alternativë ku kërkonte leje për apel ndaj këtij vendimi.
Gjykatësja Veldt-Foglia tha se po të njëjtën datë (17 dhjetor), ZPS-ja parashtroi aktakuzën e rishikuar.
Ndërsa në seancën e sotme, Veldt-Foglia tha se nuk do të nxjerrin vendime mbi marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Ndërsa, tha se vendimi me shkrim nëse trupi gjykues pranon marrëveshjen për pranimin e fajësisë, do të nxjerret pas këtyre seancave në një kohë të duhur.
Vledt-Foglia deklaroi se sa i takon aktakuzë së rishikuar, e cila është dorëzuar dje, si rrjedhojë nuk do të shqyrtohet ai dokument për arsye se trupi gjykues nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që ta vlerësojë. Andaj, ajo tha se ky dokument do të vlerësohet në kohë të duhur.
Kështu që u kërkua sqarim nga palët pse paragrafët 11 dh 19 të aktakuzës së 6 dhjetorit 2024, janë fshirë nga aktakuza e dorëzuar dje, si dhe u kërkua shpjegim se në çfarë shkalle ndikon kjo fshirje për akuzat kur është bërë deklarimi për marrëveshjen e fajësisë.
Avokati i Januzit, Jonathan Elystan-Rees tha se kjo ka ndodhur si pasojë e urdhrit të trupit gjykues që aktakuza të rishikohet për të pasqyruar përmbajtjen e marrëveshjes së fajësisë dhe sipas tij kjo marrëveshje përqëndrohet vetëm në frikësimin përmes ofrimit të një përfitimit. Kërcënimi, sipas tij nuk është pjesë e marrëveshjes së fajësisë e as frika apo shqetësimi i shkaktuar tek dëshmitarët.
Avokati tha se ndikimi tek dëshmitarët nuk është diçka për të cilën janë pajtuar me ZPS-në dhe nuk është diçka e vërtetuar.
“Për rrjedhojë, kur u dorëzua aktakuza e rishikuar e 6 dhjetorit, ne e trajtuam me ZPS-në atë që sipas mendimit tonë nuk është në përputhje me urdhrin për të rishikuar aktakuzën dhe për ta pasqyruar këtë në marrëveshjen e pranimit të fajësisë”, tha Rees.
Ai gjithashtu kërkoi që t’i referohen aktakuzës së 17 dhjetorit, e cila është e rishikuar dhe jo asaj të mëhershme.
Mendimit të ngjashëm kishte edhe avokati i Shalës, Toby Cadman, i cili tha se aktakuza e datës 6 dhjetor nuk e pasqyron në mënyrë të duhur përmbajtjen e marrëveshjes së pranimit të fajësisë, ndërsa ajo 17 dhjetorit po. Kështu u pajtua edhe mbrojtja e Bahtijarit.
“Dua të shtojë se qëndrimi i zotit Bahtijari është që ai duhet të lirohet menjëherë dhe çdo vonim i mëtejshëm i shkakton dëm atij”, tha avokati Felicity Gery.
Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.
Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.
Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.
Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Ndërsa, prokurorja tha se qëndrim i tyre është se që nga dita e sotme deri në pranimin e fajësive dhe deklarimit të tyre ata janë në pozitë që të vazhdojnë për përcaktimin e dënimit dhe se versioni i punës së aktakuzës duhet të mbetet ai i 10 korrikut i ndryshuar më pas me atë të 17 dhjetorit 2024.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup./BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
Bedri Hamza premton sigurime shëndetësore, digjitalizim dhe sistem kombëtar për emergjencat mjekësore
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur sot një takim me...
-
Reagon ashpër Berisha pas kërcënimit ndaj kreut të AAK-së: Kush është ai trim që e kërcënon me plumb në ballë heroin Ramush Haradinaj
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka reaguar ashpër ...
-
Ministria e Faton Pecit ka shpenzuar mbi 7 mijë e 500 euro për ‘Darkën e Lamës’
Mbi 7 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Bujqësisë, “Darka e Lamës”, e org...
-
Konjufca në takim lamtumirës me Hovenierin: ShBA-ja, aleati ynë më i madh, do të angazhohemi për të forcuar edhe më shumë raportet
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim lamtumirës ...
-
Haradinaj takon sindikalistët e Shëndetësisë: Ikja e mjekëve ndalet vetëm me përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjes së pagave
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe F...
-
Bllokohen mandarinat shqiptare/ Disa vende të BE-së i kthejnë në kufi: Nivele të larta të pesticideve
Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me man...
-
Nëna e Martin Canit: Zemra ime është e thyer, kam çdo moment buzëqeshjen e tij
Ndërsa është bërë një muaj nga vrasja e Martin Canit, një protestë është zhvi...
-
Ushtarët letonezë patrullojnë në Zubin Potok
Ushtarët letonezë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR-...
-
“Ky veq plụmbin e ka hak”, reagon AGK-ja pasi u kërcënua me vrạsje Ilir Mirena
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për kërcënimin me vrasje ndaj ...
-
Reagon drejtori i menzës për fotografitë me krimba në ushqimin e studentëve: “Është fotografi e vjetër”
Sot deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka publikua...
-
Ndalohen nga tregu mallra në vlerë të 30 mijë eurove
Dogana dhe Policia e Kosovës në orët e pasdites së djeshme kanë ndaluar dy au...
-
Samiti në Bruksel mbledh liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel me kol...